Dhimbja e menstruacioneve i doli të jetë kancer

  • 27 August 2016 - 20:03
Dhimbja e menstruacioneve i doli të jetë kancer

Një e re dhimbjet e së cilës u konsideruan si dhimbje të menstruacioneve ishte duke vuajtur nga një tumor në qafën e mitrës. Amy Heatman, nga Liverpuli, ka kaluar tri javë duke shkuar te mjekë të ndryshëm për shkak të ngërçeve në bark dhe gjakderdhjes së rëndë, por për shkak se ishte 17-vjeçare, simptomat e saj janë injoruar deri në momentin kur nëna e saj Jillian kërkoi një udhëzim për analizë. Ultrazëri ia zbuloi një masë të madhe në qafën e mitrës e menjëherë pas kësaj u diagnostikuar me kancer të qafës së mitrës.

"Gjithmonë kam dëshiruar që të krijoj familje"

Mjekët i thanë se i duhej një histerektomi e plotë e përcjellë nga radioterapia dhe kimioterapia. Tani, katër vjet më vonë, Heatman e ka treguar ngjarjen e saj për ta rritur vetëdijesimin për kancerin e qafës së mitrës te femrat nën moshën 25-vjeçare. Heatman, infermiere, tha: "U pikëllova shumë kur më thanë se nuk do të jem në gjendje që të kem fëmijë pasi që gjithmonë kam dëshiruar që të krijoj familje. Në një mënyrë, më vështirë e kisha që të përballem me këtë sesa me faktin që kisha kancer të qafës së mitrës, në moshën 17- vjeçare, ndërsa nuk e dija se sa serioze ishte gjendja. U jam mirënjohëse kirurgut dhe infermiereve që ma shpëtuan jetën, tani nganjëherë jam në depresion por e di se sa me fat jam që kam shpëtuar". Dhimbja e menstruacioneve i ishte bërë e tmerrshme në korrik të vitit 2011 sa që nuk mund të merrej as me punët e përditshme. 

"Nëse janë nën moshën 25-vjeçare le t'i bëjnë analizat"

Ajo pohon se ka pasur gjakderdhje të madhe sa që i është dashur që të flejë me peshqir mes këmbëve të saj. "Ishin tri javë të tmerrshme para se të diagnostikohem por që nga përfundimi i operacionit dhe trajtimit, jam përpjekur që të vazhdoj sa më mirë me jetën time. I dua shumë fëmijët e edhe pse nuk do të mund të mbetem shtatzënë dhe të kem fëmijë biologjikë, shpresoj që një ditë të adoptoj fëmijë. Momentalisht jam infermiere në një çerdhe fëmijësh dhe më pëlqen të punoj me ta për çdo ditë", ka shtuar ajo. Pas ultrazërit, ajo filloi që të ndjejë dhimbje të tmerrshme gjatë qëndrimit në spital dhe është dërguar shpejtë në emergjencë për t'u operuar. "Ndjenja nevojën që të shkoj në WC, por nuk isha në gjendje të shkoja, ishte një agoni dhe nëna ime i thirri infermieret. Më dërguan në sallë të operacionit dhe mjekët e mënjanuan tumorin që ishte i madh sa një portokall", ka shtuar ajo. "Kam mbështetje të madhe nga familja dhe miqtë dhe sa herë që nuk ndjehem mirë ata gjithmonë janë afër meje. Shpresoj që kushdo që e lexon ngjarjen time dhe që është duke vuajtur nga simptomat e pazakonta ta bëjë testin. Nëse janë nën moshën 25- vjeçare le t'i bëjnë analizat menjëherë, pasi një gjë e tillë ma ka shpëtuar jetën", ka thënë zonjusha Heatman. 

(Kosova Sot)