Elia Zaharia flet sërish për konfliktin me Princ Lekën: Kjo që na ndodhi për familjen time ishte një rrufe në qiell të hapur
Elia Zaharia ka bërë një lidhje telefonike në emisionin “Zona Zero” në Top News, ku ka rrëfyer në detaje për konfliktin me Princ Lekën, transmeton “Kosova Sot Online”.
Në një bisedë me Milaim Zekën, aktorja shqiptare tha se sherri me ish-bashkëshortin ishte një ‘rrufe në qiell të hapur’, pasi deri në ato momente procesi i ndarjes po shkonte normalisht.
Tutje, Zaharia tha se për hir të vajzës së saj ka zgjedhur të mos baltos askënd.
Pjesë nga biseda e tyre:
Zeka: Si jeni njohur me Princin?
Elia Zaharia: Jemi njohur në Tiranë gjatë pushimeve verore, kur unë kthehesha një herë në vit për të takuar familjarët.
Zeka: Kishe dëgjuar që nga oborri mbretëror ishte planifikuar që Princi të martohej me vajzën e ish presidentit Rugova, Teutën?
Elia Zaharia: Asnjëherë, nuk janë diskutuar këto gjëra. Nuk kam një koment se nuk është diçka që më përfshin.
Zeka: Pse keni reaguar në mënyrë aq të rreptë apo agresive, në video?
Elia Zaharia: Unë arsyet i kam sqaruar edhe në organet përkatëse. Për shkak të konfrontimit që pashë midis ish-bashkëshortit tim dhe babait. Nuk do të kisha zgjedhur kurrë që kjo të ndodhte, dhe aq më tepër të servirej kjo, pasi është një moment intim, familjar. Përpos statusit, unë jam njeri prej mishi, gjaku dhe shpirti.
Zeka: Reagimi yt lidhet me atë anë njerëzore…
Elia Zaharia: Po por nuk do të doja të zgjatesha për diçka që është në organet hetimore. Nuk ka asnjë arsye tjetër, çdo gjë ka qenë e sqaruar paraprakisht. Kjo që na ndodhi për familjen time ishte një rrufe në qiell të hapur, pasi ndarja po shkonte normalisht.
Zeka: Vajza si e ka pritur këtë?
Elia Zaharia: Në konfrontimin tim me Princ Lekën, vajza nuk ka qenë e pranishme, por ka qenë e pranishme gjatë konfrontimit të tij me babanë tim, për këtë jam e lënduar. Për hir të vajzës time kam zgjedhur të mos baltos askënd. Çdo gur që sot hidhet mbi mua apo babanë e saj, nesër do të kthehet në peshë për të.
(Kosova Sot Online)