Si të parashikohen fituesit e Oskarit vetëm duke shikuar reklamat e tyre?

  • 02 March 2018 - 17:43
Si të parashikohen fituesit e Oskarit vetëm duke shikuar reklamat e tyre?

VLERËSIM I SHPEJTË I PRETENDUESVE PËR ÇMIMIN E MADH

Një reklamë e bërë me shumë shije për filmin "The Post" ofron mundësi të mira

Për këtë çmim janë në garë filma të mirë, por vështirë është të përcaktohet se cilët do të jenë fituesit

Tani për tani nuk dihet se kush do të dalë fitues i Oskarit në kategorinë e filmit më të mirë. Në vazhdën e hamendjeve dhe parashikimeve, kësaj here bazohemi vetëm te reklamat e filmave.

"Call Me By Your Name"

Ky film duket sikur është pajtuar se nuk do të fitojë. Reklamat tregojnë se sa shpërblime i ka marrë deri më tani skenari i filmit, prandaj duket sikur reklama thotë se, edhe sa iu përket çmimeve Oskar, ky film pretendon që të fitojë në kategorinë e skenarit më të mirë, e jo në atë të filmit më të mirë. Në fakt, në reklama paraqitet edhe fotoja e skenaristit. Ai ka një pamje kaq të ëmbël, prandaj do të ishte mëkat sikur të humbte.

"Phantom Thread"

Reklama e këtij filmi është klasike. Asnjë fragment nga filmi. Asnjë citat vulgar, i cili do të tregonte se sa i mirë është ky film. Asgjë rreth pensionimit të Daniel DayLewis'it. Thjesht, një vizatim i një fustani dhe një vërejtje e shprehur me fjalë: "'Focus Features' falënderon Akademinë e filmit, të artit dhe shkencave dhe me krenari uron të nominuarit tonë për Oskar". Aha, këtu qenka problemi.

"Dunkirk"

Ky film do të kishte gjasa që të fitonte, sikur Oskarët ta kishin një kategori të regjisorit më seksi. Shikojeni Christopher Nolanin në këtë reklamë, me rroba të lagura, sikur hamshor. Me ato flokë të përkryera dhe me atë mjekër të parruar. Sikur të thoshte: "Ja ku e keni James Bondin e ri".

"The Post"

Një reklamë e bërë me shumë shije. Në të majtë, një paraqitje me mend e ekipit të jashtëzakonshëm të aktorëve të këtij filmi. Në të djathtë, një pamje e Tom Hanksit dhe Meryl Streepit duke u ngjitur shkallëve, që simbolizojnë shanset që do t'i ketë për të fituar diçka kushdo që ka të bëjë ndonjë gjë me këtë film.

"Darkest Hour"

Kjo është një reklamë e tmerrshme. Nëse Oskarët e vitit 2018 paraqesin një moment të rëndësishëm, ku regjisorët me ngjyrë dhe femrat përfundimisht do të zënë vend pranë tavolinës, pasi janë injoruar me dekada të tëra, atëherë paraqitja në reklamë të një plaku të racës së bardhë, me fjalinë "Filmi i cili na duhet tani", duket tepër miop.

"Three Billboards Outside Ebbing, Missouri"

E vërteta e tmerrshme është se, jo secili votues për çmimin Oskar, i ka parë të gjithë filmat. Kjo reklamë duket se e di këtë, duke ofruar një pamje e cila flet shumë. Tani, në vend se të thotë "Oh, ky është ai filmi me pllakate", votuesit mund t'iu bëjnë përshtypje kolegëve të tyre, duke iu thënë: "Oh, ky është filmi ku pllakatet, në një moment të caktuar, digjen".

"Lady Bird"

OK, "Lady Bird", e kuptuam, ke marrë ca kritika të mira. Por, ngadalë pak, nuk është e thënë që t'i botosh të gjitha në reklamë. Shikojeni kritikën e shkruar nga AO Scott. Ajo është e gjatë shtatë fjali. Kush ka kohë që t'i lexojë shtatë fjali të plota, derisa mundet që, në "YouTube" ta shohë një mace duke rënë në tualet? Herën tjetër kujdes si e bëni reklamën.

"Get Out"

Një reklamë e mrekullueshme. Një pamje ikonike, e rrethuar nga citatet të cilat thonë gjëra të tilla, si "Ky është një film mirë i bërë" deri te "Këtë film duhet ta votoni, nëse doni që të dukeni të vetëdijshëm në aspektin social. Ka një krahasim me Hitchcockun. Nëse do të bazoheshim vetëm te reklamat, do të votonim për këtë film.

"The Shape of Water"

Çka dreqin është kjo? Fjalitë në këtë reklamë duket sikur të ishin marrë nga "Instagrami". Aty thuhet "EMBRACE LIFE" (përqafojeni jetën) afër një dhome modeste të ditës, "EMBRACE STRENGTH" (përqafojeni fuqinë) thuhet afër miqësisë iracionale, "EMBRACE EACH OTHER" (përqafohuni) thuhet afër një gruaje e cila vallëzon me një përbindësh në kajde të peshkut, të cilin planifikon që ta hajë. Me gjasë ky do të jetë filmi fitues. 

(Kosova Sot)