Eposi i Kreshnikëve, në mëshirën e institucioneve shtetërore

  • 21 May 2018 - 08:32
Eposi i Kreshnikëve, në mëshirën e institucioneve shtetërore

KUJDESI NDAJ TRASHËGIMISË KULTURORE 

Eposi legjendar shqiptar përbën trashëgiminë më të rëndë- sishme kulturore dhe historike të popullit dhe vendit. Përveçse me të shihet vjetërsia e traditës sonë gojore, ato bartin jo pak ngjarje dhe etapa historike. Dosja e mbledhur dhe e kompletuar ndodhet nën mbrojtje të shtetit, përpiluar dhe bërë gati nga prof. dr. Zymer Neziri, Por, shteti vazhdon të bëjë shumë pak për promovimin, përkthimin dhe njohjen e kësaj trashëgiminë botë. Përpos kësaj edhe shkencëtarë dhe vetë hartuesi i Dosjes nuk janë ndarë mirë me shtetin, pasi ky i fundit vazhdimisht është treguar neglizhent dhe duke dëmtuar në masë jo vetëm punën, financat, por edhe reputacionin tyre. Këto pohime i mbështesin pjesa dërmues e studiuesve dhe shkencëtarëve tanë të fushës. 

Këngët kreshnike janë përmendore e kulturës

Etnomuzikologu Dilave Kryeziu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se shteti nuk e ka treguar veten kur është në pyetje puna që është dashur të bëhet për trashëgiminë legjendare dhe këngët kreshnike. Bile, edhe studiuesit e kësaj pasurie nuk janë respektuar kurrë nga institucionet. "Shteti jo që s ka bërë asgjë po as që kanë njohuri për këngët kreshnike. Prof. Zymer Neziri është studiuesi më i mirë i këtyre këngëve, i cili gëzon shumë pak përkrahje nga institucionet", ka thënë ai. Bujar Meholli, krijuesi dhe njohës i zhvillimeve kulturore, ka thënë për "Kosova Sot", se këngët kreshnike, radhiten ndër shtyllat artistike të kulturës sonë. Prandaj, shton ai, këto këngë janë përmendore e kulturës dhe gjuhës sonë shqipe! Në këto këngë kemi të bëjmë me temën e rezistencës, që lidhet me ruajtjen e trojeve, bjeshkëve e shtëpive, nderit e dinjitetit, pastaj edhe tema të tjera, siç janë; toleranca fetare, marrëdhëniet midis vëllezërve, familja dhe ruajtja e saj, etj. Sipas tij, ky epos shqiptar që nisi rrugën duke u vënë kundër dyndjeve sllave, duhet te vazhdojë të jetoje dhe ta ketë vendin e veçante në kulturën tonë. " Dhe, për këtë duhet të bëhet punë më e madhe nga ana e shtetit, gjegjësisht institucioneve, të cilat duhet ta ruajnë këtë trashëgimi. Deri më sot, shteti ka bërë shumë pak për promovimin e këtyre këngëve në arenën ndërkombëtare, dhe mendoj se kjo është një çështje për të cilën do të duhej të punohej vazhdimisht. Do te ishte fantastike sikur këto krijime gjeniale të popullit tonë të depërtonin në audiencën e huaj, dhe për ta arritur këtë do të duhej të gjendej ndonjë përkthyes i arrirë, i cili do t'ia paraqiste botës vlerat tona të mëdha, përmes këtyre këngëve, si fjala vjen; "Martesa e Mujit", "Ajkuna qan Omerin", apo "Martesa e Halilit" që e përbejnë eposin tonë interesant dhe mjaft të pasur", ka thënë Bujar Meholli. Kurse krijuesi Zeqir Fazliu shton se këngët kreshnike e pasurojnë shumë letërsinë shqipe,sidomos atë gojore. "Këngët për Mujin,Halilin, e sidomos  për Tanushën janë këngët më të bukura që i ka kënduar populli ynë nëpër shekuj", tha ai.

Mbështetje festivaleve të rapsodëve

Ndërkaq Skënder Thaçi, koreograf dhe drejtues i Ansamblit 'minatori i ri", ka thënë për 'Kosova Sot', se shteti karshi kësaj pasurie kombëtare nuk mund te themi se ka bërë diçka pasi, sipas tij, kemi shumë rapsodë që kanë dhënë kontribut të veçantë në këtë drejtim. "Krejt çka mund të krenohet shteti është ajo që nganjëherë mbështet festivalet e rapsodisë shqiptare. Mendoj se kënga kreshnike duhet të jetë pse jo pjesë e UNESKO-s dhe të ruhen në mënyrë profesionale!", ka pohuar ai. Edhe Dan Ibrahimi, krijues dhe studiues, ka thënë për "Kosova Sot", se shteti nuk ka bërë asgjë. Në fakt, shtona ia, institucionet shtetërore nuk kanë bërë asgjë jo vetëm për afirmimin në botë të eposit, por në përgjithësi të kulturës sonë. "Pushtetarët tanë janë më të akulturuarit në botë në vazhdimësi që 20 vjet dhe prej tyre nuk pritet hap i mbarë në raport me kulturën kombëtar. Unë jam i zhgënjyer sa u përket investimeve në kulturë në përgjithësi", ka pohuar ai. E, Avni Rudaku, studiues dhe njohës i zhvillimeve socio- kulturore, ka thënë për "Kosova Sot", se këngët kreshnike janë thesare lokale e universale. Ato, shtona Rudaku, do të mund të bëheshin pjesë e trashëgimisë botërore e shpirtërore, në rastin më të mirë, pjesë e UNESKO-s. "Kosova vazhdon të përkthejë libra në gjuhë angleze, të cilat nuk janë për nga relevanca me këngët kreshnike. Do të ishte e dobishme edhe të digjitalizohen dhe përkthehen në gjuhët e mëdha botërore, si: anglishtja, spanjishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, kinezishtja, pse jo edhe në gjuhët sllave fqinje, me komente profesionale e shkencore", ka thënë ai, duke shtuar se ambasadat jashtë vendit, fatkeqësisht, nuk po bëjnë shumë në promovimin e trashëgimisë kulturore, materiale e shpirtërore.

 

(Kosova Sot)