Ndihmojeni Melisën, i duhen 72 ampula

  • 17 July 2016 - 08:30
Ndihmojeni Melisën, i duhen 72 ampula

Prindërit bëjnë thirrje për mbështetje financiare.

"Përderisa vajza ime ishte e shtruar në njërin nga repartet e spitalit të Prishtinës, aty erdhi një vajzë tjetër, e cila vuante nga e njëjta sëmundje sikurse vajza ime, ajo mori terapinë e duhur dhe shkoi në shtëpi, ndërsa mua Melisa më pyeti "Mami, pse mua nuk po ma japin terapinë për të cilën kam nevojë, e kësaj vajzës ia dhanë" ? Bota m'u soll rrotull koke dhe ia plasa vajit, ngase nuk munda t'i përgjigjesha", thotë nënë Teuta,shkruan Gazeta Kosova Sot

Në njërën nga klasat e shtata të shkollës fillore " Tetë Marsi" në Pejë, një karrige në njërën nga bankat e kësaj klase, këtë gjysmëvjetor të dytë ishte më shumë e zbrazët, ngase Melisa Grabovci, nxënëse e kësaj klase, nuk ka mundur t'i vijojë mësimet rregullisht, sepse sëmundja po e ngufat për çdo ditë e më shumë. "Në fillim nuk dinim se pse po lëngon", thotë Teuta, nëna e Melisës. "Për afro dy vjet Melisën e dërguam të vizitohet nga një mjek te tjetri në spitalet në Pejë e në Prishtinë, por askush nuk dinte që t'i jepte diagnozën e saktë. Më sugjeruan që vajzën ta dërgojmë në Tiranë, ku nga mjekët e atjeshëm u diagnostikua me një sëmundje të rrallë "Morbus Gaucher", ka thënë për "Kosova Sot" babai i Melisës . "Në Kosovë ka gjithsej 9 raste të prekura nga kjo sëmundje", thotë Rasim Grabovci. Sipas tij, nga këto nëntë raste gjashtë prej tyre trajtohen me terapinë e duhur dhe shpenzimet i bart një shoqatë amerikane, dy raste të tjera trajtohen me shpenzime të Ministrisë së Shëndetësisë, kurse vetëm tri raste, në mesin e të cilëve gjendet edhe vajza e tij Melisa, nuk trajtohen me terapinë e domosdoshme, në mungesë të parave.

Image

 

Mungon terapia "Para dy ditësh u detyrova ta dërgojë vajzën në spital në Prishtinë, ngase ajo u sulmua rëndë nga sëmundja", shpjegon nëna e Melisës, Teuta. "Përderisa vajza ime ishte e shtruar në njërin nga repartet e spitalit të Prishtinës, aty erdhi një vajzë tjetër, e cila vuante nga e njëjta sëmundje sikurse vajza ime, ajo mori terapinë e duhur dhe shkoi në shtëpi, ndërsa mua Melisa më pyeti: " Mami, pse mua nuk po ma japin terapinë që kam nevojë, e kësaj vajzës ia dhanë " ? Bota m'u soll rrotull koke dhe ia plasa vajit, ngase nuk munda t'i përgjigjesha", thotë Teuta. Babai i Melisës thotë se ai i vetëm punon për të siguruar bukën e gojës për shtatë anëtarë të familjes, ka pesë vajza, bashkëshorten dhe vetë, me një pagë të vogël në kushte katastrofale të banimit, një dhomë për shtatë anëtarë familjeje dhe një korridor të ngushtë që shërben vetëm për kalim deri në dhomë . "Jetoj në kushte të rënda, por tani po më rëndon në shpirt sëmundja e Melisës, sëmundje kjo, e cila është shumë e rëndë", thotë babai Rasimi dhe tregon Raportin e mjekut. " Melisa vuan nga kjo sëmundje para një viti e gjysmë dhe ndien deëmbje në fiankun e majtë, dhembje ose femorale të majtë e vazhdueshme e qe e kufizon në lëvizje dhe se në ekzaminim spitalor është vënë re hepatosplenomegalia. Po ashtu, pacientja trajtohej për epilepsy comitiealis me depakine", thuhet në Raportin e mjekëve. 

Ministria ende nuk kthen përgjigje " Ju kam drejtuar me kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovë që të ndihmojë vajzën time, duke ia siguruar terapinë e duhur. Jam i vetëdijshëm se bëhet fjalë për një shumë të madhe parash, ngase një ampulë për trajtimin e vajzës sime kushton 1955 euro, kurse për një vit trajtim lypsën 72 ampula, që kapin një shumë prej 140 mijë e 760 euro, para këto që nuk mund t'i siguroj as në ëndërr", thotë Rasim Grabovci. "Jam në pritje të përgjigjes nga Ministria, por jam skeptik, ngase përgjigjja po vonohet, e kjo po ma bënë jetën ferr", thotë Rasimi. " Nuk po mund ta shikoj vajzën në sy, çdo dhembje e saj, çdo shikim i saj më dhemb dhe po ma shpon shpirtin", thotë Rasimi i frustruar nga vuajtjet e shpirtit për vajzën e tij, Melisën. Derisa Rasimi tregonte dokumentet që i kishte për sëmundjen e Melisës, kërkesën që i kishte bërë Ministrisë së Shëndetësisë, Melisa ishte e shtrirë në një kanape, e zbehur në fytyrë dhe me një dhembje që shprehej në fytyrën e saj, dëgjonte me vëmendje rënkimet e babait të saj. "Kam qenë edhe te kryetari i Komunës, kam kërkuar ndihmë edhe te disa biznese, nuk do të lë gur pa lëvizur që të bëjë të pamundurën që të ndihmoj vajzën time Melisën", shprehet ai. 

Të gjithë ata që duan ta ndihmojnë Melisën mund të lajmërohen në numrin e telefonit 044 695 163 .

(Kosova Sot)