Ngjarje e vërtetë: Si ma ndryshoi jetën një femër e panjohur (1)

  • 31 January 2018 - 15:10
Ngjarje e vërtetë: Si ma ndryshoi jetën një femër e panjohur (1)

Atë të mërkurë nga hoteli u nisa për në shtëpi, duke marrë një rrugë të gjatë disa qindra kilometra. Në bregdet isha dy ditë në njëfarë seminari ekonomik, ku u mërzita deri në pafundësi duke dëgjuar një përzierje të politizimit dhe të projekteve ekonomike pak a shumë konkrete. Të gjitha përpjekjet e mia që ta evitoja këtë detyrë të pakëndshme ishin të kota, meqë shefi im kishte vendosur, e kur ai të vendoste, e vetmja gjë që mbetej ishte që të vepronim sipas dëshirave të tij. Dhe, kështu u gjeta në atë qytet të bukur në bregdet, i rrethuar nga shumë kolegë interesantë të cilët besonin, apo donin të besonin, se si ta s’është kush. Isha i mërzitur që ndodhesha aty, e që nuk kisha kohë për një shëtitje avash-avash nëpër rrugëve të shtruara me gurë, duke vizituar ndërtesat e vjetra, të cilat ishin me bollëk. Dy ditë me radhë, me një padurim gjithnjë e më të madh, prisja kthimin në shtëpi, e tani, kur motori i automobilit punonte pa bërë zhurmë, papritmas u bëra i vetëdijshëm rreth padurimit derisa mendoja se vetëm një vozitje e gjatë më ndante nga ritmi i rëndomtë i jetës sime. Por, nuk kishte rrugëdalje tjetër, pos të nisesha. Derisa arrita të dilja nga qyteti, disponimi mu bë me të vërtetë i errët. E ndeza radion, duke menduar se zërat e njerëzve do të më dispononin, por reklamat dhe dërdëllitjet e pamenda të moderatorëve, të përziera me hitet e muzikës së kohës, të cilët tanimë iu ishin mërzitur të gjithëve, kishin arritur një efekt të kundërt. E fika radion dhe mu në momentin kur mendova se vetëm shoqëria e një qenieje tjetër njerëzore mund të më shpëtonte nga zhytja në melankoli, e cila rrezikonte që të mbretëronte në tërësi me disponimin tim, kalova pranë një personi me gisht të madh të ngritur. Nuk e kisha zakon që të merrja autostoperë gjatë udhëtimit. Gjatë udhë- timeve të mia të shpeshta afariste shihja shumë njerëz që bënin autostop. Nuk kaloja afër tyre pa i marrë për shkak të frikës, por për shkak të asaj ndjenjës së pakëndshme kur gjendesh vetëm me njerëz të panjohur, me të cilët nuk di si ta fillosh bisedën dhe, në të njëjtën kohë, duke u gjetur nën një presion të madh që të bisedosh, të thuash diçka. Kësaj here këmba në frerë më ishte më e shpejtë sesa mendimet, prandaj automobili u ndal ende pa e marrë vendimin që ta merrja personin në veturë. U ktheva prapa disa metra dhe hapa xhamin nga ana e udhëtarit të përparmë, me ç’rast pashë fytyrën me pika të një vajze. Sytë e saj të kthjellët më matën nga koka deri te thembrat, e më pas ajo më pyeti se ku shkoja. Pasi që i tregova, ajo më tha se edhe vetë i duhej të shkonte aty, prandaj më luti që, nëse nuk më pengonte, a mund të vinte me mua. E dija se para vetes kishim një rrugë të gjatë për ta bërë. Por, megjithatë rrezikova. E mora në veturën time. - E çantën? Ku ta vendosi atë? – më befasoi fuqia e tonit të asaj krijese në dukje të brishtë, kur me një dorë me lehtësi e ngriti çantën jo edhe aq të lehtë. Me dorë bëra kah një drejtim jo i caktuar, e ajo e hapi derën e prapme, e hodhi çantën dhe u ul në ulësen pranë meje. - Lidhu! – i thash me zë urdhërues, meqë nuk doja që të toleroja shkeljen e rregullave, gjë që më solli një shikim të papërcaktuar, me domethënie jo të saktë nga sytë e saj me qerpikë të gjatë. Menjëherë më ra në sy bukuria e saj jo e rëndomtë. Kishte një ten tepër të çeltë, e faqet dhe hundën ia zbukuronin piklat me ngjyrë të artë. Dhe, marrë në përgjithësi, tërë përshtypja të cilën e linte ishte sikur të ishte e spërkatur me pluhur të artë, meqë flokët, vetullat dhe qerpikët e kishin atë nuancën shumë të rrallë të ngjyrës së artë në të kuqe. Veshja e saj nuk ishte aq e rregulluar, por një gjë e tillë nuk ia jepte asaj pamjen e çrregullt, por disi sharmante. Sytë i kishte thuajse të nuancës tirkiz, për çka shikimi i saj dukej disi më depërtues sesa zakonisht. (vijon)

(Kosova Sot)