Legjendat për gurin te hasjanët

  • 31 May 2016 - 19:22
Legjendat për gurin te hasjanët

Çoçaj: Për gurin Pashtrik hasjanët besojnë se është vend i shenjtë

 “Populli i Hasit ka besuar se çdo gjë që ka ose afër, ose mbi gjësende gurin ka qenë e mbrojtur nga i zoti dhe është konsideruar mëkat që të merret, apo edhe të vidhet”, është shprehur Përvizaj, raporton Gazeta Kosova Sot

Vend besimi dhe pelegrinazhi në kërkim të gjetjes së qetësisë shpirtërore dhe të një fati më të mirë për trashëgimtar është shkuarja te Guri i Pashtikut, shpjegon dr. Nexhat Çoçaj, ekspert i trashëgimisë për rajonin e Hasit. Ndërkaq, Nuri Përvizaj tregon për “Kosova Sot” se te banorët e fshatrave të Hasit janë të shprehura një varg ritesh e besimesh të veçanta për gurin.“Në bazë të të dhënave të mbledhura nga terreni, del se nga banorët hasjanë e në veçanti nga bota femërore ekzistojnë shumë gjurmë të adhurimeve të gurëve të veçantë, mbi të cilët, apo në afërsi të të cilëve, bëhen edhe rite, lutje, falje po të veçanta. Gurët, për të cilët ekzistojnë edhe sot gjurmë të dukshme të riteve, janë gurë të formave e të madhësive të ndryshme, që mund të jenë gurë të lëvizshëm, që gjinden kudo në tokë, por edhe që e kanë bazën në thellësi të tokës, apo edhe ndodh që të jenë gurë shkëmborë. Duke marrë parasysh pozitën gjeografike të fshatrave të Hasit, që pjesa më e madhe e këtyre fshatrave është e ngulitur në hapësirat gurore e vende - vende edhe në ato shkëmbore, që na le për të kuptuar se guri, që në çdo anë e rrethon fshatin, familjen, njeriun që jeton në atë mjedis, doemos ka qenë burim ushqyes i kultit të gurit”, është shprehur ai.

 Mbi turrën e druve vendosej një gur

Përvizaj tregon se janë të pakta ato vendbanime të Hasit që nuk rrethohen me gurë dhe në ato raste besimet në gurë e në shpella janë bartur nga gjinia femërore, pra nga gratë, që kanë ardhur nga vendbanimet e rrethuara me gurë. “Në këtë mënyrë, besimi në gurë është i shprehur në përgjithësi, ku më shumë e ku më pak”. Pos shumë besimeve, për banorët e fshatrave të Hasit ka shërbyer edhe “roje” e gjërave, apo edhe e prodhimeve të ndryshme bujqësore është edhe besimi në gurë me peshë e fuqi. “Populli i Hasit ka besuar se çdo gjë që ka ose afër, ose mbi gjësende gurin, ka qenë e mbrojtur nga i zoti dhe është konsideruar mëkat që të merret, apo edhe të vidhet. Sa herë që kemi mbledhur dru në mal, qoftë në malin tonë, qoftë në mal të Merasë dhe mbi turrën e druve kemi vendosur një gur, atëherë kemi qenë të sigurta se atë turrë të druve nuk do të na prek askush”, është shprehur Përvizaj.


Shërojnë sterilitetin

Bri rrugëve, që lidhin fshatrat e Hasit, në majë të maleve, në qafëmale, vërehen në disa raste grumbuj gurësh dhe varësisht prej formës ata quhen gurë të shenjtë, varr i shenjtë, rreth i shenjtë etj. Disa nga këto “murana” janë ngritur si shenjë respekti për njerëzit që kanë vdekur në ato vende në forma të ndryshme: si përhapës të një besimi (feje), siç është rasti me dy varret e Babës Pushtrig, në majën më të lartë të Pashtrikut (1989 m), varre për të cilat mendohet se janë të Sari Salltek Babës, Varri i Delmes, që gjendet në mes fshatrave Qarr dhe Letaj, Varri i Nizamit në afërsi të fshatit Shëngjergj, mbi lagjen Tanushaj në drejtim të Likenit, Varri i Martinit në afërsi të fshatit Gjinaj, Varri i mirë në mes të Lipovecit dhe Godenit, në të djathtë të rrugës etj. Kulti i gurit, i shpellave apo i masiveve shkëmbore, është i lidhur me natyrën e mistershme të këtyre objekteve, por është i lidhur edhe me rolin që ato kanë luajtur në jetën e banorëve. Ndonëse pjesa më e madhe e besimeve në gurët e shpellave e kanë burimin qysh në kohë të lashta, kur shpellat kanë shërbyer si vende qëndrimi për banim të njerëzve, kurse shpellat vazhdojnë të jenë vende strehimi të bagëtive, të ruajtjes së ushqimit të bagëtive etj. Shpellat si objekte kulti, në traditën dhe kulturën hasjane përmes të cilave ruhet përmbajtja dhe funksionet rituale, janë të pranishme me besime pothuajse ngjashëm me gurët masivë, apo shkëmbinjtë e shpuar, që gjithashtu shërbejnë për të njëjtat qëllime.


Guri që ka formën e kasolles mendohet se i shëron gratë sterile


Banorët e Hasit, gjatë së kaluarës, kanë besuar më së shumti në gurë dhe në dru dhe për këtë arsye kjo formë e besimit është trashëguar deri në ditët e sotme, ku ende ruhen gjurmë të besimit në gurë dhe në dru. “Shumë banorë hasjanë besojnë në gurë dhe dru. Sa për të dëshmuar këtë po sjellim vetëm disa vende të kultit fetar, që lidhen me gurët”, pohon për "Kosova Sot“ Nexhat Çoçaj. Në malin Pashtrik ekziston një gur që ka formën e kasolles me dy hyrje, për të cilin hasjanët besojnë se është vend i shenjtë, për të cilin besojnë se ai gur është edhe si vend shërim i grave sterile. “Gjithashtu, vende të kultit të gurit ka edhe në mes të fshatit Shëngjergj dhe Dedaj dhe kalimtarët edhe sot kur kalojnë pranë atyre gurëve bëjnë ceremoni dhe lënë diçka, në shenjë të besimit që e kanë trashëguar nga e kaluara e largët. Ngjashëm me gurët në afërsi të lagjes ‘Mallaku’ është edhe vendi në “Brijën e Nashecit”, në malin e territorit të fshatit Gjonaj, ku ende barinjtë në atë vend bëjnë nezra”. 

(Kosova Sot)