Përgjimet e ndërmjetësit të gjyqtares Andrea: Muhabeti është shkoqur!

  • 30 July 2016 - 14:20
Përgjimet e ndërmjetësit të gjyqtares Andrea: Muhabeti është shkoqur!

Zbardhen përgjimet e mbledhura si provë në dosjen hetimore me pesë të dyshuar për një aferë korruptive prej 50 mijë eurosh në Gjykatën e Lartë.

Mes të akuzuarve në këtë çështje është edhe gjyqtarja Majlinda Andrea dhe burri i saj i shpallur në kërkim.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, gjyqtarja Andrea, aktualisht e pezulluar, dyshohet të ketë përfituar këtë shumë në këmbim të një vendimi në favor të dy trashëgimtarëve të një prone prej 40 hektarësh në Butrint, Sarandë.Ryshfeti dyshohet të jetë marrë nga bashkëshorti i saj, Odhise Andrea, i shpallur në kërkim pas një mase “arrest në burg” dhënë në mungesë ndaj tij.

Në përgjimet e siguruara nga “Panorama”, pjesë e dosjes së Prokurorisë së Përgjithshme, zbardhen bisedat e konsumuara mes Ilia Çabirit, një prej përfituesve të pronës, dhe Petraq Dashit, i dyshuar si ndërmjetës i tyre te bashkëshorti i gjyqtares, Odhise Andrea, e më pas edhe mes këtyre të fundit.

Në bisedat e konsumuara në harkun kohor 4 qershor­11 korrik 2016, ata diskutojnë për shumën që duhet të paguhet, përpjekjet për sigurimin e saj, si dhe faktin se bashkëshorti i gjyqtares pranonte vetëm para të thata dhe jo tokë. Gjatë kontakteve telefonike, të dyshuarit përpiqen të mos përmendin emra, apo të përdorin fraza të koduara për ryshfetin.

PËRGJIMET

Në datën 04 qershor 2016, në orën 11:39, është zhvilluar një bisedë telefonike midis shtetasve Ilia Çabiri dhe Petraq Dashi:

Petraqi: Unë e di për çfarë më more, po vëllai kam filluar që më del gjumi natën për atë muhabet. Po matem t’i vete te shtëpia, ta marr në telefon, po meqë e lamë kështu me atë, nuk dua t’i dal nga llafi.

Ilia: Po.

Petraqi: E kupton, që të më thotë ore ne e lamë se unë do të marr vetë, më kupton pse. Po mua më kanë hyrë ethet, nuk e di.

Ilia: Ti e di atë punë o presor, ç’të themi, ti e njeh mirë.

Petraqi: Jo, po muhabeti vajti mirë fare, me një fjalë nga muhabeti i fundit që u ulëm ne, u bë e qartë që ky muhabet do grason, në rregull, graso, graso, kupton?

Ilia: Po.

Petraqi: Eee dakord, edhe i thashë e rëndësishme është të mos jetë ndonjë gjë e rëndë. Jo, jo, më tha mua, janë gjëra brenda asaj që janë të logjikshme.

Ilia: Po mirë.

Petraqi: Po mos të jenë kopaçe brenda, kështu më tha. Tani pas këtij muhabeti më mori pastaj, ashtu siç ta kam thënë gjithmonë, e gjërat janë në proces, do të marr unë, ti mos merr më. Do të marr unë, do të lajmëroj unë. “MUHABETET JANË SHKOQUR”.

Në datën 24.06.2016, në orën 09:37, është zhvilluar një bisedë tjetër telefonike midis shtetasve Ilia Çabiri dhe Petraq Dashi me përmbajtje:

Ilia: O Petro, ça bën?

Petraqi: Hiç, asgjë fare. As më ka marrë, as ashtu… nuk e di qysh e tek do vijë. Nuk po marr vesh fare, më tha më prit, më prit, po të marr vetë në telefon e kaq.

Ilia: Mos është e nevojshme të vete unë një herë lart vetë.

Petraqi: Po jo ore vlla se e bezdis. Unë merrem me njerëzit e mi atje, thashë një mendje me gocën e xhaxhait, t’i veja te shtëpia, po prapë më duket si…

(Kosova Sot)