Luanesha e Koshutanit - Lajme - Kosova Sot
Luanesha e Koshutanit

Luanesha e Koshutanit

Edhe gratë e mbrojtën kufirin me Malin e Zi

Në librin e Fazli Muriqit, duke ndriçuar figurën e kësaj trimëreshe, e cila u bë legjendë e betejave në mbrojtje të trevave shqiptare, thotë se Kajë ShabanjaGalja mori pjesë edhe në shumë beteja te tjera kundër malaziasve,raporton Gazeta Kosova Sot

S hqiptarët ndër shekuj u desh që të përballen me shumë pushtues dhe me gjakun e tyre shkruan faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare. Fazli Muriqi ditë më parë solli para lexuesve dy botime të reja, "Rugova kreshnike dhe e kaluara saj historike" dhe "Koshutani heroik i Rugovës kreshnike", botime këto të cilat hedhin dritë për shumë beteja të trimave rugovas, të cilët mbrojtën jo vetëm Rugovën, por edhe gjithandej trojet shqiptare të Plavës dhe Gucisë. Mirëpo, autori i librave të sipërpërmendur ka sjellë të dhëna për lexuesit dhe heroinat e trevave të Rugovës, të cilat ishin pasardhëse të denja të Norës së Kelmendit. Këto kreshta të Alpeve shqiptare nuk rritën vetëm trima sokola, por edhe trimëresha sokolica, si Kajë Shabanja - Galja e Koshutanit, Bikë Alija e Haxhaj dhe Bege Maliqi, e bija e Kajë Shbanajt -Galja, po ashtu e Koshutanit. Kajë Shabanja-Galja hyri në histori në Luftën e Nokshiqit në dhjetor të vitit 1879, kur Mark Milani bënte përpjekje për të pushtuar Plavë e Guci dhe trevat shqiptare të Malësisë se madhe, i cili u thye keq në Luftën e Nokshiqit, nga shqiptarët të cilëve u printe Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri me forcat e Lidhjes së Prizrenit, Sali Jaha e Qele Shbani, trima të Rugovës. 

Me sakicë kundër armiqve Ajo që bën përshtypje për heroinat e këtyre kreshtave është se në luftën e Nokshiqit ia kishte dalë që me pushkë në dorë të mbrojë kullën e Sadri Groshit, një plak i vjetër dhe i verbër që kishte mbetur në atë kullë ku ishte edhe Kajë Shabanja, e martuar në Nokshiq me dy vajzat e saj, njërën katër e tjetrën dy vjeçe. Sadri Groshi i kishte dhënë një pushkë që kishte Kajës, e cila po luftonte si luaneshë në mbrojtje të kullës, të cilën e kishin rrethuar malazezët. Pasi që malazezet ia dalin të depërtojnë në katin e parë te kullës e kur edhe vritet plaku Sadri Groshi, ndërsa Kajë Shabanja - Galja u plagos në këmbë, por vazhdonte të shtinte me pushkë mbi malazezet deri sa ngeli pa municion. Kur malaziasit kuptojnë se nuk ka të shtëna nga armët fillojnë të ngjitën shkallëve të ngushta të kullës në katin e dytë, ku Kajë Shabanja i pret me një sakicë në dorë dhe ia del që katër nga ta t'i presë sakicë. Më pas plagosët ne kokë dhe bie pa ndjenja, por atë e gjen të plagosur rëndë kushëriri i saj, Zymer Selmani i Koshutanit, vëllai i Zhujë Selmanit, legjendës së kullave të Sheremetit, i cili e dërgon në spitalin e forcave shqiptare të luftës se Nokshiqit dhe aty ajo shërohet.

Hakmarrja e malazezëve

Në librin e Fazli Muriqit, duke ndriçuar figurën e kësaj trimëreshe, e cila u bë legjendë e betejave në mbrojtje të trevave shqiptare, thotë se Kajë ShabanjaGalja mori pjesë edhe në shumë beteja të tjera kundër malaziasve, por edhe rriti fëmijët, të cilët ishin trima dhe prijës të betejave të kësaj anë edhe atë bijtë Zymer e Imer Maliqin dhe bijat Lace e Bege Maliqi, kjo e fundit po ashtu si e ëma u bë legjendë e shumë betejave në mbrojtje të kufirit me Malin e Zi. Kur malazezët hynë përsëri në Nokshiq në vitin 1941 e kishin zënë Kajën 90 vjeçare, së cilës në shenjë hakmarrje i thyen të dy duart dhe deshën ta kallin të gjallë, të cilën e kishte shpëtuar një malazeze e quajtur Millka, e cila vinte nga një familje që kishte luftuar më Maliqet -familjen e burrit të Kajës, të cilët kishin shkëmbyer në mes vete nga dy meshkuj, e qe ishte betuar se më nuk do të luftojë më kurrë me Maliqët. Dihet se duart e Kajës ia kishte thyer Gjorgje Vuqetiqi. Kaja thuhet të kishte jetuar edhe më gjatë dhe kishte bërë mbi 100 vite duke lënë pas vetes namin dhe nderin femrës shqiptare si nënë dhe heroinë që u bë legjendë e bjeshkëve të Kelmendit.

(Kosova Sot)

 

12 orë e 23 minuta më parë
15/11/18