Kalaja që i rri mbi kokë Llapushnikut

  • 29 May 2016 - 16:04
Kalaja që i rri mbi kokë Llapushnikut

Shteti e shpall objekt të mbrojtur, por nuk kujdeset sa duhet për të

Banorët ankohen për rrugën e mbetur në gjysmë

Azem Gashi habitet pse institucionet nuk e kanë asfaltuar rrugën deri te kalaja. Sipas tij, kjo mund të jetë edhe pengesë për turistët, të cilët janë kureshtarë të dinë më shumë për këtë kala

F hati Llapushnik i Drenasit ka një natyrë jashtëzakonisht të bukur. Përveç natyrës, fshati ruan edhe shumë histori, që tregohen nga më të vjetrit e fshatit. Ky është fshati ku u bë më shumë rezistencë në luftën e fundit kundër okupatorit serb. Në fshat ndodhet edhe një kala, që flet edhe për moshën e fshatit. Për më shumë rruga për në këtë kala, e asfaltuar paslufte, që përshkon fushat dhe pyjet, të krijon një emocion të veçantë. Në maje të një kodre shtriheshin shtëpitë e fshatrave, banorët e të cilëve jetojnë kryesisht nga bujqësia dhe blegtoria. Kur arrin në maje mund të shohësh pjesë të ndryshme të Kosovës, prej bjeshkëve të Rugovës, rrafshin e Dukagjinit, e pjesë të trevave të tjera. Por, ajo që e prish rrugëtimin e vizitorëve është rruga, e cila kishte mbetur përgjysmë me asfalt dhe banorët thonë se udhëtimi deri në kala në mot të lig është i vështirë dhe i mundimshëm, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Image

 

Nuk ka qasje për turistët eventualë

Llapushniku, përveçqë njihet për kalanë e bukur, ka edhe pasuri të tjera natyrore dhe arkeologjike. I moshuari Azem Gashi thotë se Llapushniku njihet edhe për pasuri nëntokësore. "Ky vend jo që njihet për rezistencë të banoreve këtu kundër pushtueseve serbë, por njihet edhe për plot pasuri nëntokësore e arkeologjikë", na thotë Gashi. Sipas tij, për kalanë ka dëgjuar histori të ndryshme nga të parët, ndërsa thotë se e ka vizituar edhe vetë. "E kam vizituar qysh në rini dhe kemi mësuar edhe nga të paret tanë për një vendbanim të asaj kohe", thotë Gashi, duke shtuar se kalaja ka qenë e ndërtuar me tulla dhe tjegulla. Si një objekt i ndërtuar në një pikë të lartë mbidetare, kalaja ju ka mundësuar të kenë një pamje të mirë të territorit përreth dhe kjo ka shërbyer përgjatë luftërave ndër shekuj, duke përfshirë edhe luftën e fundit. Sipas banorëve të fshatit Llapushnik, rruga për në kala ka qenë e kalueshme, edhe pse nuk ka qenë e asfaltuar, por tani gjendja është me keqe. "Nga të reshurat e shumta të cilat kemi pasur ndër vite, por edhe gjatë këtij viti, ajo në kohë më të vështira është gati e pakalueshme", thonë banorët. Azem Gashi habitet pse institucionet nuk e kanë asfaltuar rrugën deri tek kalaja. Sipas tij, kjo mund të jetë edhe pengesë për turistët të cilët janë kureshtarë të dinë më shumë për këtë kala. Ndryshe, kalaja është në mbrojtje të shtetit, por që sikurse shumë të tjera nuk është bërë sa duhet për to.

Image

 

Banorët, të lidhur me historinë

Nga të dhënat që disponon Ministria e Kulturës, mësohet se kalaja e Llapushnikut shtrihet rrëzë majave të maleve të Drenicës, në jug të Grykës së Llapushnikut, rreth 10 km në jugperëndim të qendrës komunale të Drenasit. Kalaja e Llapushnikut kishte një mur kështjellar me dimensione rreth 200 me 300 m. Muri ka pasur trashësi mbi 2 metra dhe kishte kulla. "Kulla e Kalasë" ka dimensione 10 x 10 m. Në tërë lokalitetin janë të pranishme tullat dhe tjegullat të periudhës së vonë antike. Banorët në këtë fshat kanë dëshirë që të asfaltohet rruga deri tek kalaja, ndërsa gjithashtu dëshirojnë që institucionet gjegjëse të angazhohen më shumë në mënyrë që e kaluara që është trashëguar prej shekujsh të ruhet dhe të konservohet. Ata thonë se kalaja dhe objektet e tjera të trashëgimisë flasin për historinë e të parëve të tyre që nuk u nënshtruan ndaj asnjë pushtuesi. Sipas tyre, kjo trashëgimi është dëshmia më e mirë që mund t'u lihet brezave që vijnë.  

(Kosova Sot)