Tradhtia kombëtare dënohet me burgim të përjetshëm

  • 27 August 2016 - 07:30
Tradhtia kombëtare dënohet me burgim të përjetshëm

Marrëveshja e dëmshme me Malin e Zi, me pasoja të rënda penale

Thaçi e Mustafa duhet të mendohen mirë para votimit të Demarkacionit

"Kushdo që në cilësinë e Presidentit të shtetit nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare ose ndonjë akt, me të cilin pjesë të territorit të Republikës së Kosovës jepen apo lihen nën sovranitetin e ndonjë shteti tjetër, dënohet me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm. Procedura është qartë e bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës për dyshimet eventuale për tradhti", thuhet në nenin 124 të Kodit Penal

Ekspertët e politikës dhe drejtësisë, por edhe deputetë të opozitës ua kanë tërhequr vërejtjen krerëve më të lartë të shtetit të Kosovës, duke filluar nga kryetari Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa se janë ata që në një të ardhme shumë të afërt do të mund të akuzohen për tradhti kombëtare, në rast se Marrëveshja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi ratifikohet nga ana e Kuvendit të Kosovës gjatë muajit shtator. Sipas ekspertëve juridikë për këtë çështje, Kodi Penal i Kosovës është i qartë, sepse neni 124 flet në mënyrë precize ndaj asaj se çfarë mund të konsiderohen akt i tradhtisë, ku te pika 2 thuhet si në vijim: "Kushdo që në cilësinë e Presidentit të shtetit nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare ose ndonjë akt me të cilin pjesë të territorit të Republikës së Kosovës jepen apo lihen nën sovranitetin e ndonjë shteti tjetër, dënohen me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm, procedura është qartë e bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës për dyshimet eventuale për tradhti".

Humbja e territorit me pasoja të rënda

Deputeti i opozitës, Enver Hoti, është shumë i bindur se nëse Kuvendi i Kosovës e miraton ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk do të shkojë kohë e gjatë dhe për këtë qoftë nga spektri politik opozitar, apo shoqëria civile apo mbase edhe nga banorët e anës së Dukagjinit, që janë në brezin kufitar me malazezët, kryetari i vendit Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa do të mund të akuzohen për tradhti kombëtare, për shkak të mbështetjes së Marrëveshjes së dëmshme për Demarkacionin skandaloz të kufirit me Malin e Zi. Sipas Hotit, janë pikërisht këta dy liderë që po e shkelin Nenin 124, që flet për atë se çfarë mund të konsiderohet tradhti, e ku bëjnë pjesë edhe marrëveshjet ndërkombëtare për territorin e vendit me çka apriori ata po kontribuojnë që një pjesë e territorit të Kosovës prej më shumë se 8 mijë hektarësh të kalojnë nën sovranitetin e një shteti tjetër, në këtë rast të malazezëve. Edhe analisti politik, Nexhmedin Spahiu, tha për "Kosova Sot" se "pa mëdyshje që Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa mund të akuzohen për tradhti kombëtare për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, ndaj ata duhet që të kenë frikë ". Por, analisti Spahiu tha se natyrisht se kjo nuk do të ndodhë, përderisa ata janë në pushtet, por kur të bien prej pushtetit, ata rrezikojnë që të përballen me këto akuza të tradhtisë. "Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa duhet që ta dinë se gjithmonë ata nuk do të jenë në pushtet, sepse as Tito as Enveri e as Sulltan Sulejmani nuk ka qëndruar gjithnjë në pushtet", theksoi ai... (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)