Ministria e Diasporës shpenzoi mbi 26 mijë euro për bileta udhëtimi pa tender

  • 29 June 2016 - 20:05
Ministria e Diasporës shpenzoi mbi 26 mijë euro për bileta udhëtimi pa tender

Ministria e Diasporës ka arrit marrëveshje me UNDP-në 60 mijë euro, duke anashkaluar procedurat e prokurimit për projektin “Fushata për promovimin e regjistrit të diasporës”

Obligimet e MeD ishin 60 mijë euro, ku sipas marrëveshjes kjo shumë do të paguhej si avans, por sipas raportit të Zyrës së Auditorit pagesa e kryer si e tillë nuk ishte në pajtueshmëri me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike

“MeD kishte lidhur marrëveshje bashkëfinancimi me UNDP-in, duke anashkaluar procedurat e prokurimit për projektin “Fushata për promovimin e regjistrit të diasporës”. Obligimet e MeD ishin 60 mijë euro, ku sipas marrëveshjes kjo shumë do të paguhej si avancs pagesa e kryer si e tillë nuk ishte në pajtueshmëri me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. Nga faturat e dërguara në drejtim të UNDP-së nga implementuesi i projektit kuptuam se shuma totale e projektit kishte qenë 88,225 €, nga të cilat nënkuptohej se 28,225 € do t’i mbulonte UNDP përderisa 60,000€ ishin nga buxheti i MeD-së”, thuhet në raport.

Po ashtu kjo Ministri në fund të muajit gusht kishte ndërprerë kontratën “Shërbimet e udhëtimit me aeroplan”, ndërsa gjatë periudhës shtator-dhjetor MeD kishte pranuar oferta për secilën avio-biletë të kërkuar, por që këto procedura nuk kishin kaluar përmes zyrës së prokurimit siç kërkohet në Ligjin e Prokurimit Publik.

“Shuma e shpenzuar për këto shërbime për këtë periudhë ishte 26 mijë e 263 euro. Në plan të prokurimit për vitin 2015 ishte paraparë zhvillimi i procedurave për këtë projekt. Sipas auditorit marrëveshjet e lidhura duke shmangur procedurat e prokurimit si dhe pagesat në avancë i ekspozohen rrezikut që mallrat dhe shërbimet e pranuara të jenë me çmime më të larta, të një kualiteti më të dobët apo edhe të mos pranohen fare. Po ashtu aranzhimi i biletave pa kaluar përmes prokurimit rrezikon të mos përfillen të gjitha kërkesat e LPP-së.

Ndër të gjeturat tjera nga auditori për këtë Ministri, me MeD kishte angazhuar dy artistë për të cilët kishte kryer dy pagesa në total prej 4 mijë e 500 euro. Po ashtu nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve ishte paguar video-spoti për një këngë me motive të diasporës në vlerë prej 2 mijë euro.

“Marrëveshjet në fjalë ishin nënshkruar drejtpërdrejtë, pa u zhvilluar ndonjë procedurë ku do të sigurohej konkurrencë dhe do të diskutohej çmimi. Për vlerësimin e aplikacioneve për subvencione MeD kishte caktuar dy anëtar të jashtëm të cilët i kishte kompensuar në total 800€, porse emërimi i tyre ishte kryer pa procedurë paraprake siç kërkohet me rreg. 02/2010 për rekrutimin në shërbimin civil; Rreg. financiare 01/2013 e ndalon kryerjen e pagesave me para të gatshme”, thuhet në raport.

Po ashtu auditori si keqpërdorim kishte hasur se MeD për 22 aktivitete të zhvilluara organizative në diasporë, kishte paguar me para të gatshme në total 35 mijë e 538 euro. Për zhvillimin e këtyre aktiviteteve MeD-së nuk kishte marrëveshje për shfrytëzimin e hapësirave për aktivitete, transport dhe akomodim të pjesëmarrësve jashtë vendit.

Po ashtu MeD kishte të aprovuar Rregulloren (QRK) NR. 09/2014 për zgjedhjen e drejtorit të qendrës kulturore të Kosovës për Diasporën dhe Mërgatën. Mirëpo në mungesë të rekrutimit kishte vazhduar edhe këtë vit t’i paguante tre drejtorë të qendrave kulturore nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta. Vlera e këtyre pagesave për periudhën janar-dhjetor ishte 71 mijë e 672 euro. Nënshkrimi i marrëveshjeve pa u zhvilluar një procedurë të hapur, ulë konkurrencën dhe rrezikon që organizata mos të përfitojë vlerën për paranë e dhënë. Pagesat me para të gatshme e rrisin rrezikun e keqmenaxhimit të tyre duke ekspozuar paranë ndaj dëmtimit apo humbjes eventuale. Pagesat e drejtorëve të qendrave kulturore nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, rrisin rrezikun e mbishpenzimit të buxhetit të kësaj kategorie dhe në kundërshtim me kërkesat ligjore dhe jo në përputhje me planifikimin e buxhetit. 

(Kosova Sot)