Drejtësia kosovare, një xhungël e frikshme

  • 26 May 2016 - 07:49
Drejtësia kosovare, një xhungël e frikshme

Të dobëtit e pësojnë, të fortët përmbi ligjin.

Ekspertët e sundimit të ligjit theksojnë se për sa kohë organet e shtetit janë në duart e politikanëve të inkriminuar, atëherë edhe drejtësia nuk do të jetë në nivelin e duhur, prandaj duhet ndryshuar klasa politike për t'i hapur rrugën pavarësimit dhe profesionalizimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

Drejtësia selektive dhe ndërhyrjet e ndryshme politike janë vetëm disa nga problemet tashmë të identifikuara, të cilat e kanë përcjellë dhe vazhdojnë ta përcjellin drejtësinë kosovare. Kësisoj kjo gjendje e rëndë dhe e mjerueshme që po mbretëron në drejtësi doemos ngrit edhe pyetjen se a po bëhet Kosova një xhungël e drejtësisë dhe se për një gjendje të tillë a mund të jetë njëri nga shkaktarët ekzistimi i një konsensusi politik në mënyrë që të dobëtit të ndëshkohen, derisa në anën tjetër të fortët të rrinë mbi ligjin dhe të shpë- tojnë gjithnjë nga ndëshkimi. Analisti Fadil Lepaja ka thënë se nëse i referohet asaj që të krahasohet drejtësia kosovare me xhunglën, atëherë Lepaja thotë se siç duket në krye të ministrisë do të vijë luani."Kjo nuk d.m.th. se në xhungël nuk ka rend, porse i forti do të vazhdojë të hajë të dobëtin me një disiplinë më të madhe", ka vlerësuar Lepaja për gazetën "Kosova Sot". Analisti politik dhe juridik, Mazllum Baraliu, tha për gazetën "Kosova Sot" se tashmë është evident fakti se jo gjithherë sistemi ynë i drejtësisë i orienton drejt përgjegjësisë, qoftë asaj etike, penale, shoqërore, financiare etj., ata përfaqë- sues të strukturave përkatëse të atyre që kanë përgjegjësinë më të madhe shoqërore, por edhe atë institucionale dhe që, sipas tij, këtu mund të bëjnë gabime dhe shkelje të caktuara.

Sistemi në kolaps

"Kjo është evidente dhe është një fenomen pothuajse që në emër të kinse zbatimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës të procedohen madje ndonjëherë edhe në mënyrë spektakulare pa asnjë arsye, ose me pak arsye apo dyshime, ata të cilët janë më pak të involvuar në përgjegjësi penale apo krime etj. Prandaj është evidente ajo që ka drejtësi selektive dhe se mund të ketë përgjithësisht përpjeke që nga ata të cilët janë të fuqishëm dhe që kanë fuqi, si ekonomike ashtu edhe politike, të shtyhet, të mënjanohen apo edhe të lihet anash përgjegjësia e tyre dhe të mos procedohen, ndaj të cilëve në fund rezulton qoftë nga EULEX-i apo drejtësia jonë se nuk kanë ndonjë përgjegjësi penale, duke u liruar nga ajo dhe si rrjedhojë procedohen thjesht në një mënyrë apo tjetrën me vite të tëra", është shprehur Baraliu. Profesori i së drejtës, Riza Smaka, me këtë drejtim ka gjykuar se sistemi juridik i vendit ka dështuar në përgjithësi dhe se ai gjendet në kolaps. Kjo ngase Smaka thotë se ky sistem është i korruptuar, ashtu sikurse edhe institucionet e tjera. Më tej, Smaka ka nënvizuar se veç kësaj problemi qëndron edhe te mungesa e profesionalizmit, pasi në këtë aspekt, sipas tij, nuk aplikohen studimet e specializuara."Po e zëmë jurist për gjithçka në atë kuptim, pasi këtu edhe fakultetet juridike nuk janë reformuar për të krijuar profile të specializuara, si për çështjet juridike penale, pastaj juridike civile, juridike administrative, apo edhe juridike ekonomike, që kësisoj do të kishte pasur hapësirë dhe mundësi që të punohej shumë më tepër dhe më mirë", u shpreh ai.

Për krime të rënda falen, për të vogla ndëshkohen ashpër

Smaka ka shtuar se e metë tjetër e këtij sistemi është edhe mossigurimi i të drejtave themelore tek palët, kjo ngase, sipas tij, për krime të rënda nuk veprohet, ndërsa për verdikte të vogla apo kundërvajtje dënohen njerëzit. Në këtë drejtim Smaka thotë se këtu do të duhej dhënë prioritet krimeve të rënda."Si mund të ketë prova kur ato nuk administrohen dhe të njëjtat zhduken në gjykata dhe këtu mendoj gjithnjë si për gjykatat ashtu edhe prokuroritë, pasi prokuroria pa vepruar dhe pa ngritur aktakuzat e saj gjykatat në anën tjetër nuk mund të gjykojnë. Për më shumë ka pasur edhe raste kur për dënime kapitale janë dënuar në mënyrë përkëdhelëse personat e caktuar dhe më në fund prokurori e ka tërhequr aktakuzën gjoja se nuk paska pasur prova. Kështu që gjendja është e mjerueshme, madje gjykatat dhe prokuroritë, të cilat i kemi sot, pothuajse nuk i arsyetojnë madje as pagat të cilat i marrin dhe njëfarë mase mund të thuhet se ndoshta më mirë do të ishte pa to", theksoi ai. Smaka tutje ka nënvizuar se të gjithë i janë gëzuar formimit të gjykatave dhe prokurorive tona, porse ai gëzim, sipas tij, ka kaluar në zhgënjim dhe dëshpërim të rëndë dhe si katalizator i kësaj gjendje është pikërisht Qeveria.

Gjykata Speciale do të sjellë furtunë

Avokati Tomë Gashi ka thënë se derisa nuk ka ndryshime politike nuk do të ketë as ndryshime në sistemin juridik të Kosovës dhe se gjykatat, prokuroritë, ashtu edhe policia, do të mbesin ato që janë. Ndërsa, sipas tij, nëse do të ndodhnin ndryshimet politike doemos do të kishte edhe ndryshime në drejtësi për sa i përket aspektit pozitiv, mirëpo në këtë drejtim ai ka thënë se të gjitha këto matematika rreth ndryshimeve politike do t'i shpejtojë Gjykata Speciale, e cila pritet që të funksionalizohet për disa muaj, ngase tani, siç dihet, veç është hapur edhe konkursi nga ana e BE-së, ku janë me qindra vende të punës të hapura për të konkurruar, duke filluar prej gjyqtarëve, prokurorëve, por edhe zyrtarëve të tjerë."Në momentin që do të fillojnë arrestimet e para, nëse Gjykata Speciale punon ashtu siç ka premtuar dhe po ashtu nëse Prokuroria do të ngre akuza, ashtu siç ka premtuar, atëherë detyrimisht do të ketë edhe ndryshime politike në Kosovë dhe me ato ndryshime aq fundamentale do të ketë ndryshime edhe në sistemin juridik të vendit". Tutje, Gashi ka thënë se pajtohet me atë që ka ndodhur deri më tani, ku të fortët janë lënë rehat, ndërsa të dobëtit janë ndëshkuar, mirëpo, sipas tij, gjërat do të ndryshojnë pasi tani i kemi edhe disa prej të ashtuquajturve të fortë, të cilët veçse janë në procedura penale, teksa disa prej tyre janë edhe të arrestuar dhe në paraburgime.

(Kosova Sot)