Rikthehet kriza: Meta ndërpret vizitën në SHBA

  • 27 July 2016 - 13:47
Rikthehet kriza: Meta ndërpret vizitën në SHBA

Ashtu siç ishte paralajmëruar, miratimi i ligjeve të reformës në drejtësi mund të provokojë një tjetër krizë politike.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka ndërprerë vizitën e tij në SHBA me një paralajmërim.

“Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, ndërpret vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u kthyer në Shqipëri dhe për të sqaruar konfuzionin e krijuar ditëve të fundit që kanë për qëllim prishjen e konsensusit historik parlamentar të 21 korrikut për reformën në drejtësi,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Ndërkohë, ndonëse komisioni i posaçëm i reformës në drejtësi ishte thirrur që një ditë më parë nga kreu i tij, Fatmir Xhafaj, ai ende nuk është mbledhur.

Burime zyrtare të Kuvendit thanë se socialistët në komision po presin konfirmimin e përfaqësuesve të opozitës për pjesëmarrjen. Në tavolinën e komisionit ndodhet projektligji i Vetingut, i rishikuar nga ekspertet e huaj.

Por burime nga Partia Demokratike thane se drafti i paraqitur nga EURALIUS dhe OPDAT, është marrë mbrëmjen e të martës dhe se ata ndodhen ende në fazë shqyrtimi.

Më herët Partia Demokratike kishte bërë të ditur se 7 ligjet që shoqërojnë reformën në drejtësi mund të kalojnë në parlament vetëm pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, pasi mungon baza ligjore.

Të martën kreu i Kuvendit, Ilir Meta shprehu gatishmërinë për të mbledhur parlamentin në çdo kohe që palët të bien dakord për kalimin e ligjit, konform Kushtetutës.

(Kosova Sot)