Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (9) - Dashuri - Kosova Sot
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (9)

Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (9)

Sabrinës filloi t'i dridhej zëri. Kujtimi deshi t'i thoshte diçka, sa për ta qetë- suar, por ajo ishte më e shpejtë.

- Ti më duket se po e merr si hajgare. Por, nëse, larg qoftë, të ndodhë diçka? Atëherë, çka të bëj unë? - Mam, lëre njëherë të pushojë! Kur të mbërrijmë në shtëpi, atëherë do të bisedoni hollësisht.

- Bravo, Kiki! Këtë desha t'ia them edhe unë! U ngrit shumë ngadalë, nga frika se mos po e përjetonte përsëri atë marramendjen e pak minutave më parë. Por, për fat, çdo gjë kaloi mirë.

KAPITULLI I KATËRT

"Thanks God for 'Google'", kishte thënë njëherë Oprah Winfrey me ekzaltim, duke dashur të thoshte se aty mund të gjeje çka të kërkoje, por jo, kësaj here kjo nuk ishte e vërtetë. Pa marrë parasysh sa u mundua, në të gjitha mënyrat e mundshme, që të gjente ndonjë të dhënë për "Të Martet", Kujtimi nuk gjeti ama bash asgjë. Provoi edhe në anglisht dhe serbokroatisht, por rezultati ishte i njëjtë - zero. I dukej e pamundur që një gjë e tillë deri tani të mos ishte përmendur nga askush. Vendosi t'i drejtohej "Google"-s tradicionale - nënës së tij - edhe pse atë mëngjes ajo i dukej disi e mërzitur dhe e irrituar. - Nënë, dua të të pyes diçka! Kur i biri iu drejtua, zonja Emine ishte duke ndarë ilaçet e saj, duke i futur në një kuti të madhe me katrorë të vegjël, të cilën ia kishte sjellë e bija që jetonte jashtë, para pak ditësh, kur kishte qenë në vizitë. I ndante në bazë të ditëve, për ta pasur më të lehtë përdorimin e tyre. Përndryshe, vuante nga diabeti dhe shtypja e lartë e gjakut. Zonja Emine, nëna e Kujtimit, ishte një grua shtatmesme, e lindur në fshat, në një familje të pasur. Se ç'kishte diçka në qëndrimin e saj, që e bënte të dukej si zonjë fisnike, aristokrate. Kujtimja si duket e kishte trashëguar këtë qëndrim nga ajo. Flokët i kishte krejtësisht të thinjura, por nuk preferonte t'i ngjyroste. Ato i kishte të shpeshta dhe i mbante të lidhura bisht. Në fytyrën e saj vëreheshin dy sy të mëdhenj, të zi dhe një hundë e drejtë e cila i jepte hijeshi tërë fytyrës së saj. Prej se ishte pensionuar nga "profesioni i shenjtë i edukimit", sikur që thuhej dikur, preferonte që të rrinte në shtëpi, herë te Kujtimi, e herë te vëllai i tij, Besniku, i cili jetonte në Prishtinë, në një apartament të sapondërtuar. Prej vdekjes së burrit, të famshmit Dr. Hasanit, një pediatri shumë të njohur, ajo rrallëherë rrinte në shtëpinë e vjetër, në Prishtinë, ku kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës, ku fundja edhe kishte rritur fëmijët e saj, dy djemtë dhe sugareshën, Albanën, e cila para një viti ishte martuar dhe kishte shkuar me burrin që të jetonte në Angli. Por, prapëseprapë nuk pranonte ta lëshonte me qira. "Nuk dua që në shtëpinë time të jetojnë të huajt", thoshte ajo. H.B.I. (vijon)

(Kosova Sot)

39 minuta më parë
15/10/18