Grabisnin me armë banesat, arrestohen tre persona në Laç

  • 24 May 2016 - 21:19
Grabisnin me armë banesat, arrestohen tre persona në Laç

Tre shtetas janë arrestuar ditën e sotme nga Policia e Kurbinit. Ata akuzohen se nën kërcënimin e armës, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë vjedhur disa pajisje me vlerë në banesën e një shtetasi në qytetin e Laçit.

“Në mëngjesin e ditës së sotme, rreth orës 2.30, Komisariati i Policisë Kurbin ka marrë njoftim se në vendin e quajtur Fushë Milot është vjedhur nën kërcënimin e armës, banesa e shtetases F.B. Autorët kanë hyrë në banesë nga një dritare pasi e kanë thyer atë me mjete rrethanore. Shtetasja F.N., është gjendur përballë me autorët, ndërsa njëri prej të cilëve mbante në dorë një armë automatike. Nga verifikimet rezulton se autorët, kanë vjedhur një televizor plazma 32 polsh si dhe dy ‘smartphone’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë kontrollit të banesës u gjet dhe u sekuestrua arma e zjarrit e kalibrit 9 mm që autorët kanë përdorur në kryerjen e veprës penale si dhe një krehër me 10 copë fishekë të kalibrit 9mm.

Në banesën e shtetasve në fjalë është arrestuar gjithashtu edhe shtetasja Brunilda Brozi (Daçi) e shpallur në kërkim më datë 16.05.2016, për vjedhjen e banesës së bashkëshortit të saj B.B. Ajo akuzohet për vjedhjen e disa bizhuterive si dhe të një shumë të konsiderueshme parash.

(Kosova Sot)