Britney Spears ka mbyllur çështjen e saj ligjore

  • A.P /
  • 05 May 2026 - 11:02
Britney Spears ka mbyllur çështjen e saj ligjore

Britney Spears ka mbyllur çështjen e saj ligjore lidhur me drejtimin e mjetit nën ndikim të alkoolit, duke arritur një marrëveshje me prokurorinë që i shmang asaj një dënim me burg. Këngëtarja pranoi fajësinë për incidentin e ndodhur në mars, ndërsa në seancën e së hënës u përfaqësua nga avokatët e saj dhe nuk ishte fizikisht e pranishme në gjykatë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

 

Sipas vendimit të shpallur nga gjyqtari, Spears është dënuar me 12 muaj provë dhe është e detyruar të ndjekë një program tre-mujor për trajtimin e përdorimit të alkoolit. Përveç kësaj, ajo është gjobitur me 571 dollarë dhe duhet të respektojë disa kushte shtesë, përfshirë pranimin e kontrollit të automjetit nga autoritetet kur kërkohet, si dhe mbajtjen e medikamenteve vetëm me recetë të vlefshme.

Avokati i saj, Michael Goldstein, deklaroi për mediat se këngëtarja ka marrë përgjegjësinë për veprimet e saj dhe ka nisur hapa konkretë drejt përmirësimit personal. Ai theksoi se Spears e konsideron vendimin të drejtë dhe është mirënjohëse për mbështetjen e publikut gjatë kësaj periudhe.

Arrestimi i artistes ndodhi më 4 mars në autostradën 101, pranë Newbury Park, ku sipas raportimeve ajo shfaqi shenja të qarta të dehjes dhe nuk arriti të kalojë testin e alkoolit në vendngjarje.

Ndërkohë, më herët ishte raportuar se Spears mund të ndiqte një program rehabilitimi, edhe pse është parë shpesh në publik gjatë javëve të fundit.

Image

(Kosova Sot Online)