Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (72) - Dashuri - Kosova Sot
Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (72)

Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (72)

I solli Beniamini me veturë, por ai sapo piu një lëng, që ia solli Sabrina, u ngrit dhe shkoi. Me gjasë nuk donte që të ishte i pranishëm gjatë një diskutimi familjar. Edhe pse i kishte treguar Albana dhe e kishte parë disa herë gjatë bisedave në "Skype" të ëmën me shami në kokë, kur e pa atë "live" të tillë u ndie disi çuditshëm. Sikur të mos ishte ajo nëna e tij. E përqafoi me mall, gjë që bëri edhe ajo, bile edhe duke iu përlotur sytë. Edhe fëmijët u gëzuan pa masë. Por, sapo ajo ua dha disa gjësende që ua kishte blerë, ata menjëherë shkuan. Ishte e qartë se askush nuk do ta hapte menjëherë temën e nxehtë edhe pse ajo ndihej në ajër, ishte shumë konkrete, e gjithëpranishme. Filluan me një bisedë të rëndomtë, sa ishte e mundshme në ato rrethana. Pas disa minutave, zonja Emine u ngrit, mori abdest dhe fali namazin, derisa të tjerët e shikonin me bisht të syrit. Jo për diçka tjetër, por sepse nuk ishin mësuar me pamje të tilla. Vetëm Albanës dukej se nuk i bënte përshtypje një gjë e tillë. Me gjasë ishte mësuar tanimë. Pastaj, familja e burrit të saj ishin të gjithë praktikues të fesë. Bile, pasi që e kreu lutjen, ajo i tha të ëmës: "Zoti kabul"! U krijua një heshtje që zgjati disa minuta, kështu që kur i cingëroi telefoni, Kujtimi ndjeu një lehtësim. U ngrit dhe doli jashtë me telefon në dorë, pa shikuar se kush e thërriste. Kur shikoi, pa se ishte Moshe ai që e thërriste, gjë që donte të thoshte se ishte në Kosovë, përndryshe kur nuk ishte në Kosovë, nuk kishte ndodhur ta thërriste në telefon. Komunikonin me e-mail. U habit, meqë as që e dinte se ai kishte ardhur në Kosovë. - Profesor?! - Përshëndetje Kujtim. - Përshëndetje, a paske ardhur... - Kujtim, a je mirë, a po lodhesh? - Mirë, faleminderit! E ti? - Mirë, mirë, jam këtu, në Prishtinë. "Këtë e kuptova edhe vetë", tha kujtimi në vetvete. - Kujtim, a mund të takohemi diku? Sikur t'ia kishte bërë këtë pyetje në një moment tjetër, me siguri do ta refuzonte pa u hamendur fare. Bile-bile kishte shumë të ngjarë që do t'i thoshte se më nuk donte t'ia dinte për ato të Martet e hamamit. Por, meqë donte të ikte nga ajo atmosferë e zymtë që mbretëronte në familje, pranoi menjëherë. - Ku gjendesh, profesor? - Ti e di, unë nuk e njoh aq mirë Prishtinën... - A te hotel "Baci" je, a? - Po... - Aty do të jem për nja 20 minuta! - Mirë Kujtim, të pres pra! - Në rregull. x x x Ajo që dëgjoi nga profesori ishte me të vërtetë mahnitëse. Pasi që kishte lexuar dokumentin e vjetër osman, të cilin ia kishte dhënë edhe Kujtimit, Moshe kishte ardhur në konkludim se e Martja, të cilën e kishte vrarë hoxhë Ademi, ishte varrosur në oborrin e xhamisë që tani quhet Xhamia e Madhe në Prishtinë, e jo në oborrin e Xhamisë së Çarshisë, sikur që kishte menduar Kujtimi. Autor: H. B. I. (vijon) 

(Kosova Sot)

22 orë e 28 minuta më parë
26/09/18