Gjyqtari i Beratit, SMS gruas që ngacmonte: Në jetë të tjera duam, të tjera na duan dhe të tjera kemi
Gjyqtari i Beratit, Shyqyri Çobo, tashmë i pezulluar nga detyra me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i ka dërguar 170 mesazhe gruas, e cila e denoncoi për ngacmim seksual. Në një periudhë prej 3 muajsh, që nga seanca e parë e gjyqit ndaj gruas 32 vjeçare në Gjykatën e Beratit, Prokuroria ka thënë se Shyqyri Çobo e ka ngacmuar me anë të mbi 300 telefonatave dhe 170 mesazheve të shkruara. Disa prej telefonatave janë regjistruar nga 32 vjeçarja, e cila ua dorëzoi ato hetuesve në momentin që bëri denoncimin. Ndërsa mesazhet janë gjetur të gjitha në telefonin e saj, që është këqyrur nga hetuesit e Krimeve të Rënda.
Bashkë me zbardhjen e mesazheve të dërguara në adresë të 32 vjeçares, hetuesit kanë konfirmuar edhe numrin dërgues të teksteve. Ky numër, sipas Prokurorisë, është regjistruar dhe në përdorim të gjyqtarit Shyqyri Çobo, të pezulluar tashmë nga detyra me akuzën e “korrupsionit pasiv të gjyqtarit…” në formën e kërkimit të favoreve seksuale. Mesazhet e reja Në mesazhet e reja të dërguara nga gjyqtari në telefonin e 32 vjeçares, të cilat publikohen sot nga “Panorama”, bie në sy përpjekja e Shyqyri Çobos për të qenë në kontakt me gruan që po ngacmonte.
Mesazhet e reja
Mesazhi 1 Ende s’jam investuar në dobinë tuaj …Ndonëse statura juaj sociale postmartesore për një person të “performancës që unë disponoj – do të jetë ekzigjencë jetësore, kuptohet që të shijosh “Triumfe… do të flasim!! Ok.
Mesazhi 2 Në qartësinë time sundon “Ideja” standarde se fshati xxxx përbëhet nga “komunitete ‘që në aspektin intelektual demonstrojnë DEFICENCË!!! Shtetas të quajtur Y.T. (babai i kallëzueses), për të qenë i sinqertë Jo, nuk mendoj se e njoh … Gjithsesi, do komunikojmë gjykoj… Si mendon ?/ OK??
Mesazhi 3 …Mirëmbrëma…Ju jeni potencialisht e emancipuar …E kupton se …”Miqësia që të njoh progres – kërkohet komunikim dhe jo heshtje, aq më keq druajtje… Mirënjohje!!
Mesazhi 4 Kurani shprehet se “Ndjenja njerëzore më fisnike që Zoti i ka dhuruar njeriut është dashuria”!!
Mesazhi 5 Unë konstatova se –”sharmi yt femëror ishte tepër joshës dhe femëror… mos u prezanto me “modesti (thjeshtësi) të tepruar… do më falësh 100 herë, por “modestia “e tepruar është veti e njeriut ‘Naiv’ (budalla)… për atë performancë që ke, duhet të ndjehesh krenare! Ok?
Mesazhi 6 Mos injoro CVnë tënde intelektuale që disponon …Si e komenton shprehinë se …”Miqësia shndërrohet në dashuri, ndërsa dashuria kurrë nuk kthehet në miqësi”…?
Mesazhi 7 Kurrë s’duhet të pretendojmë idealen, në këtë jetë makabër! Më pëlqen doktrina sociale franceze se: “Në jetë të tjera duam, të tjera na duan dhe të tjera kemi”!.
(Kosova Sot)