Kush e ndaloj këngën 'Mora fjalë' nga Shkurte Fejza për tu dëgjuar në stadiumin 'Air Albania'?

  • A.P /
  • 28 November 2024 - 15:00
Kush e ndaloj këngën 'Mora fjalë' nga Shkurte Fejza për tu dëgjuar në stadiumin 'Air Albania'?

Vendimi për ndalimin e këngës "Mora fjalë" në stadiumin "Air Albania" ka shkaktuar reagime të fuqishme nga opinioni publik shqiptar, shkruan gazeta "Kosova Sot Online".

Kënga, e njohur për nderimin e heroit kombëtar Adem Jashari dhe luftës së UÇK-së, u ndalua gjatë festimeve të 28 Nëntorit, Dita e Flamurit, kur shqiptarët shënojnë shpalljen e Pavarësisë dhe nderojnë figura të shquara të historisë kombëtare.

 

Në një reagim të ashpër, opinionisti Hajrush Behluli e cilësoi këtë akt si "vendimin më të keq që mund të marrë një shqiptar", duke theksuar se ky ishte një goditje për krenarinë dhe identitetin kombëtar. Ai shtoi se ndalimi i këngës në një moment kaq të rëndësishëm për shqiptarët është një akt i papranueshëm, sidomos në prag të festës së flamurit dhe nderimit të komandantit legjendar të UÇK-së.

"Ju e ndaluat në stadium, por nuk mund t'ua mbyllni gojën shqiptarëve as në Tiranë dhe askund ku frymojnë shqiptarët," u shpreh Behluli, duke akuzuar autoritetet për ndikime nga jashtë dhe për dëshirën e Serbisë për të frenuar festimin e historisë shqiptare, shkruan gazeta "Kosova Sot Online".

Ky ndalim ka ndezur një debat të fortë mbi lirinë e shprehjes dhe të drejtën e shqiptarëve për të nderuar heronjtë e kombit. Sipas kritikëve, ky akt është një shkelje e rëndë e kulturës dhe historisë kombëtare, duke kërkuar që autoritetet të rishikojnë vendimin dhe të garantojnë një mjedis të lirë për shprehjen e identitetit shqiptar.

(Kosova Sot Online)