< Ngjarje e vërtetë: Si filloi tërë kjo mesele (1) - Dashuri - Kosova Sot
Ngjarje e vėrtetė: Si filloi tėrė kjo mesele (1)

Ngjarje e vėrtetė: Si filloi tėrė kjo mesele (1)

Uh, çfarë dashurie ishte ajo. Ishte ndër ato gjëra që njeriu mundet t'i përjetojë vetëm një herë, apo asnjëherë. Një çift i përkryer, do të thoshte çdo kalimtar i cili do t'i shihte të përqafuar, duke shëtitur nëpër qytet. Kur ishin njoftuar, ajo ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme, ai tanimë e kishte kryer shkollën e mesme dhe punonte me të madhe. Kurrë askush nuk kishte thënë ndonjë fjalë të keqe rreth tij. ai ishte njëri ndër ata njerëz, të cilët mund t'i thërrasësh në mes të natës kur të kesh nevojë për të të ndihmuar. Kurrë nuk ia refuzonte ndihmën askujt, por e meta e njerëzve të tillë është që janë të mirë ndaj të gjithëve, me përjashtim të vetvetes. Njëqind herë i kisha thënë: - Mos kështu, Meti, pse po e mundon veten? A mendon se këta do të ta kthejnë me të mirë, a?- E di se nuk do të ma kthejnë, vëllai im, por nuk mundem të mos iu ndihmoj. Çfarë njeriu do të isha atëherë? Dhe, që të dy e kishim mirë. Unë në pohimin se askush nuk i kishte ndihmuar kurrë, e ai në atë që bënte, meqë ajo ishte tejet normale. Rreth saj dija shumë pak. Dija me kë kishte qenë më parë dhe asgjë më shumë. Një zeshkane e bukur me një vragë karakteristike në fytyrë, me shpirt optimist dhe me disponim të mirë. ajo e kishte bërë shumë shpejt për vete. E njihja goxha mirë, kështu që mund të them se ishte i dashuruar deri në fyt. E, as ai nuk e fshihte këtë. Kjo është ajo gjendje e njeriut kur është aq i lumtur dhe i kënaqur me jetën e vet, sa që i duket se krejt bota është e tij, se mund të bëjë gjithç- ka. Unë e takova atë disa muaj pasi që kishte filluar lidhja e tyre. Isha shumë i gëzuar për ta, sidomos për Metin, meqë edhe ajo e donte atë tepër shumë. Të paktën, ashtu dukej. Dhe, me të vërtetë ata dy shiheshin gjithkund bashkë, putheshin, ecnin dorë për dore. Dhe, kështu Engjëllushja e regjistroi fakultetin, vera kaloi shpejt dhe erdhi momenti i ndarjes. Kishte aty edhe lot, premtime se asgjë nuk mund t'i ndajë, etj. Ata ia dolën që edhe këtë ta tejkalonin. Rrinin bashkë dhe gjithçka dukej e përkryer. Por, asgjë në këtë botë nuk është e përkryer dhe çdo gjë e ka fillimin dhe fundin e vet. Gjithmonë e pyesja veten pse kjo ishte kështu. A nuk mundej njeriu të kishte diçka përherë, deri në pafundësi? Pas disa viteve, gjatë verës, një shoqe e mirë më tregoi sesi Engjëllushja e kishte mashtruar Metin. Nuk mund të besoja. As që e lashë ta mbaronte fjalën. - Të lutem, mos më fol kështu për të. Jam i sigurt që ajo e do pa masë Metin. Por, ajo më demantoi me atë që më tregoi në vazhdim: - Engjëllushja kishte takuar një djalë, të cilin në fillim e kishte refuzuar, por ai ishte këmbëngulës. Vazhdimisht i dërgonte dhurata të vogla. ajo nuk ia kushtonte vëmendjen, por meqë Meti ishte larg, e ai tjetri ishte aty çdo ditë, mendimi i saj ngadalë vinte duke u ndryshuar. Dhe, në fund, u lidh me të. Bile këtë verë shkuan bashkë në pushime. Ajo vazhdon që ta dojë Metin, por edhe atë djalin. është me të dy në të njëjtën kohë. Tërë këtë ia kishte treguar shoqes, e asaj nuk i kishte ndenjur në bark dhe i kishte treguar një shoqeje tjetër, duke ardhur kështu kjo mesele edhe në veshët e mi. Sapo dëgjova këtë, nuk e lashë që të vazhdonte më tutje. Nuk dija se çka të bëja me atë të vërtetë të hidhur. Fillova të kisha dilema. Çka nëse tërë ky tregim është vetëm tregim, trillim pra, duke ditur se sa xheloze dinë të jenë femrat. Me gjasë ato ndihen në siklet pse nuk mund ta gjejnë një të dashur sikur Meti, prandaj fillojnë të trillojnë gjëra. Kështu e ngushëlloja veten. Por, si t'i tregoja? Do t'ia thyeja zemrën, meqë e dija se çfarë rëndësie të madhe ka ajo për të. Dhe, më pas, nëse del se e tërë kjo nuk ishte e vërtetë? Ai ishte shoku im më i mirë, nuk mund t'ia bëja këtë. por, më pas mendoja, mu për shkak se e kisha si vëlla, e kisha borxh t'ia tregoja të vërtetën. Kohëve të fundit ai kishte shumë probleme: kishte ngelur pa punë, ishte rrasur borxh deri në fyt... vetëm edhe tradhtia e së dashurës i mungonte. Mua më duhej që t'ia mbysja edhe shpresën e fundit te ai. Pas një të menduari të gjatë, vendosa të mos i tregoja. Thjesht, nuk mundja. (vijon)

(Kosova Sot)

7 orë e 15 minuta më parë