Analiza e pjesëve të trupave sugjeron shpërthimin në bord

  • 25 May 2016 - 20:20
Analiza e pjesëve të trupave sugjeron shpërthimin në bord

Zyrtari është pjesë e njësisë hetuese që ka ekzaminuar personalisht pjesët e dërguara në një morg të Kajros. Ai tha se të gjitha 80 pjesët e sjella në kryeqytet deri tani ishin të vogla dhe se "madje nuk ka as edhe një pjesë të tërë të trupit, si një dorë ose kokë". Zyrtari, i cili ka dëshiruar që të mbetet anonim, ka thënë se sqarim logjik është se bëhet fjalë për një shpërthim që mund ta ketë rrëzuar aeroplanin në Detin Mesdhe. Vlerësimi i tij është mbështetur nga drejtuesi i Autoritetit Egjiptian të Mjekësisë Ligjore,transmeton gazeta Kosova Sot.

Nuk ekziston asnjë trup komplet

Dr. Hesham Abdel-Hamid ka thënë për 'DailyMail' se pjesët e trupit të marra në Mesdhe kishin plagë në përputhje me ato nga një shpërthim. "Analiza e pjesëve të trupave të viktimave të fluturimit MS804 sugjeron se në aeroplan ka ndodhur një shpërthim. Pjesët janë ndarë nga trupat për shkak të një bombe. Megjithatë, ne ende nuk e kemi gjetur ndonjë fragment të bombës", ka thënë ai. Më shumë se 20 thasë të kufomave që përmbajnë pjesë të tyre janë dërguar në morgun Zenhom si pjesë e një hetimi. Familjarët e 66 pasagjerëve dhe ekuipazhit u kanë dhënë mostra të ADN-së shërbimeve mjekoligjore për ta ndihmuar identifikimin. Nuk ekziston asnjë trup komplet. Ekzistojnë vetëm pjesë të trupave. Ato janë të paidentifikueshme. Por, është me rëndësi për familjet që të jenë në gjendje që t'i varrosin të afërmit e tyre dhe të jenë në gjendje që t'i vizitojnë varret e tyre për ta ndihmuar procesin e zisë", ka thënë një burim nga mjekësia ligjore. 

Aeroplani nuk ka ndryshuar drejtim apo humbur lartësi

Dr. Abdel Hamid ka thënë se prokurori i përgjithshëm i Egjiptit ka kërkuar nga autoritetet greke dhe franceze të gjitha informatat që kanë të bëjnë me aeroplanin dhe shtegun e tij të fluturimit. "Prokurori i përgjithshëm, Nabil Sadk ka kërkuar nga Athina dhe Parisi që t'i lëshojnë të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me fluturimin MS804 të 'Egypt Air' dhe të shtegut të fluturimit të aeroplanit. Prokurori i përgjithshëm gjithashtu ka kërkuar nga autoritetet greke dhe franceze edhe të gjitha incizimet e komunikimeve mes aeroplanit dhe kontrolleve greke të trafikut ajror që nga koha e hyrjes në hapësirën ajrore të Greqisë", ka thënë ai. Më herët, drejtuesi i kompanisë shtetërore që ofron shërbime të navigacionit ajror ka thënë se aeroplani nuk ka ndryshuar drejtim apo humbur lartësi para se të zhdukej nga radari. 

(Kosova Sot)