Koalicioni i shantazhuar e zhyt Republikën në kaos

  • 27 July 2016 - 07:57
Koalicioni i shantazhuar e zhyt Republikën në kaos

Gjykata Speciale, Asociacioni, Demarkacioni, rrëshqitje të pafalshme të pushtetit  

Politikanët e Kosovës kanë treguar se janë servilë ndaj ndërkombëtarëve dhe të papërgjegjshëm për fatet e mëdha të vendit. Ata edhe veprimet me të këqija e më të dëmshme për vendin dhe kombin mundohen t'i arsyetojnë me gjoja qëllime të mira,raporton Gazeta Kosova Sot

Mënyra se si është pozicionuar koalicioni PDK- LDK karshi sfidave serioze për vendimmarrje, që do të duhej të ishin koncensuale për interesat nacionale, për të cilat nevojitet bashkërendimi i qëndrimeve politike të pozitës dhe opozitës, e që nuk po arrihet një pajtim i tillë, ka rrezik që t'i hakmerret seriozisht kësaj klase politike në pushtet dhe ta përmbysë besimin e saj në popull përjetësisht, pa mundësi të rikthimit të tij përgjatë proceseve të reja të shtetndërtimit. Emblema e koalicionit qeverisës, si një nga më të shantazhuarit dhe më të dëmshmit deri më tani në historikun e shtet ndërtimit të ri të Kosovës, mund t'u mbetet PDK-së dhe LDK-së, pikërisht për shkak të kompromiseve të dhimbshme që janë duke bërë në dëm të shtetit të Kosovës, e që ndërlidhen me ratifikimin eventual të Demarkacionit me Malin e Zi, që në versionin aktual po rrezikon t'i marrë Kosovës mijëra hektarë tokë, derisa edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, që është një obligim tjetër ndërkombëtar dhe duhet të jetësohet nga ky koalicion, rrezikon defunksionalizimin e brendshëm të shtetit të Kosovës dhe krijimin e një Republike serbe, që do të jetë element permanent i destabilitetit jo vetëm nga brenda, por edhe me përmasa më të gjëra. Këtë rrezik real e pranojnë si mundësi edhe pozita, por edhe opozita, së bashku me analistët politikë, megjithëse akoma mbizotëron shpresa se do të gjendet rruga e shpëtimit për të mos rënë në një grackë të tillë të njollosjes me njollë të përjetshme historike.

Asociacioni është fundi i shtetit Deputeti Adem Salihaj, nga LDK-ja, tha se gjatë këtij mandati të Kuvendit të Kosovës disave nga deputetët iu është dashur të bëjnë edhe veprime shumë të rënda, që nuk kanë qenë aspak popullore, e të tilla të ngjashme pritet të dalin para tyre edhe në vijim, por duhet gjetur formula e kompromisit për shpëtimin e imazhit të shtetit dhe të vetë klasës politike që po qeverisë vendin."Mund të them se ka qenë një prej mandateve më të vështira. Gjykata Speciale, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, të gjitha kanë qenë një barrë e rëndë për deputetët, e veçanërisht për disa nga ne, të cilët jemi munduar e po mundohemi ta kemi në rregull ndërgjegjen tonë. Po të formohej asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel, ky do të ishte fundi i shtetit të Kosovës. Politikanët e Kosovës kanë treguar se janë servilë ndaj ndërkombëtarëve dhe të papërgjegjshëm për fatet e mëdha të vendit. Ata edhe veprimet me të këqija e më të dëmshme për vendin dhe kombin mundohen t'i arsyetojnë me gjoja qëllime të mira. Por, ne duhet të bëjmë çmos që të mos merren vendime kaq të dëmshme për Kosovën. Në jemi të vetëdijshëm për pasojat, por mendojmë se fati i Kosovës është më i rëndësishëm se fati ynë personal", tha deputeti Adem Salihaj për 'Kosova Sot'. Mirëpo, përfaqësuesit e opozitës janë shumë skeptikë që ky koalicion qeverisës, me këtë qasje që ka aktualisht, sidomos tani, karshi Demarkacionit dhe Asociacionit, do të mund të shpëtojë pa e marrë mbi vete njollën e madhe, të dëmshme dhe të pashlyeshme, të zezë në historinë e shtetndërtimit të vendit, si momentet më kritike për t'u dëshmuar në mbrojtje të interesave madhore të shtetit.  

ri vendimet famëkeqe të koalicionit Opozitarët, AAK-ja dhe Nisma, konsiderojnë se nga kjo njollë e zezë shtetin dhe lidershipin aktual mund ta shpëtojë vetëm ndërprerja e këtij mandati dhe shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme sa më parë, në vjeshtën e këtij viti. Rasim Selmanaj, nga AAK-ja, thotë se është më mirë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja sesa të merren me imponim të kujtdo qoftë, vendime të dëmshme në interesin nacional që do të mbeten të papërmirësueshme në historinë e ndërtimit të mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës."Unë mendoj se në këtë mandat qeverisës tri vendimet që gjenden para këtij koalicioni qeverisës, duke përfshirë këtu edhe Gjykatën Speciale që ishte në fillim të mandatit, në vitin e kaluar, tani janë edhe Demarkacioni i Kufirit me Malin e Zi dhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, janë tri vendimet më të dëmshme që mund të ndodhin për vendin. Mirëpo, dua të besoj që tani këto dy të fundit, Demarkacioni dhe 'Zajednica'- Asociacioni, nuk do të kalojnë, por sidoqoftë në rrethanat në të cilat tani për tani është Kosova, me këto të hapura, nuk ka zgjidhje tjetër për shpëtimin e vendit nga këto vendime të dëmshme, përpos zgjedhjeve të reja të parakohshme", ka theksuar ai. "Zgjedhjet gjithsesi duhet të ndodhin këtë vit, viti i ardhshëm është i vonuar. Shtatori apo tetori janë dy muajt më të përshtatshëm për zgjedhje të parakohshme, apo jashtëzakonshme, sido që t'i quajmë ato, por që sipas mendimit tim janë të domosdoshme për ta shpëtuar vendin nga marrja e vendimeve të dëmshme dhe të papërmirësueshme përgjatë gjithë historisë tjetër në vijim, për ndërtimin e shtetit", tha Rasim Selmanaj, nga AAK-ja, njëherësh kryetar i Komunës së Deçanit..

Shpëtimi përmes votës Këtë opsion e sheh zgjidhje të vetme edhe Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, ngase sipas tij që në fillim të marrëveshjes për "koalicionin e elefantëve" është parë se qëllimi i kësaj martese politike është dëmtimi i interesave të shtetit të Kosovës. E kjo nuk duhet të lejohet edhe sipas deputetit Zafir Berisha. "Edhe për mendimin tim tani po vërtetohet ajo që kaherë e kemi thënë, se ky koalicion është një koalicion në funksion dhe me mision të dëmtimit të imazhit të shtetit të Kosovës, për krijimin e të gjitha parakushteve për copëtimin e vendit, duke punuar në favor të Serbisë dhe tani edhe me tendencën e ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi përsëri po dëmtohet territori i shtetit të Kosovës, prandaj me siguri që në historinë më të re të shtetit të Kosovës koalicioni PDK- LDK dhe Lista Srpska do të mund të mbahen në mend për shumë dekada të tëra, për dëmin e madh që rrezikojnë t'i sjellin vendit, nëse arrijnë ta bëjnë atë, e që do t'u duhen dekada të tëra shumë gjeneratave të reja që vijnë pas nesh, për të punuar që eventualisht t'i përmirësojnë dëmet që po i sjell kjo qeverisje e tanishme', tha deputeti Berisha për 'Kosova Sot'. Ai ka pohuar se në një vend demokratik shpëtimi i vendit nga një rrezik i tillë vjen nëpërmes votës qytetare, përmes zgjedhjeve të reja."Unë mendoj se gjyqi më i mirë kundër kësaj keqqeverisje dhe kundër këtij koalicioni të ashtuquajtur të 'elefantëve' duhet të jetë qytetari, përndryshe rregullat demokratike në një vend, siç pretendon të jetë Kosova, nuk njohin forma të tjera të gjykimit ndaj një koalicioni sikur që është ky", tha Berisha për 'Kosova Sot'. Në të kundërtën, sipas tij, nëse kjo nuk arrin të bëhet, atëherë në rrethana të tjera ata që dëmtojnë shtetin duhet të përgjigjen para drejtësisë, pas ndryshimeve të mëvonshme që ndodhin në procesin e shtetndërtimit dhe rirreshtimeve politike në qeverisjen e vendit. Shpëtimin e vendit nga damka e zezë historike e këtij koalicioni, përmes zgjedhjeve të reja, e sheh edhe eksperti i fushës së legjislacionit, Muhamet Kelmendi. "Unë e përsëris bindjen time se nuk kam aspak dilemë dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo, jo pse po kemi dëshirë ne, disa analistë politikë e përfaqësues të shoqërisë civile, kritikë ndaj këtij koalicioni të dëmshëm për interesin e vendit, por është për faktin se koalicioni nuk po funksionon si duhet", theksoi ai për 'Kosova Sot'. 

(Kosova Sot)