Avokati i Karaxhiqit mund të akuzohet për shpërfillje të Gjykatës

  • 27 June 2016 - 10:49
Avokati i Karaxhiqit mund të akuzohet për shpërfillje të Gjykatës

Gjykata e Hagës ka hapur një hetim mbi një anëtar i ekipit mbrojtës të ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, për shpërfillje ndaj gjykatës.

 Theodor Meron, president i Mekanizmit të OKB-së për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, MICT, me kërkesë të Prokurorisë, ka nisur një hetim për një anëtar të ekipit mbrojtës të ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, për shpërfillje të gjykatës.

Prokuroria tha se dyshon se avokati, emri i të cilit nuk është bërë publik, zbuloi përmbajtjen e një kërkese konfidenciale të muajit prill në të cilën Karaxhiq kërkoi lirim të shkurtër për të marrë pjesë në një ceremoni përkujtimore për vëllain e tij të ndjerë, Ivan, në Serbi.

Në kërkesën dërguar gjyqtarit Meron, prokurorët pohojnë se “një anëtar i ekipit të mbrojtjes së Karaxhiç i dha mediave informacione konfidenciale, duke treguar se Karaxhiq ka kërkuar një lirim të përkohshëm për të marrë pjesë në një ceremoni përkujtimore për vëllain e tij dhe se qeveria e Serbisë dha garancitë e nevojshme për këtë”.

Sipas Meron, “ky person mund të ketë kryer veprën penale të shpërfilljes të gjykatës duke publikuar informacione konfidenciale, përfshirë faktin se Karaxhiqi kërkoi një lirim të përkohshëm për të marrë pjesë në një ceremoni përkujtimore”.

Edhe pse emri i anëtarit të ekipit mbrojtës të Karaxhiqit nuk përmendet në ankesë, shumë besojnë se ankesa ka të bëjë me deklaratat e dhëna nga Goran Petronijeviq, një nga avokatët e tij, për gazetën e Beogradit Kurir.

Petronijeviq tha për Kurir se Karaxhiq kishte kërkuar “vendbanim të përkohshëm” në Serbi për të marrë pjesë në një ceremoni përkujtimore në Obrenovac dhe tha se autoritetet e Beogradit kishin dhënë garancinë e nevojshme se ai do të kthehej përsëri në Hagë,raporotn kallxo,com

Petronijeviq tha gjithashtu se vendimi për këtë kërkesë do të merrej “të martën e ardhshme”, që është më 31 maj, datë që u mor vërtet vendimi për këtë kërkesë. Dhoma e Apelit e hodhi poshtë kërkesën e Karaxhiqit.

Petronijeviç ishte i pari që zbuloi përmbajtjen e kërkesës konfidenciale, të dorëzuar më 28 prill.

Avokati mbrojtës i Karaxhiqit, Peter Robinson, ka refuzuar të komentojë mbi akuzat kundër ekipit të mbrojtjes.

“Duke marrë parasysh se hetimi është në vazhdim, nuk do të ishte e përshtatshme të komentoja publikisht mbi akuzat,” tha Robinson për BIRN. Ai tha gjithashtu: “Mbrojtja e Karaxhiqit do të bashkëpunojë plotësisht me hetimin”.

Zbulimi i dokumenteve konfidenciale ndëshkohet si “ndërhyrje e vetëdijshme dhe e qëllimshme me zbatimin e drejtësisë”.

Rregullat e gjykatës për shpërfillje të gjykatës përcaktojnë gjoba deri në 100,000 euro, dënim deri me 7 vjet burg ose të dyja.

Meron ia ka besuar hetimin gjyqtarit Aydin Sefa Akay nga Turqia. Akay mund ta kryejë vetë hetimin ose të caktojë një prokuror “mik të gjykatës” jashtë të Prokurorisë së Hagës, e cila ka qenë praktika e aplikuar deri më tani.

Vendimi nëse avokati mbrojtës do të akuzohet për shpërfillje të gjykatës do të merret pas hetimit.

Karaxhiq u dënua me 40 vjet burg në një vendim të shkallës së parë më 24 mars.

Gjykata e Hagës e shpalli atë fajtor për gjenocid në Srebrenicë, persekutim të myslimanëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën, terrorizim të qytetarëve në Sarajevë dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Karaxhiq gjithashtu kërkoi lirim të përkohshëm në entitetin serb të Bosnjës, Republikën Srpska, deri në përfundim të gjykimit të tij, por gjykatësi e refuzoi edhe këtë kërkesë.

 

(Kosova Sot)