Regjisorët "frikacakë" nuk bëjnë film për sakrificën e Jasharëve

  • 28 February 2018 - 09:28
Regjisorët

FILMBËRËSIT KOSOVARË 'HARROJNË' TË EKRANIZOJNË NGJARJET HISTORIKE PËR KOMBIN 

Meholli: Producentët tanë nuk janë në gjendje të krijojnë një film dedikuar familjes Jashari

Rezistenca e familjes Jashari, në fillim marsin e viti 1998 që tronditi botën, vazhdon të mos prekë kërshërinë e filmbërësve kosovarë. Pavarësisht rëndësisë së ngjarjes, por dhe qendrës që tregoi familja përballë agresorëve serbë, asnjë skenaristë shqiptarë ende nuk mori 'guximin' për të bërë një skenar filmi për këtë ngjarje. Në fakt, kineastët kosovarë vazhdojnë të 'anashkalojnë" ngjarjet e rëndësishme që ka kaluar populli i Kosovës gjatë rezistencës së tij në Luftën e Fundit. Përveçse duke prekur ngjarje në mënyrë sipërfaqësore dhe herë- herë edhe duke arritur efekt të kundërt. Mosekranizimi i këtyre ngjarjeve, e veçmas atyre të 5, 6 ,7 marsit të viti 1998, në familjen Jashari, sipas kineastëve tanë, vjen si pasojë e mungesës së afinitetit dhe përgatitjes profesionale dhe infrastrukturës. 

Asnjë libër mbi bazën e të cilit do të bëhej filmi

"Është temë e jashtëzakonshme që nuk mund të trajtohet nga artistët e zakonshëm. Artistët tanë mund të bëjnë dokumentarë, por film artistik për familjen Jashari nuk besoj se mund ta bëjnë. E kam fjalën të bëjnë film si duhet, e jo për ta "përshkëlli", siç ka ndodhur me filma për Azem Bejtën e heronj të tjerë. Familja Jashari, sakrifica e tyre është diçka e pazakonshme dhe vetëm ndonjë regjisor i kalibrit të Spilbergut apo Scorsese do të mund ta trajtonin si duhet", ka thënë regjisori Ben Apolloni për gazetën "Kosova Sot.

Regjisori Ben Apolloni, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ka shumë arsye se pse Marsi i Jasharëve nuk është bërë film. Ai ka thënë se nuk e beson që edhe për shumë vjet do të bëhet diçka. Pasi, siç ka thënë ai, është temë e jashtëzakonshme që nuk mund të trajtohet nga, siç ka thënë ai, artistët e zakonshëm. Sipas tij, artistët tanë mund të bëjnë dokumentarë, por film artistik për familjen Jashari, nuk beson se mund ta bëjnë kineastëtë tanë. "E kam fjalën të bëjmë film si duhet e jo për ta "përshkëlli", siç ka ndodhur me filma për Azem Bejtën e heronj të tjerë. Familja Jashari, sakrifica e tyre është diçka e pazakonshme dhe vetëm ndonjë regjisor i kalibrit të Spilbergut apo Scorsese që do të mund ta trajtonin si duhet", ka thënë regjisori Apolloni, duke shtuar se sakrifica e familjes Jashari as në letërsi ende nuk është trajtuar si duhet, as ne artet e tjera.

Kurse shkrimtari Fatmir Halimi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka përmendur dy arsye për mosbërjen e një filmi për sakrificën e Jasharëve, e më pas, siç ka thënë ai, vjen kinematografia. "Pra, nuk dua ta fajësoj kinematografinë kosovare për këtë ngecje, sepse është Instituti i Historisë dhe letërsia, këta dy domenë që është dashur të prodhojnë deri më tash me dhjetëra libra për këtë epoke të lavdishme të historisë sonë. Atëherë mbi bazën e tyre do të ishte ndërtuar edhe filmi", ka thënë shkrimtari Halimi.

Duhet dora e shtetit

"Mendoj se këtu duhet të intervenojë edhe dora e shtetit, më saktë institucionet kulturore, të cilat duhet të sigurojnë kushte të favorshme për filmbërësit. Kjo familje gjithsesi e meriton ta ketë një film serioz, i cili do të mund të dilte në arenën ndërkombëtare. Idetë besoj se nuk mungojnë, por mungojnë gjërat e tjera esenciale, që e pamundësojnë krijimin e një filmi të tillë", ka thënë për gazetën 'Kosova Sot", krijuesi Bujar Meholli

Ndërsa krijuesi dhe studiuesi, Bujar Meholli ka thënë për "Kosova Sot", se problemet e shumta që e përcjellin kinematografinë tonë janë evidente, dhe fatkeqësisht s'po tejkalohen. Ai ka thënë se producentët tanë nuk janë në gjendje të krijojnë një film dedikuar familjes Jashari, gjegjësisht komandantit Adem Jasharit dhe të bëmave te tij. "Mendoj se këtu duhet të intervenojë edhe dora e shtetit, më saktë institucionet kulturore, të cilat duhet të sigurojnë kushte të favorshme për filmbërësit. Kjo familje gjithsesi e meriton ta ketë një film serioz, i cili do të mund të dilte në arenën ndërkombëtare. Idetë besoj se nuk mungojnë, por mungojnë gjërat e tjera esenciale, që e pamundësojnë krijimin e një filmi të tillë", ka thënë ai, duke shtuar se për Jasharët, duhet të bëhet shumë, sepse janë simbole të lirisë dhe krijimit të shtetësisë sonë. "Natyrisht, bashkë me shumë aktorë të tjerë, andaj mendoj se një film për ta duhet të bëhet në të ardhmen dhe institucionet duhet ta kenë në planin e tyre dhe t'i qasen seriozisht kësaj çështjeje, e pastaj producentët t'i përvishen punës", ka thënë Meholli. 

Naser Shatrolli, skenarist, regjisor dhe kritik filmi, ka thënë për "Kosova Sot", se çdo njeri po pyet pse, të gjithë thonë ka mundësi, ka ide, ka krijues, por nuk po bëhet! "Nuk besoj se ka për të ndodhur së paku edhe 10 vjetët e ardhshëm", ka thënë ai, duke shtuar se duhet punë dhe profesionalizëm për të arritur qëllimin.

(Kosova Sot)