Thellohet bashkëpunimi PS-PDIU, ja postet që Rama i dha Idrizit

  • 27 August 2016 - 13:24
Thellohet bashkëpunimi PS-PDIU, ja postet që Rama i dha Idrizit

Kryeministri Edi Rama po thellon më tej bashkëpunimin me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizin, duke i dhënë partisë së aleatit të tij poste ne nivel drejtorësh në disa prej qyteteve kryesore të vendit.

Kështu shkruan gazeta “Shekulli”, duke zbardhur disa prej emërimeve të fundit. Gazeta shkruan se këto emërime po bëhen mbi bazën e marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy partive, por po ndikohen kryesisht nga afrimi i zgjedhjeve parlamentare.

Sipas ‘Shekullit’, në TIranë, Fier e Sarandë, zona ku e majta ka fituar bindshëm, PS po tërheq drejtorët e saj, për t’i lëshuar vend PDIU-së.

Kështu në Tiranë është emëruar Galip Taho, i njohur si përfaqësues i PDIU-së, në postin e drejtorit të në Drejtorinë e Shfrytëzimit të Automjeteve.

Më herët në këtë detyrë ishte Gentian Daja nga PS. Në spitalin rajonal të Fierit është emëruar Brunilda Camaj e PDIU në vend të Kreshnik Ternovës.

Në krye të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Sarandës është emëruar një tjetër përfaqësues i PDIU-së, pas largimit të Ana Shehut të PS.

“Ende nuk dihet me saktësi sa është numri i drejtorive që Rama ka vendosur t’i japë Shpëtim Idrizit, por vihet re fakti se këto lëvizje pritet të shkaktojnë jo pak pakënaqësi në bazën e PS-së, anëtarët e së cilës nuk po gjejnë hapësirë në administratën publike”..

Burime të gazetës thonë se këto poste i kalojnë PDIU mbi bazën e marrëveshjes që kanë dy partitë e koalicionit, duke përjashtuar mundësinë që të kenë lidhje me zgjedhjet e pjesshme në Dibër.

(Kosova Sot)