Reforma në drejtësi, Rama: Vendi ynë ka fituar një besueshmëri të re

  • 26 July 2016 - 14:03
Reforma në drejtësi, Rama: Vendi ynë ka fituar një besueshmëri të re

Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se reforma në drejtësi do të vazhdojë me ligjet kryesore që pasojnë reformën e miratuar kushtetuese dhe kërkojnë minimumin 84 vota.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Rama shkruan: “Ata që u dorëzuan përballë presionit të jashtëzakonshëm popullor e ndërkombëtar dhe presionit të brendshëm që krisi murin shurdh të Partisë Demokratike, do të vazhdojnë të rezistojnë në çdo hap e për çdo ligj të domosdoshëm për zbatimin e reformës kushtetuese. Por nuk kanë shans ta ndalin historinë e re të drejtësisë që ka nisur me hirin dhe me pahirin konsensual të 21 korrikut”.

Sipas tij, Shqipëria nuk është më ajo që ishte përpara votimit historik të së enjtes së shkuar; jo vetëm në sytë e Uashingtonit, Berlinit e Brukselit, po edhe në sytë e komunitetit ndërkombëtar të investitorëve.

“Vendi ynë ka fituar një besueshmëri të re. Votimi i 21 korrikut i ka hapur rrugë një reforme shembullore në drejtësi dhe vetingu me mbështetje ndërkombëtare (parashikuar në kushtetutë) i të gjithë gjykatësve e prokurorëve, i cili do të nisë si një operacion rrënjësor pastrimi nga maja e piramidës së korruptuar të gjyqësorit, i ka bërë të marrin frymë lirisht investitorët e mëdhenj. Këtë e konfirmoi sot vetë presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim”, shkruan kreu i qeverisë.

(Kosova Sot)