
Lexoni edhe:
Osmani nderon artisten Adelina Ismaili me 'Mirënjohjen Presidenciale' me rastin e 40-vjetorit të karrierës
Artistja e njohur shqiptare, Adelina Ismaili më 26 nëntor 2025, ka shënuar me sukses një nga ngjarjet më të rëndësishme të karrierës së saj koncertin jubilar për 40 vjet aktivitet artistik, shkruan gazeta "Kosova Sot Online".
Para se dritat e skenës të ndizeshin për recitalin e shumëpritur, artistja u surprizua me një vlerësim të veçantë nga institucioni më i lartë i vendit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dorëzoi këngëtares ikonë Mirënjohjen Presidenciale, si shenjë respekti dhe falënderimi për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në muzikën shqiptare ndër vite.
Mbrëmja recital solli një performancë të paharrueshme, duke rikthyer para publikut hitet, meloditë, emocionet dhe momentet kulmore që kanë shënuar rrugëtimin 40-vjeçar të artistes që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën shqiptare.
Me artin e saj të guximshëm dhe personalitetin e saj të pakompromis, Adelina Ismaili vazhdon të mbetet një prej ikonave më të dashura dhe më me ndikim të kulturës sonë.
(Kosova Sot Online)