Të lundrosh në Koman

  • 23 July 2016 - 19:04
Të lundrosh në Koman

Për të qenët i suksesshëm në biznes, cilido qoftë ai, pos të tjerash nevojitët edhe aftësia dhe gjeturi që t'i adaptohesh çfarë- do rrethane që krijohet. Të gjesh shtegdalje edhe atëherë kur duket se janë mbyllur të gjitha shtigjet. Të tillët nuk i dëgjon të ankohen se nuk po iu ecën biznesi! Ata nuk kanë kohë për një gjë të tillë! Ata "shpërthejnë" edhe aty dhe atëherë, kur duket se nuk ka shtegdalje, kur shumëkush ishte dorëzuar. Të tillë janë ata që aktualisht veprojnë si operatorë turistikë në liqenin e Komanit, liqe ky që lidh dy brigjet, në njërën anë Fierzën e Bajram Currit, e në tjetrën Komanin. Liqe që ua mundëson banorëve të Malësisë së Gjakovës më lehtë të lidhen me Shqipërinë Qendrore dhe atë Jugore, shkruan gazeta Kosova Sot.

Filloi të mos mjaftojë vetëm energjia elektrike

I ndërtuar si liqe artificial për akumulimin e ujit për nevojat e hidrocentralit të Komanit, liqeni me të njëjtin emër, gjendet jo më larg se një orë udhëtim nga Gjakova. Për vite dhe dekada me radhë, dedikimi i tij ishte përkufizuar vetëm për qëllimin parësor, prodhimin e energjisë elektrike. Mirëpo, pas përfundimit të luftës në Kosovë, pas çlirimit të Kosovës, sikurse që ndryshuan shumë gjëra në relacionin Kosovë-Shqipëri, ndryshoi edhe mënyra e shfrytëzimit të këtij liqeni. Në fakt, filloi të mos mjaftonte vetëm energjia elektrike që prodhohej aty, kështu që u zgjerua gama e shfrytëzimit të ujit të Komanit. Duke e vlerësua se përmes këtij liqeni, banorët e Malësisë së Gjakovës, por edhe ata të Rrafshit të Dukagjinit, e jo vetëm, kanë mundësi që shumë më shpejt dhe më lehtë të arrijnë deri te bregdeti shqiptar, aty u lëshuan vija të rregullta të tragetit. Interesimi për shfrytëzimin e kësaj forme të transportit sa vinte e rritej, kështu që shumë shpejt qarkullimi i tragetit ishte i pamjaftueshëm për të përmbushur të gjitha kërkesat, prandaj jo rrallë, udhëtarët detyroheshin të jenë menjëherë pas mesnatës në afërsi të tragetit për të siguruar vend aty. Dhe, kur mendohej që të dyfishoheshin linjat e tragetit, pasoi një ndryshim radikal, ndryshim që në fillim dukej se do ta qetë plotësisht nën hije shfrytëzimin e këtij liqeni për nevoja transportuese dhe turistike.

Nuk u dorëzuan, nuk ua vunë drynin trageteve

Në fakt, kur në qershorin e vitit 2009 u lëshua në qarkullim Rruga e Kombit, që lidhte Morinën më Durrësin, interesimi për të udhëtuar me traget përmes liqenit të Komanit ra tërësisht, pasi, jo vetëm kosovarët, por edhe banorët e Bajram Currit, Krumës e vendeve të tjera matanë kufirit, filluan të shfrytëzojnë përparësitë e Rrugës së Kombit, duke udhëtuar në drejtim të Tiranës apo Durrësit përmes Gjakovës e Prizrenit! U duk se trageteve që qarkullonin në këtë liqe, duhet "vënë drynin"! Mirëpo, mu në ato momente, operatorët turistikë të atyshëm dëshmuan aftësinë e tyre për t'u gjetur në rrethana të reja, krejtësisht të panjohura për ata. "Më së lehti do të ishte, siç thoni edhe ju, t'ua vënin drynin trageteve! Në momentet e para edhe neve na u duk se nuk ka zgjidhje tjetër, por nuk u dorëzuam. Gjithnjë kishim parasysh bukuritë e rralla, thuaja mahnitëse që ofron ky liqe, dhe thamë me vete - pse të mos angazhohemi në zhvillimin e turizmit të mirëfilltë e jo vetëm atij transportues, siç vepronin deri atëherë. E ndryshuam strategjinë e veprimit, jo nga qejfi, por, siç thotë populli, nga zori. Filluam të organizojmë ture turistike, në të cilat, mysafirët, përmes lundrimit me traget apo edhe me varka më të vogla, kanë mundësi që të vizitojnë bukuritë e rralla natyrore që disponon ky liqe e që nuk janë shumë të njohura. Duhet pranuar se në fillim nuk shkonte edhe aq lehtë, por jemi befasuar këndshëm se sa shpejt ka ndryshuar çdo gjë. Sa shpejt është afirmuar ky lloj i turizmit dhe kjo ka sjellë rritje të vazhdueshme të numrit të të interesuarave", fliste këto ditë vere Mir Marku, banor i fshatit Svinë, njëri ndër operatorët turistikë që vepron në liqenin e Komanit.

Bukuri që të lënë pa frymë!

Kushdo që së paku një herë ka pasur rast të bëjë udhëtim turistik me traget apo varkë në këtë liqe, nuk e ka të vështirë ta kuptojë, pse, siç thotë Miri, numri i të interesuarave është rritur aq shpejt. Udhëtimi me traget nga Fierza deri në Koman, që zgjat më pak se tri orë, ofron shumë atraksione. Grykat e lumenjve që derdhën në këtë liqe, fshatrat përreth tij, shpellat e bukura, shkëmbinjtë e lartë dhe të thepisur dhe flora e fauna e atyshme të magjepsin, shpesh të lënë pa frymë! Këtë e thonë shumë nga vizitorët e liqenit të Komanit, të cilët nuk janë vetëm shqiptarë, por ka edhe nga vende të ndryshme të Evropës. I tillë ishte edhe një grup turistësh që vinte nga Republika Çeke, të cilës i printe Peteri. "Të udhëtosh me traget nëpër liqenin e Komanit, përbri shkëmbinjve të lartë e të bukur, të duket se po udhëton nëpër "Fjordet Shqiptare", dhe kjo mahnit jo vetëm atë që i sheh për herë të parë, por ngjashëm ndodh sa herë që t'i vizitosh", shprehej Peteri. 

(Kosova Sot)