Beniada Nishani jep mesazhin e fortë: Pranojeni veten siç jeni

  • A.P /
  • 20 October 2022 - 22:22
Beniada Nishani jep mesazhin e fortë: Pranojeni veten siç jeni

Beniada Nishani ka përcjellë një mesazh të rëndësishëm duke thënë se duhet ta pranojmë veten si jemi dhe jo të tregojmë një gjë që nuk ekziston përmes rrjeteve sociale. Beniada shprehet se duhet të heqim dorë nga mashtrimi që vjen nga mediat sociale dhe ta ndryshojmë shoqërinë duke qenë sa më natyral.

 

“A mendoni se duhen ta duam veten siç jemi? A mendoni se duhet t’i themi stop filtrave? Unë mendoj se po, ka ardhur koha ta pranojmë veten siç jemi. Në këtë periudhë po shikoj një përdorim të tepruar të filtrave. Ne postojmë foto joreale, duke u përpjekur të duken si një imazh i plastifikuar, gojë gjigante dhe hundë si Chihuahu, lëkura e lëmuar dhe me shkëlqim si porcelani, për të tërhequr çfarë?

Më shumë pëlqime dhe komente fake? Pjesa më e keqe është se kjo më pas na bën të shkojmë te kirurgu duke kërkuar fytyrën tonë si në filtrat e Instagramit. Unë kam qenë gjithmonë pro kirurgjisë, por për gjëra të nevojshme ose për mirëmbajtjen e lëkurës gjithmonë nën një specialist të mirë.

Sot shikoj që përpiqemi të nxjerrin në pah një perfeksion që nuk ekziston. Unë për disa vite isha e pasigurt për veten time, pastaj fillova të punoja me veten, fillova të ushqehem shëndetshëm dhe fillova të stërvitem në palestër, pashë rezultatet dhe sot në moshën 30 pa përdorur asnjëherë mbushës dhe botox jam e kënaqur me fytyrën time.

Do të doja t’u thosha adoleshentëve të sotëm se ju jeni të bukur kështu. Kujdesuni për shpirtin tuaj, bëni gjëra të bukura, jini të lumtur, mos shikoni se çfarë po bëjnë të tjerët dhe vazhdoni rrugën tuaj. Mundohemi të jemi versioni më i mirë i vetvetes. Mos dëgjoni atë që ju thonë shoqet dhe le të përpiqemi ta ndryshojmë këtë shoqëri duke u treguar sa më natyral në jetën reale dhe në rrjete sociale.”, shkruan Beniada.

(Kosova Sot Online)