Pas ShBA edhe BE me masa “ndëshkuese” ndaj Maqedonisë!?

  • 01 July 2016 - 18:46
Pas ShBA edhe BE me masa “ndëshkuese” ndaj Maqedonisë!?

Maqedonia ka filluar ta paguajë faturën për krizën e stërzgjatur politike. Bashkimi Evropian ka përgatitur valën e parë të sanksioneve, në kryeqendër të së cilës janë fondet IPA. Siç mëson Alsat, Komisioni Evropian e ka miratuar vendimin për pezullimin e 27,1 milion eurove nga fondet IPA për Maqedoninë. Kjo masë e Brukselit siç mëson Alsat vjen si kundërpërgjigje ndaj mungesës së vullnetit politik për zbatimin e Marrëveshjes “Përzhino”, i cili u arrit një vit më parë me ndërmjetësimit të BE.

Siç bën të ditur ky burim, Komisioni Evropian njoftimin për “sanksionet e para” ia ka dërguar autoriteteve në vend më 22 qershor. Burime nga qeveria kanë konfirmuar se kanë pranuar letrën por nuk kanë dashur të komentojnë shumën që është shkurtuar. Por përveç kësaj mase, mësohet se vala e sanksioneve planifikohet edhe më tej me shkurtimin e 50 milion eurove të tjera nga fondet IPA.

Ndërkaq Brukseli nuk ka kursyer as korridorin 8 në kuadër të masave ndëshkuese ndaj Maqedonisë, si një ndër projektet jetike jo vetëm për vendin por Ballkanin në përgjithësi. Nga ana tjetër përveç Brukselit edhe Uashingtoni duket se ka përgatitur sanksione ndaj zyrtarëve të përfshirë në korrupsion.

Në opinion përflitet se ish ministrit të Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski i është refuzuar viza për udhëtim në ShBA. Por nga ambasada e ShBA-së në vend nuk komentuan në mënyrë të drejtpërdrejtë rastin e Janakievskit.

Nga ambasada amerikane gjithashtu i bën thirrje qeverisë, shoqërisë civile dhe mediave të vijojnë hetimin e pasurive të zyrtarëve të lartë dhe publikojnë dëshmitë për korrupsion të mundshëm.

(Kosova Sot)