Jessie J zbulon se si kanceri e bëri të kuptonte se ‘jeta është shumë e shkurtër’

  • A.P /
  • 18 August 2025 - 12:15
Jessie J zbulon se si kanceri e bëri të kuptonte se ‘jeta është shumë e shkurtër’

Këngëtarja britanike Jessie J ka treguar se diagnoza me kancer të gjirit i ka ndryshuar tërësisht perspektivën për jetën, duke e shtyrë të ndjekë ëndrra e projekte që gjithmonë i kishte lënë pezull, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

 

Artistja 37-vjeçare, e cila në qershor iu nënshtrua një mastektomie të plotë pasi mjekët zbuluan sëmundjen në fazë të hershme, është aktualisht në proces rikuperimi.

Në një video të publikuar në Instagram, ajo rrëfeu disa nga synimet e reja që dëshiron të realizojë: “Dua të shkruaj libra. Të bëj një album për fëmijë. T’i heq të gjitha tatuazhet. Të marr familjen time me pushime. Dua të mësoj të ngas biçikletën. Do të kisha dashur të mësoj edhe një gjuhë të huaj, por e di që s’ka për të ndodhur. Dua gjithashtu të gjej trajtimin e duhur për ADHD dhe OCD”.

 

Jessie shtoi se përvoja me kancerin i dha shtysën për t’i kthyer këto dëshira në realitet: “Kur kalon nëpër diçka të tillë, njerëzit thonë ‘je ndryshuar’. Por në fakt unë këto mendime i kam pasur gjithmonë. Thjesht kanceri të bën të veprosh, sepse kupton se jeta është e shkurtër. Dhe unë dua t’i bëj tani”.

Pak kohë më parë, këngëtarja ndau edhe momentin e vështirë pas operacionit, kur shpërtheu në lot duke parë plagët e saj.

“Mami po më masazhon gjoksin sepse unë s’mund t’i prek plagët. Fillova të qaja dhe thashë ‘Nuk mund ta besoj që më ka ndodhur mua kjo’. Ajo më tha ‘Do doja të isha unë në vendin tënd’ dhe ne të dyja shpërthyem në lot… jam e lumtur që nuk është ajo,” tregoi Jessie në një intervistë për The Sunday Times.

Mjekët i kishin thënë se falë zbulimit të hershëm nuk do t’i duhej as radioterapi apo kimioterapi, por për shkak të madhësisë së tumorit, iu desh të kryente një mastektomi të plotë.

Edhe pse e pret një ndërhyrje tjetër kirurgjikale për të përmirësuar simetrinë e implantit, Jessie është e vendosur të rikthehet fuqishëm në muzikë. Kënga e saj e re, Believe In Magic, do të publikohet më 29 gusht.

Ajo foli gjithashtu për djalin e saj dyvjeçar, Sky, të cilin e quajti “drita e jetës” gjatë gjithë betejës me sëmundjen.

Në një postim të gjatë në Instagram, Jessie sqaroi se nuk do të lejojë që operacionet apo problemet shëndetësore ta ndalin si nënë dhe artiste: “Mund të pushoj, të kujdesem për djalin dhe të publikoj muzikë të re. Kam 18 vite që lashë pas një label të madh, pikërisht që të mos frikësohem të shkruaj rregullat e mia dhe ta përshtas jetën me shëndetin tim. Një tjetër operacion më pret këtë vit – por unë mund ta përballoj. Po rris një fëmijë të vogël – mund ta bëj. Po sjell muzikë të re – mund ta bëj”.

Jessie shtoi: “Jeta kurrë nuk është e përsosur. Ka ulje-ngritje dhe thjesht duhet të vazhdojmë të jetojmë mes tyre. Kështu jam unë sot – duke jetuar – dhe dua që ju të keni muzikën time. Pranuar?”.

Image

 

(Kosova Sot Online)