11 bashkësi lokale, pa pjesëmarrje në vendimmarrjen komunale

  • 27 July 2016 - 19:26
11 bashkësi lokale, pa pjesëmarrje në vendimmarrjen komunale

Një numër i kryetarëve të Këshillave lokale kanë injoruar ekspertët e Planifikimit Hapësinor në Gjilan, duke mos pranuar t`i paraqesin para tyre projektet prioritare, me arsyetim se e kanë bërë këtë në dëgjimin publik për buxhetin dhe në raste të tjera dhe nuk e panë të nevojshme që t`i përsërisin. Madje, ata që e kanë braktisur takimin, e kanë quajtur këtë një humbje kohe në këtë periudhë. Selman Sejdiu, kryesues i Komitetit Konsultativ të Ekspertëve të Planifikimit Hapësinor, këtë sjellje të disa kryetarëve të Këshillave lokalë e ka cilësuar si mosrespekt ndaj ekspertëve, duke thënë se kërkesat e lokaliteteve, ata i paraqesin te kryetari i Komunës, nëpër drejtoritë përkatëse, sipas specifikave të projekteve si dhe në organizatat e ndryshme me të cilat bashkëpunon kjo trupë komunale, shkruan gazeta Kosova Sot.

Një numër i kryetarëve të Këshillave lokale kanë refuzuar bashkëpunimin me Komitetin, me arsyetim se prioritetet e tyre i kanë paraqitur me kohë, se ato dihen tashmë prej Komunës dhe nuk e kanë parë të nevojshme t`i përsërisin. Musli Matoshi nga Verbica e Kmetocit, njëri ndër më të zëshmit, por i cili për dallim prej disa të tjerëve, nuk e ka lëshuar takimin, ka thënë se kjo nuk duhet të kuptohet si injorim i takimit, por ka nënvizuar faktin se kërkesat i kanë paraqitur tashmë në takimin për buxhetin dhe të tjera.

Këshillat janë zëri i parë i qytetarit 

Megjithatë, Shemsedin Elezi nga fshati Zhegër, Musli Matoshi nga Vërbica e Kmetocit, Rashit Sahiti nga Malisheva, Bekim Shala nga Poneshi, Avni Arifi nga Bilinica dhe ndonjë tjetër, i kanë paraqitur nevojat e lokaliteteve të tyre, që kryesisht kishin të bënin me ujësjellës, kanalizime, ndriçim publik dhe të tjera, që në të vërtetë janë edhe prioritetet e Komunës. Sahiti ka nënvizuar faktin se kjo qeverisje ka bërë shumë punë deri tani, derisa ka kërkuar nga kolegët e tij që kërkesat t`i paraqesin me shkrim, në formë të projekteve dhe jo vetëm me fjalë. Ai ka thënë se në Malishevë janë realizuar 99 për qind të kërkesave që kanë paraqitur. Sahiti ka kërkuar nga kolegët e tij që të mos reflektojnë qëndrime partiake nëpër takime të tilla dhe as mos të sillen sikur në "Hamamin e Hyrës", por të merren me nevojat dhe prioritetet e qytetarëve të lokalitetit që përfaqësojnë, sepse për këtë qëllim janë zgjedhur. Edhe anë- tarët e Komitetit të ekspertëve kanë shprehur keqardhje për mosdurimin e disa "lokalistëve" për të bashkëbiseduar për prioritetet e qytetarëve në vendbanimet e tyre. Këshillat lokale, ndër të tjera, kanë për detyrë kujdesin për planifikim urban dhe rural, kujdesin për furnizim me ujë, rregullimin e kanalizimit, për ofrimin e shërbimeve publike efikase, kujdesin për mbrojtjen lokale të ambientit dhe të tjera. Bashkëpunimi me organet komunale dhe organizatat e tjera, për çështjet me interes për lokalitetin, është obligim i këshillave lokale. 

Përfaqësim në vendimmarrje nuk kanë të gjitha lokalitetet.

Në Gjilan tashmë janë themeluar shumica e këshillave lokalë. Interesimi i qytetarëve për këta këshilla ka qenë i madh dhe kjo është parë nga pjesëmarrja e tyre në votime. Avdyl Aliu, kryetari i Komisionit komunal për themelimin e Këshillave të fshatrave, thotë se themelimi i këshillave po bëhet përmes një procesi transparent dhe pa asnjë vërejtje nga qytetarët. Sipas tij, një numër i madh i këshillave janë themeluar tashmë. Këshillat evidentojnë dhe paraqesin prioritetet e lokalitetit të caktuar para organeve të Komunës dhe marrin pjesë në proces, në emër të qytetarëve të atij fshati, lagjeje a vendbanimi. Kësisoj, qytetarët e Gjilanit, tash e tutje do ta kenë edhe një mundësi që zërin e tyre ta dërgojnë në Kuvendin Komunal, aty ku merren vendimet e rëndësishme për mirëqenien e tyre, edhe përmes Këshillave lokale, si formë e re e organizimit. Themelimi i këtyre trupave lokale ka filluar vitin e kaluar, në kuadër të një projekti që po realizohet në bashkëpunim me organizatën "Agro-eko", ndërsa financohet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Roli i këshillave lokale është i pakontestueshëm, sepse jo të gjitha fshatrat dhe lagjet janë të përfaqësuara në vendimmarrjen komunale. Isa Shefkiu, nga shoqëria civile, thotë se sistemi zgjedhor pamundëson gjithë përfshirjen në vendimmarrje. Në përbërjen aktuale të Kuvendit Komunal, prej 35 anëtarësh, nuk përfaqësohen 11 bashkësi lokale në fshatra dhe 3 në qytet. Këto të dhëna tregojnë se një e treta e qytetarëve, të cilët banojnë në fshatra, fare nuk janë të përfaqësuar në asamblenë komunale.  

(Kosova Sot)