Disa familje nuk largohen, pa u siguruar strehimi

  • 28 June 2016 - 18:40
Disa familje nuk largohen, pa u siguruar strehimi

Inspektorati Komunal në Pejë ka ndërmarrë një aksion për largimin e objekteve të përkohshme. Banori Hasan Krasniqi ka thënë se është bërë mirë, pasi me heqjen e këtyre objekteve të përkohshme u është liruar fryma banorëve të kësaj pjese të lagjes 'Rrokaqielli', respektivisht atyre që shtriheshin nga qendra zejtare e deri të kompleksi i mullirit të "Haxhi Zekës" dhe të shkollës fillore "Ramiz Sadiku" dhe asaj të mesme "Shaban Spahija", shkruan gazeta Kosova Sot.

Në aksionin e inspektorëve është bërë largimi i afro 15 objekteve të ndryshme zejtare e tregtare të pajisur me leje të përkohshme që nga viti 1965 e të ngritura ose në pronë komunale, ose në pronë të bashkësisë së ujërave përgjatë kanalit "Selavi", që shërben për ujitje të pronave në fushën e Pejës. Zyrtarët komunalë kanë shpjeguar edhe arsyen e ndërmarrjes së këtij aksioni. "Përgjatë bregut të jazit të "Selavisë" aty nga Qendra e tanishme zejtare në drejtim të shkollës Ramiz Sadiku dhe asaj të mesme teknike "Shaban Spahiu" deri të kompleksi i Mullirit të Haxhi Zekës, ka më shumë se 6-7 dekada që vepronin një varg dyqanesh të zejtarëve, por edhe tregtarë, nga të cilat shumica kishin leje të përkohshme veprimi, e të cilat sipas planeve zhvillimore komunale, duhej që përfundimisht të largoheshin nga aty, ngase sipas këtyre planeve zhvillimore , kjo hapësirë do të shndërrohet në një zonë të gjelbëruar", i ka thënë gazetës kryeinspektori komunal Demë Dashi.

Nuk e lëshon lokalin, të cilin e bleu nga serbët

Ai shprehet se në fundjavë pothuajse ka përfunduar aksioni për largimin e këtyre objekteve, me përjashtim të një lokali të një avokature, pronari i së cilës pretendon se e ka të blerë këtë lokal, dhe se është pronar legjitim i lokalit dhe tokës të cilën e kishte blerë pas luftës nga e veja e avokatit, Milivoje Gjurishiq, që me një vendim të vitit 1998 ishte bërë pronar i këtij objekti. Enver Hoti, një banor tjetër i kësaj lagjeje, ka thënë për gazetën se presin të ketë më shumë hapësira të gjelbëruara. "Është mirë që po lirohen këto sipërfaqe, ngase kjo rrugë dhe kjo lagje është shumë e qarkullueshme. Dyqanet që ishin, edhe po të donin, nuk mund të mbanin në nivel pastërtinë, kishte edhe kundërmime nga mbeturinat, e këndej kalojnë edhe nxënësit e tri shkollave dhe atë të shkollës fillore 'Ramiz Sadiku' dhe asaj të mesme të mjekësisë, që mbajnë mësim në të njëjtin objekt, si dhe ata të shkollës së mesme teknike, që pa dyshim kanë pasur nevojë që këto hapësira të lirohen dhe aty të ngrihet ndonjë sipërfaqe e gjelbëruar", thotë Hoti.

E kundërshtojnë këtë vendim të Komunës

Për të përfunduar tërësisht ky aksion për lirimin e kësaj hapësire, përpos kontestimit të zyrës së avokatit Naser Husaj, që ka ngelur në mes të shkollës fillore të mesme të ulët "Ramiz Sadiku" dhe objektit të trashëgimisë kulturore të Mullirit të Haxhi Zekës, gjenden edhe dy objekte banimi, ajo e Maria Lajçit me të birin dhe fqinja e saj Majlinda Kastrati. Ato e kundërshtojnë këtë vendim të Komunës dhe kërkojnë nga pushteti lokal që së pari atyre t'u zgjidhë problemin e banimit, konform nevojave që kanë e më pas të mendojnë për rrënimin e këtyre objekteve. Ato kërcënojnë se nuk do të dalin nga ato objekte, dhe se do të shemben bashkë me to.

Komuna thotë se nuk do të ndalet

Kryeinspektori komunal, Demë Dashi, thotë se sa u përket këtyre dy familjeve, do të pritet derisa pushteti komunal të bëjë një zgjidhje të pranueshme e më pas do t'i qasen rrënimit të atyre objekteve. Kurse, sa i përket pretendimit të avokatit se zyra e tij është pronë legjitime e tij, një pretendim i tillë për drejtorin Dashi nuk ka asnjë bazë ligjore. "Dokumenti për të cilin ai pretendon nuk është valid, dhe se asnjë vendim i asnjë gjykatësi nuk mund të ndalojë zbatimin e planit zhvillimor komunal përmes planeve rregulluese. Aty ku dëshmohet ligjërisht prona private e kujtdoqoftë, Komuna bën kompensimin, por nuk ndalon me zbatimin e planit rregullativ komunal", i ka thënë gazetës Demë Dashi. Pas lirimit të këtyre hapësirave publike, sipas Planit Urbanistik Komunal, respektivisht planit rregullues të kësaj bashkësie territoriale, ajo hapësirë është planifikuar që të jetë një hapësirë e gjelbër si bosht lidhës i Bashkësisë Territoriale "Kristal", përmes " Bulevardit të gjelbër", i cili do të shtrihet nga ish-Kombinati i Drurit deri te Stacioni i Autobusëve dhe përmes këtij boshti të lidhen me Kompleksin e Mullirit të Haxhi Zekës, Qendrën Zejtare, Çarshinë e Gjatë e deri te Patrikana që do të bëjë këtë pjesë të qytetit me një identitet të ri joshës dhe mjaft atraktiv. "Ky projekt do të realizohet bashkërisht me DEMOS-in, e ku do të partcipojë Komuna me buxhetin e saj deri në 30% të shumës së përgjithshme të projektit", ka thënë Dashi. 

(Kosova Sot)