Duart e mrekullive

  • 31 July 2016 - 08:12
Duart e mrekullive

Fane Gashi: Do të ishte e pafalshme që trashëgimia jonë të shuhej.

"Para 38 viteve kisha vetëm nëntë vite e gjysmë të jetës sime, kur u ula për herë të parë në dërrasë të vekut dhe fillova të mësoja nga gjyshja ime thurjen e qilimave. Nga atëherë e deri më sot nuk iu ndava punës së artizanaleve dhe ketë zeje e kam përcjell edhe te vajza ime Fitore Gashi, e cila ka mbaruar shkollën e artit dhe për mrekulli komponon artin autokton shqiptar në punimet e saja artizanale", shprehet për gazetën "Kosova Sot" Fane Gashi, njëra nga të shumtat gra që merren me punë artizanale ,raporton Gazeta Kosova Sot

Aty në fund të Çarshisë se gjatë pranë Objektit të Ilirianës në Pejë, ku është e vendosur Shoqata e zejtarëve pejanë, çdo të shtunë, kur është pazari i madh ekspozohen punime të ndryshme artizanale të punuara nga duart e vyeshme të grave të Dukagjinit, të cilat më duart e tyre stolisin apo thurin mitana ari dhe dallama, por edhe veshjet kombëtare të femrave të Rugovës dhe të Dukagjinit, siç janë kamishat e pëlhurës të punuara dhe të stolisura më një art të veçantë, pështjellakët, pshtjellcat për vajza, çorap të gjata grash, apo shoka. Ato bëjnë edhe tirq e herrka burrash të punuara në vek, apo të thurura me kërrabëza dhe të stolisura me majën e gjilpërës. Janë këto gra që më fantazinë e tyre dhe përkushtimin e madh dhe dashurinë e pa parë ndaj kësaj zeje, edhe pse më fitime të ulëta mbajtën gjallë tërë këtë kolorit të trashëgimisë sonë kombëtare ndër shekuj. "Para 38 viteve kisha vetëm nëntë vite e gjysmë të jetës sime, kur u ula për herë të parë në dërrasë të vekut dhe fillova të mësoja nga gjyshja e ime thurjen e qilimave. Nga atëherë e deri më sot nuk ju ndava punës se artizanaleve dhe ketë zeje e kam përcjell edhe te vajza e ime Fitore Gashi, e cila ka mbaruar shkollën e artit dhe për mrekulli sot komponon artin autokton shqiptar në punimet e saja artizanale", shprehet për gazetën "Kosova Sot" Fane Gashi, njëra nga të shumtat gra që merren me punë artizanale në Komunën e Pejës. Ajo tutje shton: "Jemi që tri gjenerata në familje që merrem me punët artizanale, të cilat për ne janë pjesë e pandarë e jetës".

"Është vështirë të jetohet nga këto punime" Fana, edhe të shtunën e ditës së tregut në Pejë, së bashku edhe me gra të tjera kishin zënë hapësirat përbri Ilirianës me punimet e tyre, të cilat i kishin ekspozuar për shitje. "Është e vështirë të jetohet nga këto punime tona", thotë për gazetën Fane Gashi, e cila pohon se gjatë ditëve të verës ka më shumë punë, ngase bashkatdhetarët tanë vijnë për pushime dhe shprehin interesimin e madh qoftë për veshje kombëtare për fëmijët e tyre, qoftë edhe për qëndisje të ndryshme, të cilat i marrin me vete në vendet ku jetojnë. Kjo punëtore e vyer e artizanaleve thotë se nuk mund ta paramendojë veten pa e ushtruar këtë zeje, dhe derisa po qëndronte para mallit të ekspozuar ajo thurte diç dhe shprehte brengën se punët artizanale janë të rënda, dhe se nga to nuk mund të sigurojë askush jetesën. Ajo thotë se tanimë bashkë me afro 40 gra të tjera kanë formuar një OJQ dhe kanë hapur një dyqan. Fana thotë se OJQ e cila e mban emrin e saj ka për qëllim që bashkërisht me femrat e tjera, që ushtrojnë artizanalet, ta përhapin ketë zeje të brezat e reja. Ato kanë mbajtur disa trajnime të vektarisë, ku kanë mësuar vajzat e reja të interesuara për thurjen e qilimave, pollave dhe punimeve të tjera, për çfarë ka pasur interesim të madh të rejave të kësaj treve. "Tani me përkushtim po angazhohet edhe vajza e ime Fitorja, e cila ka mbaruar shkollën e artit dhe bashkë më shoqet e saj po bëjnë mrekulli me punën e tyre në rrafshin e artizanaleve", thotë Fana.

"Gjej qetësinë e shpirtit dhe zhvilloj fantazinë time" Fana shprehet se i grumbullon punimet e të gjitha atyre grave dhe vajzave dhe i ekspozon në dyqanin e saj, i shet dhe paratë ua dorëzon secilës. "Ato nuk paguajnë asgjë për këtë shërbim që e bëj dhe kështu ne ndihmohemi. Njëherësh, shumë nga to i vizitojnë të gjitha panairet e artizanaleve, që mbahen në Kosovë dhe atje i ekspozojmë punimet tona, të cilat i shesim. Kështu, të bashkuara jemi më të forta më të organizuara dhe luftojmë të sigurojmë ekzistencën tonë. Në mesin tonë ka nëna të dëshmorëve, ka gra kryefamiljare, ka vajza të reja, që kanë mbaruar shkolla, por nuk kanë gjetur punë dhe tani më qëndisje, apo thurjet e tyre fitojnë ca para", shprehet për gazetën Fane Gashi. Përderisa Fana fliste me plot përkushtim për punën e saj dhe të grave të tjera, aty ishte edhe një vajzë e re, e cila u shpreh se quhej Shkurtjona Gashi. "Këto garnitura të punuara me rruaza janë puna që unë e bëj me përkushtim, por kam mësuar edhe shumë çka tjetër të punoj nga artet artizanale. Kjo punë më pëlqen shumë. Duke punuar gjej qetësinë e shpirtit, zhvilloi fantazinë time kur futem brenda tërë atij koloriti të trashëgimisë tanë kulturore, të cilën me shumë respekt dhe fanatizëm por dhe sakrifica ndër shekuj e ruajti kombi i ynë. Do të ishte e pafalshme, nëse do të lejonim që kjo trashëgimi e jona te shuhej, ngase së bashku me të do e humbnim një pjesë të identitet tonë", thotë Shkurtjona për gazetën "Kosova Sot". Këto gra e vajza, të cilat tani po merren me ushtrimin e punëve artizanale, kërkojnë që ato të ndihmohen qoftë nga institucionet komunale apo edhe donatorët e mundshëm, të cilët kanë ndihmuar shumë në Kosovë, por ja askush nuk u doli në ndihmë deri më sot.

(Kosova Sot)