Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (30) - Dashuri - Kosova Sot
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (30)

Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (30)

Kujtimi vërejti se temperatura e motorit të automobilit ishte ngritur pak më shumë se normalja. Ishte një siguresë që luante herë pas here, duke e dhënë këtë problem, prandaj vendosi që ta skajonte veturën anash dhe të shikonte se ku qëndronte problemi.

- Po ndalesh, a?... Mirë, unë do të të pres në veturë.

- Jo, nuk do të shkoj askund, vetëm ta shikoj pak kutinë e siguresave. Profesori qeshi.

- Ah, më fal! Mendova se po ndaleshe për lutje... për namaz.

- A?! Kujtimi nuk kishte idenë se për çka e kishte fjalën profesori.

- E dëgjova ezanin dhe mendova se do të faleshe. Kujtimi as që kishte dëgjuar farë ezani, por kur shikoi orën, pa se ishte ora 12:00. Nga njohuritë e tij të pakta rreth fesë, e dinte se në atë orë falej dreka. U ndie disi keq dhe nuk diti çka t'i thoshte profesorit.

- Aha! Jo, nuk u ndala për atë... Pasi e lëvizi pak siguresën, hipi në veturë, me shpresën se temperatura e motorit do të ulej tani, gjë që më pas edhe ndodhi.

- Kujtim, ti si intelektual, me gjasë je ateist, apo jo? Kujtimi me të vërtetë dinte shumë pak rreth fesë, meqë prindërit kurrë nuk e kishin mësuar në këtë drejtim, por ateist nuk e konsideronte veten. Ideja e ekzistimit të Gjithësisë vetvetiu i dukej tepër jo reale.

- Jo, profesor. Nuk jam ateist, por të themi, nuk jam as aq shumë fetar. Besoj në Zot dhe, pak a shumë, ky është tërë religjioziteti im. - Kuptoj...

- E ti, profesor? A je i dhënë pas fesë?

- Jo, aspak. Unë, për dallim nga ti, jam ateist, nuk besoj në Zot fare. As vet nuk e diti përse, por instinktivisht u largua paksa nga profesori, aq sa është e mundur kur dy persona janë ulur përpara në veturë. As vet nuk do të mund ta shpjegonte me saktësi ndjenjën që përjetoi. Mbeti i befasuar nga ajo që, fakti se profesori ishte ateist, e bëri të ndjente një lloj averzioni, apo edhe frike nga ai. Me gjasë kjo nuk i iku syrit të vëmendshëm të profesorit, sepse ai përsëri qeshi lehtazi, sipas mënyrës së vet.

- Është interesant që një çifut të jetë ateist!

- Pse?!

- Sepse tërë qenia juaj, të paktën aq sa kuptoj dhe si e kuptoj unë, është e lidhur me fenë, me shpalljen hyjnore... - Po, është e vërtetë. Por të qenit ateist është çështje personale, jo kolektive. Kishin mbërritur te udhëkryqi ku ndahej rruga për fshatin Merdar, respektivisht për kufirin me Serbinë, me rrugën që çonte për Kërpimeh dhe fshatrat tjera, malore të Llapit. Këtë pjesë të udhës e bënë në heshtje.

KAPITULLI I TREMBËDHJETË

Atë mëngjes, për habi, Fatimja ndihej shumë mirë. Nuk mbante mend kur ishte ndier ashtu për herë të fundit. Për një moment, sikur e kishte harruar edhe mërzinë për të birin, i cili vazhdonte të qëndronte në spital. Në fakt, ajo thuajse çdo ditë e kishte diskutuar me Nurijen shkuarjen në Prishtinë, për ta vizituar Luftimin, por në fund e tërë kjo mesele përfundonte si një muhabet i thatë. Fatimja kishte frikë të dilte nga fshati, meqë hera e fundit që kishte dalë kishte qenë viti 1998, gjatë vlugut të luftës. Nurija dy-tri herë kishte dashur të shkonte vet ta vizitonte vëllain edhe pse edhe ajo kishte një frikë që nuk mund ta fshehte, por Fatimja nuk e kishte lejuar assesi. Nuk kaloi as edhe një orë dhe Fatimja filloi që të ndihej keq. Filloi të ndihej keq për shkak se ndihej mirë! Ishte e bindur që, ajo ndjenjë e qetësisë së brendshme dhe rehatisë që kishte ndier atë mëngjes, do t'i dilte "dardhë me bisht". Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot)

13 orë e 0 minuta më parë
24/05/18