VV-ja “mirëpret” Mehën në Komision

  • 31 May 2016 - 10:39
VV-ja “mirëpret” Mehën në Komision

Kryetari i Komisionit të Demarkacionit raporton të premten në Kuvend

AAK-ja dhe Nisma bojkotojnë raportimin

Prezenca e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ pritet ta “djersitë” Murat Mehën, që do të raportojë të premten para Komisionit parlamentar për integrime evropiane për procesin e kontestuar të demarkacionit me Malin e Zi. Mbledhja ishte paraparë të mbahej sot, por është shtyrë për të premten pa ndonjë shpjegim

Hapi i parë përgatitor i Kuvendit të Kosovës para nxjerrjes për diskutim dhe ratifikim të marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është seanca dëgjimore para Komisionit parlamentar për integrime, që mbahet sot me kryesuesin e Komisionit për Demarkacion të kufirit, Murat Mehën. Mirëpo, edhe ky raportim i Mehës nuk do të dëgjohet nga të gjitha subjektet politike të  opozitës kosovare. Pjesëmarrjen në këtë raportim nga dita e parë e ka konfirmuar vetëm Lëvizja ‘Vetëvendosje’, derisa deputetët e bllokut tjetër të bashkuar opozitar, AAK-Nisma, nuk do të jenë pjesëmarrës në këtë komision, por do ta bojkotojnë atë sikur që e kanë bojkotuar edhe punën e komisioneve të tjera deri më tani, së bashku me seancat plenare.“Ne nuk do të marrim pjesë si opozitë e bashkuar në këtë takim, sepse ne faktikisht kemi konstatuar që ky komision ka bërë shkelje të rënda dhe i vetmi veprim që duhet të merret është se ai duhet të shkarkohet, prandaj nuk e kemi ndërmend që të shkojmë dhe të dëgjojmë fjalët boshe dhe të kota të z. Meha. Ai komision i ka bërë punët keq dhe fare nuk kemi se çka të merremi me të. Ai nuk mund të na bind neve se ka punuar mirë, ai e ka hëngër për koke një të fortë nga Ramush Haradinaj, bile pak ka qenë ajo dhe nuk ka se për çfarë të na bindë tani, ne e dimë që ai dëshiron t’ia dhurojë hiç më pak se 8 mijë hektarë tokë Malit të Zi dhe ne për këtë si opozitë nuk pajtohemi” , tha Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Marrëveshja ia humb Kosovës mijëra hektarë

Sidoqoftë, në këtë takim do të ketë deputetë nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’. “Nesër do të flitet për Demarkacionin me Malin e Zi, marrëveshje kjo e nënshkruar nga Thaçi, përmes së cilës Kosova humb mijëra hektarë tokë. Ne e kemi kundërshtuar dhe do ta kundërshtojmë vazhdimisht një marrëveshje të tillë. Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë zbatimin e saj. Kemi thënë që do të kthehemi në Kuvend sa herë që trajtohen çështje të rëndësishme, e sidomos atëherë kur kjo qeveri kriminale ngrit tema të rrezikshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Prandaj, në mbledhjen e Komisionit për Integrime do të ketë përfaqësues edhe të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’”, tha të hënën për “Kosova Sot” Zgjim Hyseni nga ky subjekt politik opozitar. Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Islam Krasniqi, thotë se qëndrimi i palëkundur i opozitës sa i takon këtij kundërshtimi është i drejtë, por duhet gjetur rrugën e përbashkët të kundërshtimit dhe pamundësimit të realizimit të kësaj marrëveshje.“Opozita që nga fillimi ka krijuar një kauzë kundër kësaj marrëveshje, duke kërkuar edhe shkarkimin e këtij komisioni me në krye z. Murat Meha, mirëpo Qeveria i ka injoruar, duke besuar në numrin që e ka, gjë që Kosovën e pati futur në një krizë të thellë politike. Koalicioni nuk mund të lidhë ura komunikimi me opozitën pa i anuluar dy marrëveshjet, sepse opozita ndryshe nuk ulet me ta për të biseduar. Tani ftesën për  raportimin në Kuvend komisionit për integrime të z. Murat Meha kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, lidhur me Demarkacionin e  kufirit me Malin e Zi e shohim si një thirrje për t’i qitur hi syve popullit dhe opozitës, për t’u munduar që t’i mashtrojë disi, që të binden për kompromisin e dhimbshëm në favor të liberalizimit, gjë që është në kundërshtim me çdo rregull morale dhe shtetërore”, theksoi ai.

Demarkacioni të ndahet nga liberalizimi i vizave

Analisti Faik Krasniqi konsideron se koalicioni qeverisës është duke e dëmtuar seriozisht interesin nacional, duke injoruar rolin e opozitës dhe duke mos ndërmarrë asnjë veprim për të gjetur një pikë të përbashkët kalimtare për tejkalimin e krizës.“Qeveria prej fillimit është sjellë në mënyrë arrogante me opozitën. Madje duke i rrahur dhe burgosur deputetët dhe aktivistët e saj. Kjo për shkak të numrave të madh të këtij koalicioni, duke menduar që votat e opozitës kurrë nuk do t'u duhen. Për Demarkacionin me Malin e Zi është dashur të ketë debat, duke përfshirë të gjitha partitë politike, ekspertët, analistët, mediet dhe shoqërinë civile. Sepse kjo është një çështje shumë e ndjeshme”, ka thënë ai. “Para se të dërgohet për ratifikim në Kuvend Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, së pari duhet të ketë një marrëveshje mes pozitës dhe opozitës lidhur me këtë çështje shumë të ndjeshme, në mënyrë që mos të krijohen skena të papëlqyera në Kuvend. Dhe është i domosdoshëm rishikimi nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë, nëse ka devijime të vijës së vjetër kufitare ose çështja e demarkacionit të dërgohet në arbitrazh ndërkombëtar. Demarkacioni dhe liberalizimi i vizave duhet të jenë çështje të ndara dhe nuk është e drejtë që qytetarët e Kosovës të ngelin akoma të izoluar, për shkak të problemeve të krijuara nga ky pushtet me çështjen e Demarkacionit, për shkak të interesave të tyre të ngushta”, tha  politologu Faik Krasniqi për ‘Kosova Sot’.

(Kosova Sot)