Roman dashurie:Si u dashurova në ty (32)

  • 16 October 2018 - 16:25
Roman dashurie:Si u dashurova në ty (32)

"Të dua, Kyle". Zbrita në drejtim të tij. "Të lutem mos u zemëro me mua. Unë vetëm...". Ai u largua nga unë, duke kruar pjesën e epërme të hundës së tij. "Mendoja se këtë e doje". "Le të futemi brenda, në rregull? Do të bisedojmë brenda për këtë, në rregull". Përsëri iu afrova, por ai u largua. Vetëtima goditi përsëri, kësaj here më afër, aq afër saqë ndjeva aromën e ozonit. Pemët u lakuan, era fryu më fort, aq sa e tundi edhe veturën. E tunda kokën dhe shikova përsëri Kyle-in. "Unë do të hyj brenda, e ti mund të rrish sa të duash, me kokëfortësinë tënde". Dëgjova një shpërthim tjetër shurdhues, por kësaj here nuk ishte vetëtima. Ngjante me një të shtënë të topit. Barku im sikur m'u kthye mbrapshtë, kurse frika ma kaploi tërë trupin. U ngriva me këmbën në shkallën e parë të verandës. Shikova lart dhe pashë vdekjen duke më ardhur. Druri kishte filluar të rrëzohej. Koha u ngadalësua derisa druri i moçëm e i madh binte në drejtimin tim. Dëgjova kulmin duke u rrëzuar nën peshën e drurit, dëgjova tjegullat duke u thyer. Nuk mund të lëvizja. E tëra që mund të shihja ishte trupi i kafenjtë i drurit dhe halat e tij të gjelbra që fluturonin në ajër. Kyle bërtiti diçka, duke m'u drejtuar, por fjalët e tij i mori era, ashtu e kapluar nga tmerri, sikur që isha. Isha ngrirë e tëra. E dija se duhej të lëvizja, por këmbët nuk më reagonin. E tëra që mund të bëja, ishte që ta shikoja drurin duke rënë. Nuk mundesha as të bërtisja. Ndjeva diçka të fuqishme që më goditi nga prapa, gjë që bëri të bija anash. Dëgjova drurin i cili ra, duke u përplasur në tokë. Veshët më tingëlluan, fryma sikur mu ndal, duke më lënë si të ngufatur. Kur isha rrëzuar, kisha zënë dorën përfundi. Më pas dhembja ma përshkoi trupin. Dora më ishte thyer, mendova. U ngrita dhe pashë gjakun duke rënë në shi, duke shkuar teposhtë trupit tim dhe duke rënë në shi. Kur pashë dorën time në një pozitë jo të natyrshme, me një gjë të bardhë jashtë, ishte e qartë, më nuk kishte dilemë, dora më ishte thyer. Më erdhi të villja. Më pas, më ra ndërmend diçka tjetër Kyle. Rashë në gjunjë duke e mbajtur dorën e thyer të ngjitur për barku. Pashë se druri kishte bërë përshesh shtëpinë, bile as vetura e Kyle-s nuk kishte mundur t'i rezistonte peshës së tij. Por, mendtë i kisha tjetërkund. Pashë një këpucë, pa këmbë. Një këpucë të zezë. Ishte këpuca e Kyle-it. Ajo pamje e këpucës së Kyle-it, të lagur nga shiu, do të më mbeste në kujtim përgjithmonë. Kyle gjendej nën dru. Ia pashë tani edhe këmbët. Bërtita sërish, duke mos e dëgjuar veten time. Dëgjova bërtitjen në fyt, duke m'i gërryer telat e zërit. (vijon)

 

(Kosova Sot)