Uashingtoni: Pse kërcënuam me pasoja deputetët kundër reformës në drejtësi

  • 26 July 2016 - 11:14
Uashingtoni: Pse kërcënuam me pasoja deputetët kundër reformës në drejtësi

Mesazhi i ambasadorit të SHBA-së, Donald Lu, pak ditë nga votimi i reformës në drejtësi, se do të kishte pasoja negative secili deputet në marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara, nëse do të votonin kundër, ka qenë një mesazh i qartë dhe i prerë nga Uashingtoni. “Donim të ishim të qartë që të mos kishte asnjë keqkuptim më pas”, thuhet në një reagim për "Ora News" të zv/dihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Yee.

“Ambasada i diskutoi këto pasoja me partitë politike sipas udhëzimeve specifike nga Uashingtoni”, thuhet më tej në deklaratë.

Në reagim përgëzohet Parlamenti që e miratoi këtë reformë jetike dhe përgëzoi popullin e Shqipërisë që kërkoi ndryshim.

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, u shpreh pak ditë përpara votimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, se “do të ketë pasoja specifike negative nga Shtetet e Bashkuara për ata udhëheqës politikë që do të votojnë kundër kësaj reforme". "Unë jam duke u dorëzuar partive politike hollësitë mbi këto pasoja sipas udhëzimeve specifike nga Uashingtoni. Ju siguroj se këto pasoja do të jenë të rënda dhe afatgjata”, tha diplomati.

(Kosova Sot)