Kelmendi: Bizneset e “Devollëve ” të dyshimta

  • 27 May 2016 - 17:11
Kelmendi:  Bizneset e “Devollëve ” të  dyshimta

Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Muhamet Kelmendi në një prononcim për Gazetën Kosova Sot ka thënë se  Çështja e 'Devollit' është një rast i veçantë dhe shumë kuptimplotë në skenën politike dhe ekonomike të vendit, sepse këtu kemi një lidhje të drejtpërdrejtë midis politikës dhe ekonomisë mbi bazën e një veprimtarie të rrezikshme për tërë ekonominë e vendit dhe shtetin. "Duke u bazuar në faktet e bëra publike, mbi veprimtarinë e ndaluar dhe shumë të rrezikshme të 'Devollit', nuk mundet askush të nxjerr të dhëna tjera, veç fakteve të pakontestueshme, për mbrojtjen e kësaj kompanie nga politika.

 'Devolli' jo vetëm me miellin e kontaminuar, që është vepër penale me paramendim, e ku dënimet shkojnë, jo vetëm me ndalimin e ushtrimit të profesionit, por edhe me dënime me burg, me decenie, sepse është vepër penale e rrezikshmërisë së lartë shoqërore, ai edhe në fushat të tjera ka bërë vepra të rënda", tha profesor Kelmendi për 'Kosova Sot'.

Në këtë rrafsh ai ka rikujtuar lidhjet me dogana, rastet me telekomunikacionin, me ndërtimin e objekteve dhe me firmat e tjera të ndryshme, të cilat sipas tij këtë subjekt biznesor e kanë sjell në konflikte me ligjin, e ligji nuk vepron ndaj bosëve të këtij biznesi."Po, si për ato, ashtu edhe tash me miellin e mykur vetëm një dënim e meriton. Nuk them se unë e caktoj masën e dënimit. Unë nuk jam gjyqtar dhe as që punoj në gjykatat e Kosovës. Por, shikuar nga diskutimet dhe komentet në popull, shihet se ky subjekt mund të shpëtojë dhe ka shpëtuar vetëm me lidhjet e forta që i ka me politikën, e rrjedhimisht edhe me sistemin e drejtësisë në Kosovë", tha Muhamet Kelmendi, profesor i së drejtës. Kapitali i krijuar me biznes të dyshimtë Kelmendi kujton se duke marrë shkak nga ky subjekt ekonomik dhe disa të tjerë të ngjashëm, del edhe dyshimi i bazuar për lidhjet e tyre të para dhe pas luftës me pushtetin serb dhe ato me pushtetin vendor, e që kanë ndihmuar atë të krijojë një kapital aq të fuqishëm."Është fakt se kanë krijuar kapital, po kapitali i tyre ka ardhur dhe po vjen nga veprimtaritë e dyshimta. Nuk mundet askush të bindë ndokënd se lidhjet e ashpra me shtetin serb, të cilat janë krijuar para luftës, kur kanë qenë në shërbim të krimit serb në Kosovë, që nuk kanë vazhduar edhe pas luftës dhe sot. Shikoni çdo veprimtari, përkatësisht çdo subjekt të madh në Kosovë. Lidhjet shkojnë në Serbi. Ose janë me përqindje, ose janë tërë- sisht në pronësi të kriminelëve serbë, ose në bashkëpunim. Mendoj se shteti duhet t'i kontrollojë këto, por se nuk po ka kush", tha Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, aktualisht edhe shteti i Kosovës është i kapur ashpër. "Nuk funksionojnë Gjykata dhe Prokuroria dhe as organet e ndjekjes", theksoi ai.

(Kosova Sot)