Ngjarje e vërtetë: Në vend se ta lija, ëndërroja VDEKJEN E TIJ (2)

  • 13 January 2018 - 14:53
Ngjarje e vërtetë: Në vend se ta lija, ëndërroja VDEKJEN E TIJ (2)

Jam shumë e lodhur. Në fabrikën e këpucëve ku punoj nuk kemi pasur kohë të lirë as për nga një kafe. Tashmë është ndërruar edhe pronari, po na trajton si të jemi skllevër dhe për tetë orë punë nuk kemi asnjë sekondë më shumë se një orë pauzë. Duart dhe mushkëritë po më mbajnë erë ngjitësi. Po habitem me veten se si për dhjetë vite kam mundur ta mbaj veten në ambiente të tilla, por njeriu mësohet me gjithçka, kështu që edhe unë jam mësuar me atë aromë, e cila në fillim më kishte penguar, por me kalimin e kohës jam mësuar. Jo se kisha ndonjë hapësire të madhe për të vepruar, por dikush në familje u desh të punonte dhe nuk kishte kohë për të humbur. Kemi edhe një vajzë, Majën. Ajo është shumë e qetë, por është paksa fëmijë i trembur, sidomos nga secila zhurmë që mund të dëgjohet e po ashtu edhe nëse komunikojmë në zë paksa më të lartë. Dua ta kursej nga kjo situatë, por kam frikë se kjo nuk do të jetë e mundur. Unë jam person i zhurmshëm shkaku i zgjedhjeve të mia dhe me vetëdije dëshiroj që ta them me zë, ta kuptojë e gjithë bota, madje edhe bija ime, përderisa Shqipëroni po ashtu me zë të lartë, dita-ditës duke e ngritur atë, po e vëren se nuk po ka rrugëdalje nga kjo situatë. Unë nuk po mundem t'i ndihmoj aq sa duhet, nuk po kam fuqi, e po ashtu nuk po kam më vullnet. Po ndiej një ndalesë, sikur të ishte një lokomotivë që të tërheq trenin, derisa të ndalojë përfundimisht. Ende po e vërej përmes dritares dhe xhamave se si po shëtitet i nervozuar, duke më pritur mua.

- A ke blerë cigare - më pyeti në vend se të përshëndeste. I bëra më kokë një përgjigje pozitive.

- M'i jep më shpejt, tashmë pothuajse jam çmendur! Që nga mesdita nuk e kam ndezur.

- Nuk po të intereson nëse kisha për bukë dhe qumësht - e pyeta me zë të ulur, duke mos dashur që ta tërheqim vëmendjen e të tjerëve. E sikur të ndalosh me duhanin?

- Edhe këtë do të ma ndalosh? Hajde, ma ndalo edhe ajrin të cilin e frymoj - po bëhej gjithnjë e më i zëshëm dhe më i padurueshëm. Një personi që thith duhan në një krizë si kjo, kurrë nuk i thuhet ta ndalojë duhanin, sepse gjërat vetëm sa mund të përkeqësohen edhe më shumë. Më duhej që ta lija ta përfundonte duhanin e më pas të flisnim në mënyrë normale. Unë u ula në veturën tonë të vjetër. Nga qesja e najlonit nxora pakon me cigare dhe ia dhashë. Po e shikoja si po e hapte, si po e thithte dhe po e hidhte tymin përtej dritares. Tymi i duhanit i ishte përzier me aromën e alkoolit, të cilat tashmë që të dyja po i nxirrte nga goja. Tashmë isha tepër e sigurt se e kishte vizituar Zenelin në bodrumin e tij dhe kishte hyrë borxh edhe për ndonjë shishe, kush e di të cilën me radhë. Zeneli rregullisht më vjen në derë, çdo të pesëmbëdhjetin për të marrë borxhin e tij. Shikoje, as nuk qenka rruar, po mendoja me veten time. I pikëlluar, i dehur, aspak nuk i ngjasonte Avniut tim, dashurisë time më të madhe që e kisha dikur. Unë në fakt tash e disa vite dashuroj tjetrin. Dashuroj Avniun tim të vjetër. Po i mbyll sytë dhe po mundohem ta kujtoj si ishte ai dikur, në imagjinatën time. Një ditë u shfaq papritur, pas pothuajse dhjetë vite pa u parë me të, saktësisht dhjetë vite që nga martesa ime me Shqipëronin. Ai ishte dashuria ime e rinisë, e cila kishte qëndruar e venitur në mua gjithë këto vite, e kohëve të fundit ishte zgjuar si një vullkan. Në vend se të kalonte kjo dashuri, sepse koha harron dhe varros gjithçka, kjo te unë nuk kishte ndodhur. Unë po e mashtroja veten time, duke u bërë kinse nuk po vëreja ndjenjat dhe dashurinë time. Por, martesa ime gjithnjë e më shumë po rrëshqiste në thikën e mprehtë, derisa ne ishim vetëm dy spektatorë të kinemasë, të cilët po e prisnin fundin e filmit për të shikuar se çfarë po ndodh. (vijon) 

(Kosova Sot)