Ngjarje e vërtetë: E prishi fejesën për faj TË PRINDËRVE TË TIJ (2)

  • 10 December 2017 - 11:42
Ngjarje e vërtetë: E prishi fejesën për faj TË PRINDËRVE TË TIJ (2)

Sikur të mos isha vajza e prindërve të mi. Gjyshja ime nga ana e nënës thoshte se asaj i kisha ngjarë me karakter, meqë ajo, edhe pse ishte nga një familje me nam, gjithmonë ishte, sikur që thoshte, me të dyja këmbët në tokë. Babai im ishte jurist i respektuar, e nëna anesteziologe. Që të dy donin që unë të bëhesha mjeke dhe, kur nga fundi i shkollës së mesme vendosa ta regjistroja mjekësinë, më thanë se, kur të vinte koha, do ta specializoja neurologjinë. Por, meqë ma ofronin specializimin nga dermatologjia, unë nuk u hamenda, meqë ajo fushë më dukej më e lehtë dhe më interesonte më shumë. Por, pa dijen time, babai i kishte shfrytëzuar lidhjet e tij dhe vetëm kur më tha një ditë se, megjithatë, do ta specializoja neurologjinë. Kjo ishte hera e parë që iu kundërvura prindërve të mi, më së shumti për shkak të turpit që ma kishin siguruar specializimin me të njohshëm. - Por unë dua të jem dermatologe – iu thashë dhe shpërtheva me fjalë të pakontrolluara. - Blerina, sa mosfalënderuese që je! Babi i përdori të gjitha lidhjet që i ka, e ti e refuzon neurologjinë, e cila është shumë më e çmueshme se dermatologjia – më tha nëna, duke më shikuar me shikim akuzues. - Ti ma thua këtë vetëm për shkak se vetë doje të bëheshe neurologe – iu ktheva unë. - Kjo nuk ka lidhje me mua. Ne të kemi shkolluar, e ti na e kthen kështu. Je kokëfortë dhe mosmirënjohëse – ofendimet e saj ishin të pavërteta, meqë unë rëndom i respektoja dëshirat e tyre. Por, këtë herë nuk i dëgjova ata dhe, përkundër të gjithave, u bëra dermatologe. Pak pasi që fillova të punoja në spital, atyre iu lindi një ide e re. Vendosën se duhej ta hapja një ordinancë private. - Edhe do të fitosh më shumë, e edhe do të jesh shefi i vetvetes – më tha nëna, e cila shpesh thoshte se më mirë iu kishte rënë mjekëve që kishin kaluar në praksë private, gjë që për të, si anesteziologe, ishte më e komplikuar. - Por, unë duk dua të fitoj më shumë. Nuk dua që, krahas mjekësisë, të merrem edhe me punë ligjore dhe financiare, nuk i di unë ato gjëra. Dua vetëm t’iu ndihmoj njerëzve. E, në spital jam tejet e kënaqur – i kundërshtova unë. Pas disa grindjeve dhe insistimeve të kota, ata hoqën dorë, për më tepër që kisha vendosur të martohesha me Dardanin. U njoftuam nëpërmes një kolegeje të përbashkët. Dardani atëherë ishte duke studiuar stomatologjinë, edhe pse ishim moshatarë. I kishte regjistruar studimet më vonë. - Blerina, ai është në rregull. Do të bëhet stomatolog e edhe prindërit i ka të mirë. I ati i tij është një biznesmen i suksesshëm, kurse vëllain e ka avokat. Dardani do të mund ta hapë një ordinancë private, e për një dentist gjithmonë ka punë – prindërit e pranuan me gjithë zemër Dardanin, gjë që ma rikujtoi kundërshtimin e tyre ndaj lidhjes sime me Bardhin, vetëm disa vite më herët. Isha marrëzisht e dashuruar në Bardhin. Besoja se edhe ai ndjente njëson si unë dhe se asgjë nuk do të mund të na ndante. E, më pas, pa u munduar që të më jepte ndonjë shpjegim, ai më la. Që nga fillimi prindërit e mi ishin kundër asaj lidhjeje. Nuk mund ta merrnin veten pas tronditjes kur morën vesh se isha në lidhje me një automekanik. Bardhi ishte i pashëm, i vëmendshëm dhe argëtues. Gjithmonë m’i plotë- sonte dëshirat, meqë unë isha në fund të studimeve të mjekësisë, të cilat ishin të vështira. Ai përshtatej me kohën time të lirë dhe nuk e kishte vështirë që të më priste pas ligjëratave. Ai gëzohej për çdo provim që jepja dhe insistonte të më qeraste me darkë edhe pse nuk e kishte rrogën e madhe dhe pjesën më të madhe të rrogës ua jepte prindërve. Vinte nga një familje punëtore dhe kishte edhe dy vëllezër dhe një motër. I ati i tij ishte murator, e nëna i punonte në një fabrikë të tekstilit, e cila sa nuk kishte falimentuar. (vijon) 

(Kosova Sot)