Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (20)

  • 30 May 2017 - 10:51
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (20)

 Nuk mund të besoj që tërë këtë e ke bërë vetëm për veten tënde! - Po, nuk e dija se do të kisha mysafirë për drekë, e mua më pëlqen që të ha mirë, nuk i duroj ushqimet e shpejta dhe ngrënien në këmbë, kështu që mundohem që drekën ta kem sa më të pasur. - Mirë është kjo, por mendoj se as ushqimet "e shpejta", si thua ti, nuk janë të këqija. - Unë nuk i duroj. Nuk janë kualitative dhe ato kurrë nuk të ngopin. - Por, ushqimet e shpejta e kanë një përparësi tepër të madhe ndaj kësaj darkës tënde gala. Lulja cicëroi sytë duke shikuar Ilirin, duke e shikuar me dyshim. - Cilën përparësi? - Po, askush nuk blen hamburgerë, qebapë, një copë picë... që të hajë kushedi çka. Kryesisht këto i ha në vend të zamrës, kur e di se je i uritur, por që ende nuk mund të shkosh në shtëpi. Por, gjëja më e mirë e atyre ushqimeve të shpejta është që rri në rrugë dhe ha lirshëm. Bisedon dhe nuk mërzitesh nëse të bie pak keçap në këpucë, apo një copë sallate, këtë as që e vëren. Kjo është e rëndësishme kur dalim në mbrëmje. - Ti del, e unë jo. Për këtë shkak edhe kemi qëndrime të ndryshme për këto gjëra. - E, pse ti nuk del? - Dal në teatër, ndonjëherë për ta pirë një kafe me shoqet. Por, jo aq shpesh. - Por, pse? Nuk të kuptoj, vetëm je, jam i sigurt se ke mjaft para dhe se mund të dalësh sa herë që të të bie ndërmend. E, në anën tjetër, nuk je ndonjë gjyshe që të mendosh se daljet nuk janë për ty. - Nuk jam gjyshe, por teze, po. Këtë ma the edhe ti, kur u takuam për herë të parë. Iliri buzëqeshi, hëngri copën e fundit të mishit nga pjata dhe u ngrit. - Më duhej të ta ktheja për shkak se ishe tepër arrogante ndaj metodave të mia të gjetjes së fajtorit. E, cila femër nuk ofendohet kur dikush e quan teze, edhe kur me të vërtetë ai person të ka teze?! E, asnjëherë nuk të kam pyetur, sa vjet i ke ti? Luljetës iu formua një duq në fyt, e vetëdijshme se kishin ardhur deri te pyetja e dhembshme. Nuk frikësohej ajo t'ia tregonte atij vitet e saj. Ajo edhe kur kishte qenë në të njëzetat, gjithmonë ishte ndier më e vjetër. Por, ajo kishte frikë ta mësonte moshën e tij. Meqë dallimi do të ishte më i madh se nëntë vjet, e dinte se kjo do t'ia shuante të gjitha shpresat. Herë-herë Iliri i dukej tejet i pjekur, e më pas, pasi që ai bënte shaka me diçka, i dukej si ndonjë fëmijë, i cili ende ka kohë që t'i mbushë të tetëmbëdhjetat. (vijon)

(Kosova Sot)