Tradhtia kombëtare dënohet me burgim të përjetshëm

  • 27 August 2016 - 07:30
Tradhtia kombëtare dënohet me burgim të përjetshëm

Marrëveshja e dëmshme me Malin e Zi, me pasoja të rënda penale

Thaçi e Mustafa duhet të mendohen mirë para votimit të Demarkacionit

"Kushdo që në cilësinë e Presidentit të shtetit nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare ose ndonjë akt, me të cilin pjesë të territorit të Republikës së Kosovës jepen apo lihen nën sovranitetin e ndonjë shteti tjetër, dënohet me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm. Procedura është qartë e bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës për dyshimet eventuale për tradhti", thuhet në nenin 124 të Kodit Penal

Ekspertët e politikës dhe drejtësisë, por edhe deputetë të opozitës ua kanë tërhequr vërejtjen krerëve më të lartë të shtetit të Kosovës, duke filluar nga kryetari Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa se janë ata që në një të ardhme shumë të afërt do të mund të akuzohen për tradhti kombëtare, në rast se Marrëveshja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi ratifikohet nga ana e Kuvendit të Kosovës gjatë muajit shtator. Sipas ekspertëve juridikë për këtë çështje, Kodi Penal i Kosovës është i qartë, sepse neni 124 flet në mënyrë precize ndaj asaj se çfarë mund të konsiderohen akt i tradhtisë, ku te pika 2 thuhet si në vijim: "Kushdo që në cilësinë e Presidentit të shtetit nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare ose ndonjë akt me të cilin pjesë të territorit të Republikës së Kosovës jepen apo lihen nën sovranitetin e ndonjë shteti tjetër, dënohen me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm, procedura është qartë e bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës për dyshimet eventuale për tradhti", shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Humbja e territorit me pasoja të rënda

Deputeti i opozitës, Enver Hoti, është shumë i bindur se nëse Kuvendi i Kosovës e miraton ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk do të shkojë kohë e gjatë dhe për këtë qoftë nga spektri politik opozitar, apo shoqëria civile apo mbase edhe nga banorët e anës së Dukagjinit, që janë në brezin kufitar me malazezët, kryetari i vendit Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa do të mund të akuzohen për tradhti kombëtare, për shkak të mbështetjes së Marrëveshjes së dëmshme për Demarkacionin skandaloz të kufirit me Malin e Zi. Sipas Hotit, janë pikërisht këta dy liderë që po e shkelin Nenin 124, që flet për atë se çfarë mund të konsiderohet tradhti, e ku bëjnë pjesë edhe marrëveshjet ndërkombëtare për territorin e vendit me çka apriori ata po kontribuojnë që një pjesë e territorit të Kosovës prej më shumë se 8 mijë hektarësh të kalojnë nën sovranitetin e një shteti tjetër, në këtë rast të malazezëve. Edhe analisti politik, Nexhmedin Spahiu, tha për "Kosova Sot" se "pa mëdyshje që Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa mund të akuzohen për tradhti kombëtare për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, ndaj ata duhet që të kenë frikë ". Por, analisti Spahiu tha se natyrisht se kjo nuk do të ndodhë, përderisa ata janë në pushtet, por kur të bien prej pushtetit, ata rrezikojnë që të përballen me këto akuza të tradhtisë. "Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa duhet që ta dinë se gjithmonë ata nuk do të jenë në pushtet, sepse as Tito as Enveri e as Sulltan Sulejmani nuk ka qëndruar gjithnjë në pushtet", theksoi ai.

Kodi Penal flet në mënyrë precize për tradhtinë

Profesori i shkencave juridike dhe analisti Blerim Burjani tha se ky proces është i komplikuar ligjërisht, sepse Kushtetuta nuk përmban norma të qarta për ndjekje për aktin e tradhtisë. Ai tha se Neni 100 i Kushtetutës thotë se mund të ushtrohet mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë që mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Burjani ndërkaq sqaroi se përderisa për presidentin e shteti nuk thuhet as nuk përmendet askund asnjë fjalë rreth tradhtisë Neni 91.3 i Kushtetutës e thotë se shkarkimi mund të ndodhë ose si rezultat, kur presidenti për shkak të sëmundjes shkarkohet ose për krime të rënda apo vepër penale. Burjani tha se kjo vlen, nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është dënuar për ndonjë krim të rëndë ose kur nëse Kuvendi, në pajtim me këtë nen, konstaton që Presidenti nuk është i aftë të ushtrojë përgjegjësitë e tij, për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës. Sipas Burjnait, në këtë rast Kuvendi mund të shkarkojë Presidentin me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij. "Kodi Penal i Kosovës është i qartë, sepse Neni 124 flet në mënyrë precize ndaj tradhtisë, ku te pika 2 ku thuhet si në vijim: "Kushdo që në cilësinë e Presidentit të shtetit nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare ose ndonjë akt me të cilin pjesë të territorit të Republikës së Kosovës jepen apo lihen nën sovranitetin e ndonjë shteti tjetër dënohen me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm". Andaj, sipas Burjanit, këtu procedura është qartë. Ai më tej thotë se është një fije e hollë ligjore në mes ushtrimit të detyrës bazuar në veprimet e garantuara kushtetuese të funksionarëve publikë dhe aktit të tradhtisë e që kjo e fundit duhet të dëshmohet, por jo me politikë, por me fakte dhe argumente të fuqishme për "pazare eventuale", që mund të jenë bërë nga funksionarët më të lartë të shtetit e në dëm të territorit të shtetit në këtë rast.

Liderët të mos fshihen pas ndërkombëtarëve

Ndërsa, eksperti i politikave ndërkombëtare dhe të sigurisë, Jeton Kelmendi, tha për "Kosova Sot" se kokëfortësia e Thaçit dhe Mustafës që me çdo kusht të ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin, por edhe Marrëveshja për Asociacionin jo se e vënë në dyshim qasjen e këtyre dy figurave të larta politike të vendit, por edhe rrezikon të gjykohen për vepra të rënda. Ai thotë se Demarkacioni dhe asociacioni i komunave serbe janë vetëm dy nga dështimet e shumta të këtyre njerëzve në fushën kombëtare, sepse që të dy kanë shumë dritëhije në biografitë e tyre. "Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa sot po tentojnë të fshihen pas disa ndërkombëtarëve, por e kanë gabim, sepse po i dënoi populli nuk ju bën punë të qenit mirë me faktorët ndërkombëtarë. Në fakt janë bërë bashkë për ta shpëtuar njeri-tjetrin e jo se e duan njëri-tjetrin. Këtë pohim e mbështes në fakte, por edhe kësaj aleance po i vjen fundi dhe vështirë se do të mund t'u zgjasë kjo jarani", theksoi analisti Kelmendi. Sipas tij, nëse drejtësia do ta ketë fjalën në këtë vend, këta dy persona të papërgjegjshëm do të kenë probleme me drejtësinë e kjo do ishte më e vogla që pritet t'u ngjajë këtyre dy personave, "sepse nëse ratifikohet demarkacioni këta fshatarë të ngjitur në majë të pushtetit do të përballen pa dyshim me akuzën më të rëndë për tradhti kombëtare". 

U bënë shkelje të mëdha

Analisti tjetër politik, Arsim Haziri, tha se logjikisht nëse vështrojmë substancën e Marrëveshjes dhe pamundësinë për t'i dhënë verifikim që çështja të mos shkaktonte trazira politike dhe sociale, përbën dëshminë themelore se ka diçka çka nuk gjen përputhje si me versionin e ekspertëve, ashtu edhe të subjekteve opozitare. Sipas Hazirit, shkeljet që i janë bërë kësaj çështjeje janë të mëdha dhe nëse pranon kjo Qeveri për ta rishqyrtuar sërish dhe gjendet padrejtësi, atëherë automatikisht bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet. "Kështu që për t'iu shmangur këtij penalizimi dhe cilësimit antikombëtar, këta angazhohen me gjithë mekanizmat e vet për t'i dhënë jetë dhe duke pretenduar që me çështjen e liberalizimit këtë çështje ta shpërqendrojnë". Por, sipas Hazirit, në kahun tjetër nëse një akti të tillë i pamundësohet kalimi, atëherë sigurisht se meritojnë dënim si juridik, ashtu edhe moral, që Kodi Penal mund t'i sanksionojë me dënime deri me 15 vite burg. "Kjo politikë duhet të përfundojë, pasi qëndron njëanshëm në raport social dhe krejt çka duhet të jetë në funksion të kësaj është dalja në kundërshtim të kësaj çështjeje në numër sa më të madh", theksoi ai.

(KOSOVA SOT)