Shqiponjë Muhaxheri: Nuk është si përpara kur kemi kënduar ne, tani gjeneratat e reja kanë zgjedhur një rrugë tjetër

  • A.P /
  • 02 January 2024 - 12:52
Shqiponjë Muhaxheri: Nuk është si përpara kur kemi kënduar ne, tani gjeneratat e reja kanë zgjedhur një rrugë tjetër

Intervistë me këngëtaren Shqiponjë Muhaxheri

Shqiponjë Muhaxheri është këngëtare e njohur e muzikës popullore, karriera e të cilës nis qysh në moshën 12 vjeçare në Ansamblin "Bajram Curri".

Ndër vite ka marr pjesë në shumë manifestime e koncerte, si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Poashtu ka edituar disa albume muzikore.

Image

Në një intervistë të realizuar për gazetën "Kosova Sot Online", këngëtarja e njohur Shqiponjë Muhaxheri ka zbuluar shumë të pathëna rreth jetës dhe karrierës, nga fëmijëria, profesioni që e ushtron e deri te paraqitja në skenë...

"Kosova Sot Online": Si fillon një ditë e juaja rëndom?

Shqiponjë Muhaxheri: Duke vrapuar për të shkuar në punë si të gjithë. Pasi në mëngjes dalim në të njejtën kohë pothuajse si unë, bashkëshorti dhe fëmijët, secili nëpër drejtimet e veta.

"Kosova Sot Online": Kënga e fundit që keni publikuar mban titullin "S'ka shami lotin që fshin", sa jeni ndarë e kënaqur me realizimin e këngës në tërësi?

Shqiponjë Muhaxheri: Këngëve të kurbetit ndoshta nuk ia kam ditur vlerën dikur pasi nuk iam ballfaquar me atë mallin e fëmijëve apo të ndonjë anëtari të familjes por fatkeqësisht është një temë e cila qdoherë e më shumë është prezente tek ne. "S'ka shami lotin që fshin", është një këngë e dhimbshme që më është ofruar. Jo që isha në dilemë ta marr por teksti ishte prekës dhe unë nga natyra nuk jam person që këndoj këngë melankolike por ishte vëretetë temë aktuale dhe ishte e pranueshme dhe prej kolegeve të mia me të cilat e diskutova. Viteve të fundit po dihet se sa shqiptarë po dalin.

Image

"Kosova Sot Online": Si ishte sezonë e verës për juve, sa ishte Shqiponja e angazhuar për të kënduar në dasma dhe ahengje familjare?

Shqiponjë Muhaxheri: Ndoshta vetë prezenca ime për një kohë të gjatë në skenë, ka bërë të mundur që të jem e pranishme në ahengje të ndryshme familjare. Sezona e vitit 2023 ka qenë më e mirë sesa e vitit paraprak.

Image

"Kosova Sot Online": Ndër vite keni realizuar disa këngë hite si: "S'më zë gjumi pa të parë", "Të pres me mall", "Se kam ditë se sa të du", "Po të pres" etj., por cilat mbetën këngët më të dashura për ty që më ëndje i këndon?

Shqiponjë Muhaxheri: Mendoj se asnjë këngëtar, nuk mund t'i dalloj këngët e tij, unë po flas për vete pasi secilën këngë që e marr them se kjo është shumë e mirë dhe duhet ta këndoj. Nuk kam ndonjë këngë specifike që do të mund të thoja se kjo është ajo pasi këngët origjinale janë të përzgjedhura nga vetë unë. Kujtoj se një kohë të gjatë jemi marr dhe me përpunimin e këngëve pasi nuk kishim edhe oferta nga kompozitorët që me këndu këngë të reja por vetëm i merrnim dhe i ripërpunonim si lloj popturie. Ndërkohë këngët e mia të gjitha i dua njësoj.

Image

"Kosova Sot Online": Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje për të cilën edhe sot ke nostalgji nga vendlindja?

Shqiponjë Muhaxheri: Nga fëmijëria natyrisht se më kujtohen aktivitetet e shkollës, ku më shumë më ka tërhequr muzika dhe arti dramatik. E momenet që do të doja t'i ktheja janë kur kam dalur për herë të parë para publikut dhe kur më duartrokitnin nuk e kuptoja pse.Edhe pse nga ajo nuk kam asnjë xhirim si kujtim të asaj periudhe, pasi nuk ka pasur edhe telefona sikur sot, gjithqka ka qenë live, dhe nuk ka pasur mjete për t'i incizuar ato koncerte madhështore që kanë qenë. Prandaj pikërisht kjo kohë e fëmijërisë më mungon më shumë dhe do të doja ta riktheja dhe t'i xhiroja ato paraqitje. Më lë përshtypje që kur dikush më ndalon në rrugë dhe më thotë të kam parë kur ke qenë e vogël se ke kënduar disa këngë që ju kanë mbetur në kujtesë publikut.

Image

"Kosova Sot Online": Përveq këngëtare e njohur jeni edhe mësimdhënëse e gjuhës angleze, si është të punosh me nxënës sot?

Shqiponjë Muhaxheri: Është e vërtetë që ka ndryshuar dhe më vjen mirë për këtë për shumë arsye pasi në kohën time nxënësit nuk kanë pasur të drejt të shprehen, nuk i kanë ditur ndoshta as të drejtat e tyre si nxënës pastaj kanë pasur edhe mësues që e kanë shfrytëzuar situatën për të qenë me të rreptë. Por sot fatmirësisht kemi një rini shumë të mirë, prandaj dhe këtu më dhemb shpirti kur e di që një numër i madh nga ta largohen nga Kosova duke i lënë familjet e tyre. Rinia jonë sinqerisht është e pastërt pasi kanë vullnet dhe energj për të punuar. Derisa vështirë është pasi tani kohërat kanë ndryshuar, nxënësit nuk janë aq të dëgjueshëm sikur më parë. Kemi vështerësi edhe me prindërit e tyre të cilët thojnë se nuk po mundemi t'i qetësojmë ne fëmijët tanë e lëre më ju por përgjithësisht nuk ka diqka që nuk mundemi ta menaxhojmë situatën. Kujto që ti them për punën në arsim, mund të thotë se është e lehët, ju i keni 3 - 4 orë e shkoni menjëherë në shtëpi, ne ligjërim kemi 3 - 4 orë brenda ditës, puna tjetër administrative kërkon shumë përgjegjësi pasi ne kemi të bëjm me edukimin brezave edhe pse përdorimi i telefonave nxënësit sot i ka shkoqitur nga mësimi por varet nga personat dikush e përdor për gjëra pozitive e dikush e kalon kohën me lojëra të ndryshme.

Image

"Kosova Sot Online": A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk ju ka përshtatur karakterit tënd?

Shqiponjë Muhaxheri: Jo që ka qenë këngë e dobët por ka qenë këngë që nuk më është përshtatur mua.Sepse unë  tani nuk mund të këndoj këngë të zhanrit hip hop (Qeshet). Edhe pse si fëmijë jam marr me atë zhanër, por pastaj me kohën dhe inkuadrimin në Shoqërinë kulturo-artistike ka nddryshuar rrjedha e ngjarjeve.

Image

"Kosova Sot Online": A e ka trashëguar ndonjëri nga fëmijët talentin tuaj për të kënduar apo ata kanë preferuar që të zgjedhin profesione të tjera?

Shqiponjë Muhaxheri: Për talent, që të tre e kanë. Sidomos vajza ka edhe lëvizje skenike shumë artsitike por asnjëri nuk ka dashur të merret me muzikë. Unë nuk kam dashur t'ua imponoj sepse arti nuk shkon me imponim por ata tani kanë zgjedhur profesionet e tyre, kështu që unë jam e vetmja që bëj "zhurmë" me muzikë shqipe por edhe ata bëjnë "zhurmë" me muzikë të huaj. Megjithatë nuk e lënë anash edhe muzikën shqipe sidomos melosin popullor pasi muzikën e përzier nuk e dëshirojnë. Pëefundimisht jo vetëm në muzikë por në asnjë profesion nuk shkon me imponim.

Image

"Kosova Sot Online": Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtar/e të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtar/e, i/e pëlqyer sot pa provokime?

Shqiponjë Muhaxheri: Kanë ndryshuar kohërat, nuk është si përpara si kemi kënduar ne, tani gjeneratat e reja kanë zgjedhur një rrugë tjetër e edhe atë pjesën që e theksove ti. Krejt varet se çfarë dëshiron njeriu prej vetvetës, o me provokime o paprovokime, o me art, o pa art, është një fushë shumë e gjërë dhe publiku vetë e zgjedh. Dhe poashtu varet nga karakteri se në cilën anë dëshiron të jesh të artit apo provokimit. Në disa raste më shumë e shikojnë sesa e dëgjojnë këngën. Është mirë të nisemi nga arti e jo ta bastardojmë muzikën.

Image

"Kosova Sot Online": Me cilin këngëtar/e nga estarda do të preferoje ta realizoje një duet?

Shqiponjë Muhaxheri: Të them të drejtën nuk e kam menduar. Ndoshta jemi mësuar me ato popturitë që i kemi kënduar. Besoj se në mujat në vijim ndoshta do të kem ndonjë duet, por momentalisht një emër konkret nuk kam pasi varet edhe nga teksti dhe mundësisë se kur jemi të lirë për ta incizuar. Megjithatë në këtë drejtim jam e hapur.

Image

"Kosova Sot Online": Viteve të fundit muzika shqipe është vërshuar nga popturi dhe këngë kushtuar tezeve e hallave/A mendoni se kjo temë është stërkonsumuar dhe është bastarduar tej mase nga një pjesë e këngëtarve?

Shqiponjë Muhaxheri: Më duket se nuk ka temë që nuk e kemi prekur (Qeshet). Nuk ka asgjë të këndosh këngë për teze e halla por në disa raste tekstet nuk po filtrohen mirë, nuk po realizohen si duhet dhe tani po dalin qesharake. Edhe pse vjen momenti kur iu humbet vlera.

Image

"Kosova Sot Online": A keni në plan të realizoni ndonjë këngë me videokip pasi në këtë në pikë ka kohë që nuk ke realizuar ndonjë projekt të ri?

Shqiponjë Muhaxheri: Është e vërtetë që për videoklipe kam punuar pak. Videoklip do të realizoj por nuk e kam vendos ende se cila këngë do të jetë. A do të jetë ndonjë këngë e re apo ndonjë që kam realizuar më parë ende nuk e kam vendosur. Megjithatë më shumë jam për një këngë të re. Edhe pse puna e përditshme më dikton pasi për mua është primare derisa muzika gjithmonë ka qenë sekondare.

Image

"Kosova Sot Online": Sipas jush, ku është muzika shqipe sot, a jeni e kënaqur me standartin aktual apo duhet ndryshime urgjente?

Shqiponjë Muhaxheri: Besoj se duhet ndryshime urgjente. Gjithmonë te ajo pjesa kur fund e krye kënga është e huaj dhe nuk ka asgjë të muzikës shqipe. Vetëm në bazë të tekstit e kupton që është shqip pasi ka ritme të huaja. Jam kundër këngëve të kopjuara me muzikë e tekst dhe nuk pajtohem kurrsesi. Edhe Ministria e Kulturës duhet t'i vlerësojë artistët që e ruajnë dhe e kultivojnë muzikën e pastër shqipe. Shembull Ansambli i Fushë Kosovës kishte paraqitje të hatashme në Kroaci së fundi. Vetëm veshjet po t'i shije tu kënaqte shpirti pasi kishte vallëzim derisa unë i kisha dy tri pika me muzikë. Prandaj fusha institucionale ja jep vulën kulturës dhe traditës tonë.

Image

"Kosova Sot Online": Pasi e përmende pjesmarrjen me Ansamblin e Fushë Kosovës në Kroaci, si ju pritën bashkatdhetarët tanë atje?

Shqiponjë Muhaxheri: Jashtëzakonisht mirë. Momentin që ti pritesh mirë dhe ke se çfarë t'u prezantosh njerëzve, e ndjen vetën tamam artist. Vlen të përmendet se organizimi ka qenë shumë i mirë dhe kemi ftesë për të shkuar prap pasi paraqitja e Ansamblit ka qenë fantastike. Në Kroaci kemi qëndruar për rreth një javë ku me këtë rast kemi takuar shumë shqiptarë.

Image

"Kosova Sot Online": Cila është motoja që përdor më shpesh si mesazh për shoqërinë dhe jetën në përgjithësi?

Shqiponjë Muhaxheri: Motoja ime që unë e përdor zakonisht është të jesh vetvetja pa gënjeshtra e manipulime.

Intersvistoi: Armend Preteni

Image

(Kosova Sot Online)