Qytetet bregdetare të kthyera në kantiere dhe vatra insektesh

  • 26 June 2016 - 12:58
Qytetet bregdetare të kthyera në kantiere dhe vatra insektesh

Shoqata shqiptare e turizmit (ATA) shprehet e shqetësuar se ndërtimet e ndërmarra tani në zonat turistike do të kenë ndikim negativ gjatë këtij sezoni që sapo ka startuar. Ky organizëm shprehet i shqetësuar, pasi bregdeti është kthyer në kantier ndërtimi e kjo mund të ndikojë në turizëm.

“Ndërkohë që tur operatorët ndërkombëtarë konstatojnë një zhvendosje sizmike në kërkesën për pushime dhe prenotimet, ndryshim ky i diktuar nga klientela, e cila motivohet prej ndryshimeve aktuale ekonomike apo politike, vendet e rajonit (kryesisht Ballkani Perëndimor) po diskuton zhvillimin e përshtatjen e produktit turistik dhe bërjen sa më tërheqëse të vendeve/destinacioneve që përfaqësojnë në tregun ndërkombëtar të turizmit.

Në një skenar të ri, i cili përmban sfida edhe mundësi të padiskutueshme, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia unifikojnë politikat dhe veçanërisht stimujt fiskalë për të tërhequr sa më shumë turistë nga Europa. Të tre këto vende subvencionojnë deri në 15 euro për çdo natë qëndrimi për çdo turist.

Në veçanti, Maqedonia vë në dispozicion një fond prej 5 mln euro për të stimuluar fluturimet ‘loë cost’ dhe qëndrimet në vend, Mali i Zi po ndërton resortin më luksoz në Mesdhe, Serbia investon në pasurimin e portofolit të eventeve, ndërkohë që Shqipëria fillon sezonin e vonuar me energji 48% më të shtrenjtë dhe shërbime rikonstruktuese të sistemit të shpërndarjes së energjisë në vijën bregdetare nga 15-30 korrik dhe 12 orë ndërprerje energjie në ditë”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Por për ATA nuk është i vetmi shqetësim apo problem. “Ndërsa në këto 3 vite nuk u mbajt premtimi për stimulim të industrisë me një pakete dinjitoze fiskale sikundër fqinjët të paktën sot nuk duhej të kishim: 1. Ndërprerje energjie; 2. Rritje të çmimit të energjisë në mënyrë abuzive kjo e konfirmuar edhe nga ERE; 3. Luhatje tensioni dhe dëmtim pajisjesh në të gjithë vendin; 4. Qytetet kryesore bregdetare të kthyera dhe mbetura në kantiere ndërtimi; 5. Plehra dhe papastërti; 6. Akset rrugore që furnizojnë zona strategjike bregdetare më të ngushta se shëtitoret e këmbësoreve buzë detit. 7. Situata të paqarta për administrimin e plazheve; 8. Vatra insektesh dhe sëmundjesh dhe kafshe rrugësh në shumicën e rasteve të pavaksinuara. Industria nuk meritonte këtë performancë dhe sforcim në vigjilje të një sezoni delikat”, thuhet në deklaratë.

(Kosova Sot)