VV: Ne asnjëherë nuk kemi bërë aksione natën dhe pa praninë e medieve

  • 29 August 2016 - 16:19
VV: Ne asnjëherë nuk kemi bërë aksione natën dhe pa praninë e medieve

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një postimi në rrjetin social “facebook” ka thënë  se Menaxhmenti i RTK-së paraqet rrezik për funksionimin e demokracisë dhe fjalës së lirë në Kosovë.

“Ne asnjëherë nuk kemi bërë aksione natën dhe pa praninë e medieve. Tendenca e menaxhmentit të RTK-së që në vazhdimësi të jap gjykime të tilla, është e papranueshme dhe e shpërfaq sheshit rolin e këtij mediumi që të propagandojë në mbrojtje të klanit Pronto dhe Qeverisë së Kosovës” thuhet në reagimin e kësaj Lëvizje.

Ky është reagimi i plotë:

“Menaxhmenti i RTK paraqet rrezik për funksionimin e demokracisë dhe fjalës së lirë në Kosovë.
Sot, menaxhmenti i RTK-së paska marrë sërish rolin e prokurorisë duke tentuar për të disatën herë ta lidh VETËVENDOSJE!-n me sulmet e fundit me bomba.

Lëvizja VETËVENDOSJE! sa herë ka pasur të thotë diçka ndaj RTK-së e ka thënë publikisht. Ne asnjëherë nuk kemi bërë aksione natën dhe pa praninë e medieve. Tendenca e menaxhmentit të RTK-së që në vazhdimësi të jap gjykime të tilla, është e papranueshme dhe e shpërfaq sheshit rolin e këtij mediumi që të propagandojë në mbrojtje të klanit Pronto dhe Qeverisë së Kosovës.

Menaxhmenti kriminal i RTK-së, me në krye keqpërdoruesin kryesor në këtë medium, Mentor Shala, janë të rrezikshëm për demokracinë, fjalën e lirë dhe informimin e drejtë të publikut në Kosovë. Ky menaxhment, duhet të jap llogari ligjore për keqpërdorimet milionëshe që kanë ndodhur në këtë medium, si dhe për shndërrimin e RTK-së në altoparlant të Qeverisë dhe klanit Pronto.

Ne ftojmë asociacionet e gazetarëve dhe këshillet mediale që të reagojnë ndaj linçimit që ky menaxhment po i bën Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe ndaj akuzave të rënda në drejtim të subjektit.

(Kosova Sot)