Tahiri reagon për avionët e drogës: Policia punon, PD-ja gënjen

  • 24 May 2016 - 14:58
Tahiri reagon për avionët e drogës: Policia punon, PD-ja gënjen

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, inauguroi sot komisariatin e rikonstruktuar dhe Zyrën e Shërbimeve në Lushnjë. Tahiri tha se ky investim do të shtojë kapacitetet e policisë së Lushnjës për t’u shërbyer më mirë qytetarëve.

“Pas 25 viteve amortizim dhe pas 25 viteve mungesë vëmendjeje totale nga shteti, sot inaugurojmë rikonstruksionin e plotë të Komisariatit të Lushnjës së bashku me Zyrën e Shërbimit të Qytetarëve. Sepse ne besojmë se mënyra më e mirë për të fituar besimin e qytetarëve është duke iu shërbyer më mirë, duke ndërtuar lidhje të forta ndërmjet Policisë dhe komunitetit”, tha ai.

Tahiri tha se investimi në fjalë është bërë falë bashkëpunimit të policisë me bashkinë dhe sipërmarrësit.

“Rasti i Lushnjës është pa asnjë dyshim ndër rastet shembullore se si mund të bashkëpunojmë për ta bërë qytetin tonë më të sigurt dhe për të ndërtuar një pronë të përbashkët ndërmjet Policisë dhe shoqërisë në rregullin e përgjithshëm që duhet të ketë në qytetin e Lushnjës. Ashtu siç kemi plot raste të tjera në qytetet të tjera të Shqipërisë ku bashkëpunimi ndërmjet qeverisë, pushtetit vendor dhe sipërmarrësve ka rezultuar i frytshëm për ta sjellë policinë më afër komunitetit dhe për t’i bërë punonjësit e Policisë t’u shërbejnë më mirë qytetarëve”, tha ai.

Tahiri iu përgjigj edhe akuzave të opozitës lidhur me të ashtuquajturit “avionë të drogës”.

“Unë i dëgjova akuzat dhe është radha e shumë kur mundësia për të folur në publik shërben si një mekanizëm për të gënjyer publikun. Sqarimi përkatës u bë dhe institucionet shtetërore e bënë shumë të qartë të vërtetën institucionale dhe të vërtetën e vetme, lidhur me të ashtuquajturën fluturim avionësh apo ulje avionësh droge. Por ju të vërtetën e shikoni mjaft qartë. Ne punojmë, ata gënjejnë. Ne mundohemi t’i shërbejmë sa më mirë qytetarëve ata hedhin baltë mbi Policinë e Shtetit. Policia korr rezultate, të cilat konfirmojnë se jemi në rrugën e duhur, ata hedhin akoma më shumë akuza ndaj Policisë së Shtetit. Ne mundohemi të bëjmë gjithçka është e mundur që qytetarët bashkë me policinë të garantojnë një shoqëri më të sigurt dhe më të drejtë, ata sulmojnë vazhdimisht policinë. Është kjo arsyeja pse pas çdo rezultati të Policisë të Shtetit ka një akuzë nga SHQUP-i. Kjo ne nuk na dekurajon, kjo vetëm na jep mundësinë për të konfirmuar që jemi në rrugën e duhur nga njëra anë dhe nga ana tjetër, besoj unë, i qartëson qytetarët se në cilën derexhe ishim deri në 2013, cila është rruga që po ndjekin nga 2013 e këtej, cilat janë arritjet tona, të cilat pavarësisht se nuk janë të mjaftueshme edhe për ne, janë nxitëse për rrugën që kemi nisur dhe drejtimin që kemi marrë.

(Kosova Sot)