Shefi i shefave tash ka punë me drejtësinë

  • 27 August 2016 - 07:35
Shefi i shefave tash ka punë me drejtësinë

Prokuroria Speciale vendos të hetojë skandalin "Pronto"

Analistët presin që organet përkatëse të ndëshkojnë oligarkët 

Në një kumtesë të Prokurorisë Speciale thuhet se "Adem Grabovci, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo persona të tjerë, me dashje ka shkelur ligjet dhe procedurat e punësimit dhe përzgjedhjes së drejtorëve dhe anëtarëve të trupave menaxhuese të ndërmarrjeve publike, të agjencive të pavarura dhe institucioneve të tjera, duke siguruar në këtë mënyrë punësimin kundërligjor për një numër të caktuar të personave"

Krerët më të lartë të shtetit dhe strukturat politike të gjertanishme që kanë qeverisur vendin, por edhe organet e drejtë- sisë, në përgjithësi, kanë dëshmuar e treguar në vazhdimësi se nuk kanë qenë asnjëherë të interesuara dhe të gatshme për të zhvilluar një proces në mënyrë të rregullt, transparent e të drejtë sa i përket kategorisë të të ashtuquajturve njerëzve me ndikim të madh dhe të pushtetshëm, që janë të implikuar në krim të organizuar e vepra të tjera penale. Së këndejmi, edhe vendimi i djeshëm i Prokurorisë së Shtetit për nisjen e hetimeve ndaj Adem Grabovcit, i cili është përfshirë së fundmi në një aferë tjetër 'Pronto' e që shpërfaqi skandalin më të madh të njohur publikisht, po shihet si i vonuar, i mangët, por jo edhe shpresëdhënës. Kjo ngase, sipas tyre, punësimet e paligjshme të bëra nga partitë politike në Kosovë janë të shumta, ku bëhet fjalë për një rrjet të gjerë të njerëzve që merren me punësim partiak e që janë përfshirë edhe partitë e tjera dhe jo vetëm PDK-ja. Por, pavarësisht kësaj, është shtruar pyetja se a do të fillojnë njerëzit e drejtë- sisë që të prekin edhe të pushtetshmit, dhe a duhet të ketë një proces më të gjerë e gjithëpërfshirës hetimi për punësimet e kundërligjshme në administratën shtetërore dhe ndërmarrjet publike në vend?, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Pista hetimore e organit të akuzës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës Adem Grabovci, për "shpërdorim të detyrës dhe ndikim mbi procesin e vendimmarrjes brenda institucioneve, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike". Në një kumtesë të Prokurorisë Speciale thuhet se "Adem Grabovci, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo persona të tjerë, me dashje ka shkelur ligjet dhe procedurat e punësimit dhe përzgjedhjes së drejtorëve dhe anëtarëve të trupave menaxhuese të ndërmarrjeve publike, të agjencive të pavarura dhe institucioneve të tjera, duke siguruar në këtë mënyrë punësimin kundërligjor për një numër të caktuar të personave". Prokuroria Speciale thotë se me veprimet e tij "Grabovci, gjatë vitit 2011 e tutje, në mënyrë të kundërligjshme ka mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve të tjerë të vendit për punësim... dhe ka diskriminuar të drejtat për punësim të qytetarëve të tjerë në bazë të kushteve të barabarta, të cilat janë paraparë me ligj". Vendimi i Prokurorisë Speciale pason publikimin në mediat lokale të bisedave të përgjuara telefonike të ishshefit të Grupit Parlamentar të PDKsë, Adem Grabovci, në të cilat qenë përfshirë, veç të tjerash, edhe presidenti aktual, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli. Bisedat e përgjuara përfshijnë periudhën e fundvitit 2011 në rastin e Ministrisë së Transporteve, që po e hetonte misioni i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX.

Rasti "Pronto" ta këndellë popullsinë

Analisti Shefqet Dibrani, duke e parë si hap pozitiv vendimin për nisjen e hetimeve kundër Adem Grabovci, prapëseprapë ai është skeptik se do të ketë një përfundim dhe finalizim të suksesshëm e të mbarë, ngase, sipas tij, rastet e mëhershme kanë dëshmuar dhe po dëshmojnë se veprimet e tilla apo zgjuarja e herëpashershme nga, 'koma' e Prokurorisë ka të bëjë më shumë me spektakël mediatik se sa diçka serioze e pozitive në këtë drejtim. Skepticizmin, Dibrani e mbështet edhe tek ajo se në vazhdimësi, siç tha, është parë se Prokuroria e Kosovës ka qenë e pafuqishme ndaj klikës politike në pushtet, e cila e ka kapur shtetin në të gjithë segmentet e saj, derisa shpreson se kryeprokurori i tanishëm Aleksandër Lumezi mbase mund t'i lëvizë gjërat dhe t'i shtyjë proceset përpara, duke bërë më shumë në këtë aspekt, por, sipas tij, tani për tani nuk mund të flitet për Prokurori të pavarur, ngase në Kosovë që nga fillimi ka munguar Prokuroria e tillë. Dibrani mendon se afera e "përgjimeve" dhe ajo "vjedhje në kohë lufte" do të duhej ta trondiste opinionin publik dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët po monitorojnë demokracinë në Kosovë, teksa, sipas tij, kjo aferë do të duhej të shoqërohej me një dorëheqje zinxhirore e shoqëruar me prangosje masive, por, siç tha, shtresa politike nuk ka moral dhe e as ndërgjegje, derisa Kosova nuk ka as prokurorë e as sistem të drejtësisë së pavarur. " Kasta e tanishme politike është shumë e papërgjegjshme dhe mbase njëra nga gjeneratat që po i njollosin biografitë e tyre familjare. Rasti "Pronto" do të duhej ta këndellte popullsinë e gjithmbarshme për t'i mbushur sheshet dhe rrugët e Kosovës, sepse për të dhënë dorëheqje as të mos shpresojmë, pasi përgjegjësit themelorë janë krerët e politikës kryesore në Kosovë, të cilët janë të zhytur në afera korruptive, por le të shpresojmë se vendimi i djeshëm i Prokurorisë së Shtetit për fillimin e hetimeve ndaj Adem Grabovcit do të arrijë cakun e duhur dhe të kthehet njëherë e përgjithmonë shpresa se drejtësia do të vlejë për të gjithë njëlloj". Më tej, Dibrani ka nënvizuar se nepotizmi dhe korrupsioni janë kancer i shoqërisë demokratike, por, sipas tij, në Kosovë nuk ka as infrastrukturë ligjore të mjaftueshme, po ashtu mungojnë prokurorët e guximshëm, ngase, siç tha, edhe ato prangosje për afera të mëdha të kriminalitetit ekonomik nuk i kanë dhënë rezultatet e pritura.

 

Lumezi e hodhi hapin e parë

Avokati Tomë Gashi thotë se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka dëshmuar se e meriton postin të cilin e mban, duke deklaruar se tanimë veç janë hapur hetimet penale lidhur me të ashtuquajturën aferën, 'Pronto', apo incizimin e shefave të shefave, derisa, siç tha, " kjo me siguri nuk do të thotë që hetimet do të ndalen, por përfundimisht Prokuroria do të vijë me një vendim se a ka elemente të veprave penale, apo veprës penale të çfarëdo lloji të jenë ato apo jo. Por, sido që të jetë, involvimi i kryeprokurorit ztr. Lumezi ka treguar një seriozitet të zyrës së tij dhe të atij personalisht dhe është në të mirë të popullit që të dihet se çfarë ka ndodhur me pretendimet që janë bërë publike me përgjimet e publikuara kohëve të fundit. Këto përgjime kanë të bëjnë me një periudhë kohore 2011-2012, dhe janë përgjime të ligjshme, përveç atyre që nuk është dashur të publikohen ndaj personave të tjerë, siç ka qenë Hashim Thaçi dhe të tjerët, të cilët nuk kanë qenë shënjestër e hetimeve, dhe ka mundur Prokuroria që ato t'i eliminojë apo t'i fshijë, por sido që të jetë Prokuroria po tregon në këtë rast një seriozitet që do të duhej ta kishte secili shtet normal". Ndërsa, sa i përket asaj nëse hetimet do të zgjerohen edhe ndaj personave të tjerë, Gashi këtu mendon se ajo është çështje e Prokurorisë, teksa, siç ka thënë edhe një herë, Kryeprokurori i Shtetit, Lumezi ka treguar seriozitet në punën e tij dhe është çështje që aty nuk do të duhej të ndërhyjë, por të priten rezultatet e hetimeve, teksa, sipas tij, pastaj gjithçka mund të jetë e mundur.

(KOSOVA SOT)