Elsa Lila: Kjo është ngjarja më e rëndë që më ka ndodhur në jetë

  • A.P /
  • 26 October 2023 - 14:11
Elsa Lila: Kjo është ngjarja më e rëndë që më ka ndodhur në jetë

Arrestimi i saj nga shteti italian, pasi dyshohej si pjesë e një grupi të trafikut të drogës, ishte ngjarja më e rëndë që i kishte ndodhur në jetë, siç ka treguar Elsa Lila në një intervistë për “Opinion” mbrëmjen e kaluar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

 

“Ishte ngjarja më e rëndë që më ka ndodhur në jetën time dhe nuk ia uroj askujt. Ja që ndodhka të jesh i pafajshëm dhe të përfundosh në një histori absurde. Kush më njeh nga afër e di shumë mirë sesi jetoj. I njeh shumë mirë principet e mia, vlerat e mia. Ishte thjesht një absurditet.”- ka thënë ajo.

Elsa u rrëfye gjithashtu për koncertin madhështor që do të mbajë në Tiranë, si dhe për faktin që do ta ndajë skenën edhe me Pirro Çakon, për të sjellë ndër të tjera hitin e tyre “Diferenca je ti”.

“Në recital do të jenë instumentistët më të mirë italianë të muzikës, janë 7 elementë të bandës, çdo gjë do të jetë live dhe jam shumë e lumtur që do të kem mundësinë të punoj me këta instumentistë që janë shumë fantastikë, çdo gjë e japin prej vetes. Nuk mund të mos këndoja “Diferenca je ti” dhe Pirro u tregua shumë xhentil dhe pranoi ftesën time dhe do të jetë i pranishëm. Pas vitit 2007 do të këndojmë së bashku “Diferenca je ti”.

Si e sheh të ardhmen e saj?

Unë jam rritur me muzikën, është jeta ime edhe përpara se të filloja të merresha me muzikë, duke qenë se babai im është tenor. Besoj se deri kur të kem jetë, do të vazhdoj të merrem me muzikë, do të jetë dimension i jetës time. Muzika është dominantja, por më pëlqen zdruktharia, di të ndërtoj objekte të ndryshme.

Prodhoj komodina, stola, karrige. Më pëlqen që nga imagjinata, ashtu edhe me materiale të ricikluara. Më pëlqen kopshtaria, kam shumë bimë në tarracën time. Më pëlqen natyra, qetësia dhe jo zhurma. Mendoj se pasi Evita të mbushë 18 vjeçe, do të tërhiqem në natyrë ku mund të prodhoj muzikë më të mirë sepse jam më në kontakt me vetveten.”- ka rrëfyer artistja.


(Kosova Sot Online)